Dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njohja e periudhës së shërbimit si vite kontributi për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për ndihmësit edhe familjarëve. Këto janë dy nga masat kryesore të paketës së re sociale të miratuar këtë të mërkurë nga Këshilli i Ministrave.
Katër vendime të miratuara parashikojnë lehtësime për personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe ndihmësit personalë.
Dyfishimi i pagesës për mbi 10 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara hyn në fuqi me efekte financiare nga 1 korriku dhe synon të ndihmojë me barrën ekonomike të familjeve, si dhe të mundësojë më shumë mbështetje për zhvillimin dhe përfshirjen sociale të fëmijëve. Kjo rritje do t’i kushtojë buxhetit të shtetit këtë vit një shtesë prej 750 milionë lekësh, ose rreth 8 milionë euro.
Paketa parashikon gjithashtu njohjen e periudhave kontributive për rreth 14 mijë e 600 ndihmës personalë, duke filluar nga 1 shtatori të këtij viti. Periudha e shërbimit do të njihet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit edhe 674 milionë lekë, ose rreth 7.2 milionë euro, duke e çuar në mbi 15 milionë euro koston e paketës.
Me këtë vendim synohet të garantohet trajtim të barabartë për ndihmësit personalë dhe të forcojë kujdesin në familje.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me procedurat administrative. Në rastet kur afati i përfitimit është disa vjeçar, nuk do të jetë më e nevojshme paraqitja çdo vit e dokumentacionit mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit. Kjo masë synon të reduktojë burokracitë dhe kostot e panevojshme për familjet.
Sipas qeverisë, kjo paketë përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e politikave sociale dhe një sistemi më gjithëpërfshirës, që garanton më shumë mbështetje, dinjitet dhe përfshirje për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.
Komente











