Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka habitur opinionin publik pasi ka zbuluar në rrjetet sociale se, që kur mori detyrën, fle vetëm nga zero deri në tre orë në natë për shkak të ritmit të ngarkuar të punës.
“Që kur jam bërë kryeministre fle maksimumi deri në tre orë në natë”, ka shkruar 65-vjeçarja, duke u ankuar për oraret ekstreme të punës.
Deklarata e saj ka shkaktuar reagime, ndërsa neurologu Luigi Ferini Strambi, drejtues i Qendrës së Mjekësisë së Gjumit në Spitalin San Raffaele-Turro në Milano, e cilësoi atë një mesazh të gabuar.
“Më vjen keq për të, por ky është një mesazh thellësisht i gabuar. Vitet e fundit kemi mbledhur prova të forta shkencore për rëndësinë e gjumit. Janë fjalë që nuk duhet t’i thotë drejtuesi i një vendi si Japonia, ku vdekjet e lidhura me ritmet ekstreme të punës njihen si problem shëndetësor dhe shoqëror”, tha ai.
Sipas specialistit, gjumi ul nivelin e kortizolit, forcon sistemin imunitar dhe zvogëlon rrezikun për kancer, infarkt, diabet, demencë, hipertension dhe goditje në tru.
Ai thekson gjithashtu se mungesa e gjumit ndikon drejtpërdrejt në aftësitë njohëse, duke ulur vëmendjen, përqendrimin, kujtesën dhe aftësinë për të mësuar, ndërsa rrit rrezikun për gabime dhe aksidente.
Po ashtu, mungesa e gjumit ndikon edhe në gjendjen emocionale, duke rritur ankthin, nervozizmin, luhatjet e humorit dhe duke e bërë më të vështirë përballimin e stresit.
Sipas Strambit, një i rritur 65-vjeçar ka nevojë mesatarisht për rreth shtatë orë gjumë çdo natë. Ai shton se rëndësi ka jo vetëm kohëzgjatja, por edhe cilësia dhe rregullsia e gjumit.
Eksperti pranon se ekzistojnë persona që mund të flenë vetëm rreth katër orë pa pasoja, falë varianteve të rralla gjenetike, por thekson se ky nuk është rasti i Sanae Takaichit, e cila ka pranuar vetë se dëshiron të flejë më shumë dhe se mungesa e gjumit i ka sjellë pasoja, si rrathët e zinj poshtë syve.
Komente










