Pas 7 vitesh lirohet nga detyra zv/ ministri i Financave Erjon Luçi! 1.6 mld lekë për shpronësimet për Lanën

Pas 7 vitesh lirohet nga detyra zv/ ministri i Financave Erjon Luçi! 1.6 mld lekë për shpronësimet për Lanën

TIRANE-Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme të qeverisë në drejtimin e zv/ kryeministrit Erjon Braçe, pasi Edi Rama ndodhet në Bruksel, ka miratuar vendimin për lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë Erjon Luçi pas 7 vitesh në këtë post. 

Luçi mban gradën Doktor (Phd) nga Universiteti Stadffordshire në Angli (1999-2002), ku ka mbrojtur dizertacionin me titull “Ndërmjetësi Financiar në vendet në Tranzicion me fokus Shqipërinë”. Në po të njëjtin universitet, ai ka marrë gradën Master në Ekonomiks gjatë periudhës 1997-1999.

Luçi ka përfunduar studimet e larta në Ekonomiks, pranë Universitetit të Tiranës, ku është vlerësuar me medalje.  Ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë (2003-2006) dhe pedagog i jashtëm pranë Departamentit të Ekonomiksit, në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Tiranës (1996-2013).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:10
Voskopoja kthehet në 'Ansambël historik urban'

Qeveria i ka dhënë një status të veçantë mbrojtës fshatit të Voskopojës, që është një kompleks ndërtimesh të vecanta me kishat dhe që është deklaruar pasuri kulturore zonë arkeologjikë B si dhe ansambël historik urban. Voskopoja është një atraksion natyror si në dimër dhe në verë. Turizmi zë 70% të aktivitetit ekonomik. Ka disa hotele, bujtina dhe dyqane suveniresh. Pjesa tjetër e aktivitetit ekonomik është kryesisht e fokusuar te blegtoria dhe bujqësia.

Vendimi i plotë
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, dhe të pikës 3, të nenit 62, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Deklarimin pasuri kulturore “Ansambël historik urban” dhe zonës mbrojtëse të tij, të fshatit Voskopojë, sipas koordinatave gjeografike dhe hartës së zonifikimit, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Deklarimin pasuri kulturore “Zona arkeologjike “B””, sipas koordinatave gjeografike dhe të hartës së zonifikimit, bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

4. Ngarkohet ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me propozim të strukturave të specializuara, të përcaktojë zonat mbrojtëse të monumenteve të kulturës, të ndodhura brenda pasurisë kulturore.

5. Vendimi nr.558, datë 1.8.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e Voskopojës “Qendër historike” dhe vënien e saj në mbrojtje të shtetit”, të ndryshuar, shfuqizohet.

6. Ngarkohet Agjencia Shetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi në hartat kadastrale.

7. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ora 17:52
Rehabilitimi i Lanës/ Qeveria 1.6 mld lekë, do ndahen me bashkinë në 3 vite për shpronësimet

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar fondi prej rreth 1.6 mld lekësh, që do të ndahet dhe mbulohet me bashkinë në tre vite për shpronësimet për projektin e rehabilitimit të shtratit të lumit Lana në bashkëpunim me Bankën Europiane të Investimeve.

Qeveria shqiptare së bashku me bashkinë do të mbulojnë pjesën e shpronësimeve, ndërsa më pas ndërtimi do të bëhet nga Banka Evropiane e Investimeve. Përmes kredisë 8 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve synohet të realizohet zgjatimi i bulevardit nga Ura Teknologjike (ku përfundon aktualisht segmenti ekzistues) deri në kryqëzimin me rrugën “Teodor Keko” dhe rehabilitimin e shtratit të lumit Lana po për këtë segment.

Rehabilitimi i lumit Lana në këtë segment dhe ndërtimi i zgjatimit të dy bulevardeve “Bajram Curri” dhe “Gjergj Fishta” pritet që të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e kësaj zone, duke siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme, e cila do t’i shërbejë edhe zonave përreth saj, duke përmirësuar gjendjen tejet të amortizuar të infrastrukturës ekzistuese.

Vendimi i plotë--Shuma sa do të japë qeveria dhe si do të ndahet me bashkinë në vite
1. Financimin në vlerën 1 590 000 000 (një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë) lekë, të bashkëfinancimit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit “Shtrati i Lumit Lana-zhvillim urban”, që do të financohet nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI).

2. Vlera prej 1 590 000 000 (një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë) lekësh, e cila do të përdoret për qëllimin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, do të përballohet 50% nga buxheti i shtetit, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe 50% nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, dhe do të shtrihet në tri vite, si më poshtë vijon:

a) 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekë, për vitin 2021;

b) 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekë, për vitin 2022;

c) 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekë, për vitin 2023.

3. Efekti financiar, sipas shkronjës “a”, të pikës “2”, të këtij vendimi, prej 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekësh, do të parashikohet:

a) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2021 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “Kosto lokale”;

b) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2021 të Bashkisë Tiranë.

4. Efekti financiar, sipas shkronjës “b”, të pikës “2”, të këtij vendimi, prej 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekësh, do të parashikohet:

a) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2022 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “Kosto lokale”;

b) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2022 të Bashkisë Tiranë.

5. Efekti financiar, sipas shkronjës “c”, të pikës “2”, të këtij vendimi, prej 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekësh, do të parashikohet:

a) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2023 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “Kosto lokale”;

b) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2023 të Bashkisë Tiranë.

6. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ENDRI: 29/01/2020 19:00

    GJYNOF QEKA PER CAP BUKE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE