Kjo protestë kombëtare, në ditën e 42 të tubimit qytetar kundër establishmentit politik dhe dorëheqjes së qeverisë, u mbajt për të treguar një forcë shifrash, në të njëjtën ditë që në Tiranë mbahej koncerti i reperit të mirënjohur amerikane Kanye West.
Organizatorët kishin ditë që bënin thirrje për të bojkotuar koncertin, për organizimin e të cilit akuzonin edhe qeverinë pse investoi 4 milionë euro, për të garantuar zhvillimin e tij. Por thirrja për bojkot dhe grumbullimi në një protestë kombëtare, që në raste të mëparshme është reflektuar me pjesëmarrje të lartë, dështoi.
Paralelisht, jo shumë larg, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës, mijëra të rinj, shqiptarë e të huaj, marshuan jo për protestë, por për t’iu bashkuar shfaqjes së këngëtarit amerikan në “Eagle Stadium”. Larg pritshmërive për protestën kombëtare, aktivisti Arbër Lleshi e sulmoi koncertin dhe vetë artistin me famë botërore.
“Ne jemi rritur mes gëzhojash. Mos harrojmë Gërdecin, 21 janarin dhe aferat korruptive. Infrastruktura është lënë përgjysmë, në fshatin tim rruga nuk bëhet prej 40 vitesh, ndërkohë 4.2 milionë euro shkojnë për një fashist”, tha Arbër Lleshi.
“Fermerët i ka shpallur armiq të vendit. Në vend që të dëmshpërblejë fermerët e përmbytur, shkon i jep 4 mln euro një këngëtari që nuk i hyn njeriu në punë”, tha fermeri.
“Tek pediatria nuk kishte gjenerator dhe karburant. Për interesa personale të dikujt që nuk dua t’ia përmend emrin, 4 mln euro e kusur paguhen për të paraqitur Shqipërinë kështu”, tha protestuesi.
Të zakonshmit e mbledhur para kryeministrisë përsëritën apelin që protesta të mos braktiset.
“Kam 42 ditë që vij këtu, Jam i gatshëm të rri dhe për 420 të tjera derisa sa kjo klasë politike të shporret. Ky sistem nuk na përfaqëson ne, shqiptarët e ndershëm që për 42 ditë po i tregojnë vetës e botës që nuk pajtohen me të keqen”, tha protestuesi.
Në ditën e 42-të të protestës u ritheksuan 5 kërkesat e mëparshme drejtuar qeverisë, duke bërë thirrje për dorëheqjen e Ramës.
Edhe këtë radhë pas fjalimeve protestuesit vijuan me marshimin e përnatshëm në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.
Protestuesit edhe mbrëmjen e sotme kanë ndjekur për të njëjtin itinerar. Pas përfundimit të fjalimeve, ata kanë nisur me marshimin nëpër rrugët e Tiranës.
Një protestuese ka përkujtuar Indrit Carën, i njohur ndryshe edhe si ‘Ushtar Kavaja’, gjatë tubimit të sotëm para Kryeministrisë, teksa sot heroi do të festonte 55-vjetorin e tij.
Gjatë fjalës së saj, ajo tha se nëse Cara do të ishte gjallë, ‘sot do të kishim një hero mes nesh’, teksa shtoi se si Cara, ka shumë shqiptarë që ngrihen për të mbrojtur atdheun.
“Shqiptarët nuk janë ngritur vetëm tani. Gjithmonë kanë treguar shpirtin e tyre të lirisë. Sot do të kishim një hero midis nesh, që do të festonte 55-vjetorin e tij. Por vendosi që në lule të rinisë ta japë jetën për çlirimin e Mëmëdheut tonë, pjesës tonë, Kosovës. Ai është Indrit Cara nga Kavaja, i cili sot do të festonte 55-vjeç dhe në lule të rinisë, 28-vjeç dha jetën për Kosovën”, tha mes të tjerash protestuesja.
Por kush është Indrit Cara, heroi nga Kavaja që dha jetën në moshën 28-vjeçare për çlirimin e Kosovës?
Indrit Cara, i njohur ndryshe si "Ushtar Kavaja", ishte një aktivist dhe ushtarak shqiptar që u bë simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës gjatë Luftës së Kosovës. Ai lindi më 11 korrik 1971 në Kavajë dhe ra dëshmor më 31 mars 1999 në Malin e Gallushës, në zonën e Pashtrikut.
Indrit Cara u rrit në një familje punëtore në Kavajë dhe ndoqi shkollën e mesme ushtarake "Skënderbej" në Tiranë, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera më 1989. Më pas, ai emigroi në Londër, ku jetoi dhe punoi për disa vite.
Në fillim të vitit 1999, Indrit Cara u kthye nga Londra për të marrë pjesë në Luftën e Kosovës. Pas një përpjekjeje të parë të pasuksesshme për të hyrë në Kosovë përmes Kukësit, ai arriti të kalojë në zonën e Pashtrikut, ku iu bashkua Brigadës 125 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Për shkak të përvojës së tij ushtarake, ai u emërua si komandant në këtë zonë.
Më 31 mars 1999, gjatë një beteje të ashpër në Malin e Gallushës, Indrit Cara ra heroikisht në përpjekje për të mbrojtur një pikë strategjike nga sulmet serbe. Ai u varros me nderime ushtarake në fshatin Negroc.
Pas vdekjes, Indrit Cara u shpall "Dëshmor i Kombit" dhe u nderua me medaljen "Luftëtar i Lirisë – Adem Jashari" nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në vitin 2009.
Ish-kandidati i PD për deputet, Ethem Aga, i është bashkuar ditën e sotme protestës së 'flamingove'.
Gjatë fjalës së tij në tubimin para Kryeministrisë, Aga është shprehur se shpopullimi është një nga problematikat më të mëdha me të cilat po përballet vendi ynë.
Aga tha gjithashtu se sot në Shqipëri jetojnë vetëm 2.1 milionë shqiptarë, teksa shtoi se 2.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit.
“Shpopullimi është një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë. Vetëm 2.1 milionë shqiptarë jetojnë në Shqipëri, 2.6 milionë jetojnë në Diasporë. Zbrazja e fshatit është një nga fenomenet më të këqija. Shqipëria nuk është një vend i varfër, por një vend i vjedhur nga politikanët. Edi Rama, o burr i gjatë, o hajdut, o xhepist”, tha mes të tjerash Ethem Aga.
Një protestues, gjatë tubimit të sotëm para Kryeministrisë, teksa kërkoi largimin e Qeverisë dhe të gjithë klasës politike, tha se shqiptarët e kanë mbrojtur gjuhën e tyre kur nuk kanë pasur shtet dhe e kanë mbrojtur flamurin Kombëtar, kur nuk kanë pasur ushtri.
“Gjithmonë kam pasur nderin që të flas këtu. Këto ditë të dashur shqiptar kam parë shpresën që të kthehet, kam parë buzëqeshjen e njerëzve që kanë duruar shumë. Kam parë zemra që rrahin për një Shqipëri me dinjitet, me drejtësi. Në vitin 1991 ne rrëzuam frikën, heshtjen, i treguam botës se shqiptarët kurrë nuk pranojnë të jetojnë pa dinjitet. Ne jemi pasardhës të njerëzve që mbrojtën gjuhën kur nuk kishim shtet, që mbrojtëm flamurin kur nuk kishim ushtri. Kemi mbijetuar sepse kemi pasur në shpirtin tonë lirinë. Kjo protestë është shpirti i lirisë. Ne kërkojmë largimin e klasës politike që e kanë mbajtur peng për 35 vite”, tha një prej protestuesve.
Një fermer i është bashkuar protestës në Tiranë teksa tha se kryeministri Edi Rama ende nuk ka dëmshpërblyer fermerët që u prekën nga përmbytjet ndërsa dha 4 milionë euro për koncertin e këngëtarit të huaj Kanye West.
“Fermerët i ka shpallur armiq të vendit. Në vend që të dëmshpërblejë fermerët e përmbytur, shkon i jep 4 mln euro një këngëtari që nuk i hyn njeriu në punë. Ata fermerë që kanë kërkuar të investojnë në Shqipëri, kanë kërkuar të marrë tokat bujqësore me qira, por jo, ka nxjerrë ligj dhe ua jep të huajve. Janë mbi 300 fermerë që kanë aplikuar për të zgjeruar biznesin ne tyre te ministria e Bujqësisë. Po bëjmë 3 vite që i zvarrit, kërkon dokumente shtesë, se në mesin e protestave, çoi ligjin që tokat bujqësore t’i kalojnë shtetasve të huaj. Të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë së bashku me ministrat e tij. Sot jemi kthyer në vend importues”, tha një protestues.
Aktori Mehdi Malkaj nga protesta tha se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet që i ka dhënë popullit kur ka marrë mandatin.
Mehdi Malkaj: E keni vënë re që kryeministri thotë unë do ta çoj deri në fund se unë kam një kontratë? Në kontratën që kemi bërë bashkë, ai ka thënë mjekësia falas, ku është? Arsimi model ku është? Pensionistët që do gëzonin ku janë? Ku e gjen ai të drejtën t na thotë se çfarë do të bëjmë? Të vijë këtu dhe t’ia tregojmë kush është. Ne jemi populli shqiptar trim. Ne kemi vrarë frikën.
Aktivisti Arbër Lleshi në fjalën e tij para Kryeministrisë tha se protesta ka arritur shumë, por ka ende për të bërë. Ai tha se do të vijohet deri në dorëheqjen e Ramës pasi ai nuk është më kryeministër i shqiptarëve.
“Vetëm në 2 javët e para PE e bëri të qartë se ligji që masakron zonat e mbrojtura duhet anuluar. Kemi akoma shumë për të bërë, na duhet të jemi këtu deri në dorëheqjen përfundimtare të qeverisë më të korruptuar që ka parë Shqipëria ndonjëherë. Bashkimi i shqiptarëve kundër dipolit politik është më i fortë se kurrë dhe po iu kujtojmë sa padrejtësi është bërë ndaj nesh.
Ne jemi rritur mes gëzhojash. Mos harrojmë Gërdecin, 21 janarin dhe aferat korruptive. Infrastruktura është lënë përgjysmë, në fshatin tim rruga nuk bëhet prej 40 vitesh, ndërkohë 4.2 milionë euro shkojnë për një fashist.
Rama nëse nuk ka pasur dijeni për vjedhjet duhet të largohet për paaftësi, në të kundërt të largohet, por në të dyja rastet nuk është më kryeministri ynë. Ministrat dhe deputetët nuk përgjigjen, Parlamenti është bllokuar me hekura si burg. Njerëzit duhet të futen dhe të takojnë deputetët”, tha ai.
Një protestues bëri thirrje nga bulevardi për të vijuar protestën deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndër të tjera ai i bëri thirrje intelektualëve t’i bashkohen protestës për të diskutuar mbi krijimin e një shoqërie të re.
“Jam i gatshëm të rri dhe për 420 të tjera derisa sa kjo klasë politike të shporret. Ky sistem nuk na përfaqëson ne, shqiptarët e ndershëm që për 42 ditë po i tregojnë vetës e botës që nuk pajtohen me të keqen. Pajtohem me 5 kërkesat themelore e mbi të gjitha me atë për dorëheqjen e kryeministrit. Ju që nuk keni ardhur akoma në protestë, mos e shisni lirinë për një thes miell ose për një përfitim financiar nga shteti. Kjo lëvizje ka nevojë për intelektualë, mbështetje juaj me shkrim është e vyer por nuk mjafton. Egoja juaj nuk duhet të bëhet pengesë për bashkimin tonë. Jemi evropianë dhe kemi nevojë për ndihmën e aleatëve, por jemi ne ato që duhet të përpiqemi më shumë për të drejtat tona. Mos e lëshoni frontin, rezistoni dhe duroni. Mos u dorëzoni në këtë betejë”, tha një protestues.
Komente










PO DESHTOJNE SULMET NDAJ HAJDUTIT RAMA ME BANDEN E TIJ.....PERDITE DALIN NE SHRSH DHE RAMA I SHAN...
PërgjigjuPer 4 milion euro do shkoja dhe Une ne koncert
Përgjigju