TIRANË- Për herë të parë, protestuesit kanë bllokuar totalisht qarkullimin në autostradën Tiranë-Durrës dhe rrugën që të çon në drejtim të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Pas mbi 2 orësh fjalime te Kryeministria, protestuesit marshuan në drejtim të autostradës, ku krijuan trafik kilometrik në arterien kryesore që lidh Tiranën me qytetin bregdetar të Durrësit dhe me të vetmin aeroport në vend. Shoferët mbetën të bllokuar në makina, ndërsa qytetarët mund të kenë humbur edhe fluturimet. Të pakën 8 fluturime ishin të parashikuara nga ora prej orës 00.25 deri në 02.55.

Marshimi nisi rreth orës 21:00 dhe zgjati për gati 5 orë. Nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit", protestuesit nën brohoritma marshuan në autostradë dhe pasi mbërritën te mbikalimi i Kasharit u nisën në drejtim të rrugës që të çon në Rinas. Aty, shoferët e irrituar që u bllokuan në trafik i ranë disa herë burive të makinave, por qytetarët vijuan marshimin. 

Dalja nga qyteti i Tiranës u bllokua për orë të tëra, ndërsa i vetmi aks për të lëvizur ishte rruga dytësore. Edhe në aksin hyrës për në kryeqytet u krijua trafik kilometrik. Të tjerë shoferë për të shmangur bllokimin e rrugës, zgjodhën aksin alternativ Thumanë-Kashar, por atje u përballën me trafik të rënduar. Vetëm pas gati 5 orësh marshim, policia ndërhyri duke u zënë pritë protestuesve dhe duke mos e lejuar marshimin deri në aeroport. 

Efektivët krijuan një kordon dhe kishin në gatishmëri dy autobotë me ujë, por në terren nuk pati përplasje. Në 15 ditë protestë, kjo ishte hera e parë që ndërhyri policia, e cila u bëri thirrje qytetarëve që të tërhiqeshin pasi bllokimi i rrugës është i paligjshëm. Fillimisht u has në rezistencë dhe protestuesit u përgjigjën me thirrjet "Rama jepe dorëheqjen", revolucion", por më pas vendosën të kthehen në Tiranë.

Më herët, gjatë protestës pati një moment tensioni te Kryeministria, me protagonistë disa të rinj të maskuar. Kjo është hera e parë që ndodh në protestë një përplasje e tillë, e cila shkoi gati në përplasje fizike, ndërsa u pa tension të protestuesit e tjerë. Nuk dihet pse këta të rinj ishin të maskuar në protestë. 

Momenti i tensionit dyshohet se ka ndodhur mes të rinjve dhe një aktivisti të ‘Shqipëria Bëhet’ të Adriatik Lapajt. Aktivisti po tentonte të mblidhte firma dhe ID-të e disa protestuesve për një kërkesë për referendum që ‘Shqipëria Bëhet’ po i mbledh për shfuqizimin e dy ligjeve, Paketën e Maleve dhe ligji për investimet strategjike. Kjo është refuzuar nga protestuesit, edhe nga mikrofoni i fjalimeve.

Teksa para Kryeministrisë mbahej protesta, deputetja socialiste e Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur i “Neomalësorja” përmes një postimi në rrjetet sociale deklaronte largimin nga grupi i partisë socialiste. Ajo shkroi se do të ishte deputete e pavarur dhe se kufijtë ia diktonin vetëm vlerat e saj, të cilat i ka shprehur para se të ishte në Partinë Socialiste.

Edhe pse Koçeku nuk e shprehte qartë se divorci i saj me socialistët ka lidhje me protestat, në sheshin para Kryeministrisë protestuesit e pritën si triumf.

“Sapo na erdhi një lajm, sot një nga gurët e shahut të PS sapo ka rënë, një deputete ka dhënë dorëheqjen nga partia socialiste. Deputetja e Shkodrës sapo ka thënë që është deputete e pavarur. Kjo është gjysma e punës, gjysma tjetër është të vijë këtu ne shesh me ne dhe së bashku me të të këndojmë “Rama jepe dorëheqjen”, tha qytetari.

Protestuesit sërish një vëmendje të veçantë i kushtuan emigrimit dhe përfaqësuesve nga diaspora. Prej më shumë se dy javësh mesazhet që tejkalojnë protestën për Zvërnecin, shpalosen më së shumti në pankartat dhe memet e veçanta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 02:26
Pasi policia u bllokoi marshimin drejt aeroportit, protestuesit kthehen në drejtim të Tiranës pas më shumë se 5 orë: Nesër më shumë

 

Pas më shumë se 5 orësh marshim në aksin Tiranë-Durrës dhe në rrugën që të çon në drejtim të aeroportit, protestuesit po kthehen në drejtim të kryeqytetit. Vendimi për tu kthyer erdhi pasi policia bllokoi marshimin e tyre pranë aeroportit. Ndërsa vendosën të kthehen, protestuesit bënë thirrje që nesër të mblidhen më shumë.  

Ora 02:23
Efektivët u bllokuan rrugën për në aeroport, protestuesit ulen në tokë: Hiqni kapelet, policia është e jona, jo pronë e Ramës

 

Pasi efektivët u bllokuan rrugën drejt aeroportit të Rinasit, protestuesit janë ulur në tokë dhe thërritën në kor, “hiqni kapelat”, “policia është e jona, jo pronë e Ramës”.

Ora 01:53
Pas gati 5 orësh marshim, policia bllokon protestuesit që të mos shkojnë deri në aeroport! Qytetarët thirrje në kor: Rama jepe dorëheqjen

 

Pas 5 orësh marshim dhe bllokimit total të qarkullimit në autostradën Tiranë-Durrës dhe në rrugën e Rinasit, policia e shtetit ka ndërhyrë dhe nuk ka lejuar protestuesit që të shkojnë deri pranë aeroportit. Ata kanë krijuar një pritë duke mos lejuar kalimin e protestuesve, ndërsa qytetarët në kor thirrën “Rama jepe dorëheqjen”.

Policia u ka bërë thirrje që të lirojnë aksin, sepse bllokimi i rrugës është i paligjshëm. Por, protestuesit ende nuk janë tërhequr. 

Ora 01:29
Protestuesit bllokojnë rrugën e Rinasit, radhë të gjata edhe në Thumanë-Kashar! Makinat ngecin në trafik

Për të shmangur bllokimin e rrugës së vjetër për në aeroportin e Rinasit nga protestuesit, shumë qytetarë kanë zgjedhur të kalojnë nga aksi Thumanë-Kashar. Por edhe aty janë krijuar radhë të gjata makinash dhe trafik. Drejtuesit e mjeteve janë bllokuar tek trau ku bëhet pagesa, për të vijuar më pas rrugën drejt aeroportit të Rinasit.

Ora 01:17
Protestuesit bllokojnë rrugën e aeroportit, ja fluturimet që mund të kenë humbur nga pasagjerët

Rruga drejt aeroportit ndërkombëtar të Rinasit është totalisht e bllokuar nga protestuesit. Për herë të parë ata marshuan nga qendra në drejtim të autostradës Tiranë-Durrës, duke bllokuar makinat në trafik. Mes tyre mund të ketë pasur edhe qytetarë që mund të kenë humbur fluturime të parashikuara prej orës 00.25 deri në 02.55.

Ora 01:01
Autostrada prej 2 orësh e bllokuar, protestuesit marshojnë në rrugën drejt Rinasit! Qytetarët rrezikojnë fluturimet

1781477733_proteste.jpg

Prej 2 orësh, protestuesit kanë bllokuar autostradën Tiranë-Durrës dhe tashmë po marshojnë në rrugën drejt aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Makinat kanë mbetur të bllokuara, duke rrezikuar fluturimet për shumë qytetarë.

Ora 00:28
Radhë kilometrike mjetesh, protestuesit vijojnë marshimin në autostradën Tiranë-Durrës

Protestuesit po vijojnë me marshimin në autostradën Tiranë-Durrës, duke krijuar trafik kilometrik. E vetmja mundësi për të lëvizur drejt Durrësit, është rruga dytësore.

Ora 00:14
Marshimi i protestuesve në autostradën Tiranë-Durrës, ambulanca bllokohet në trafik

Për shkak të marshimit të protestuesve në autostradën Tiranë-Durrës, qarkullimi është bllokuar. Një ambulancë ka mbetur gjithashtu në trafik e për shkak të automjeteve të shumta në rrugë, kalimi është thuajse i pamundur.  

Ora 23:44
Protestuesit ulen për disa minuta në mes të autostradës Tiranë-Durrës, vijojnë përsëri marshimin

Protestuesit u ulën në korsinë në autostradën Tiranë-Durrës. Për herë të parë në 15 ditë, ata kanë marshuar kaq gjatë.  Pas disa minutave pushimi, ata kanë vijuar përsëri me qarkullimin.

Ora 22:40
Protestuesit zgjerojnë hartën e marshimit, bllokojnë autostradën Tiranë-Durrës

Protestuesit mbrëmjen e sotme kanë zgjeruar hartën e marshimit nëpër Tiranë. Në ditën e 15-të, ata kanë marshuar drejt autostradës Tiranë-Durrës duke bllokuar qarkullimin në aksin kryesor në dalje. 

Marshimi po vijon drejt mbikalimit të Rinasit duke bllokuar të gjithë autostradën. Trafik i rënduar paraqitet dhe në hyrje të kryeqytetit nga aksi Durrës-Tiranë.

Faximile e hartës së bllokimit të rrugës deri te mbikalimi i Kamzës

Faximile e hartës që tregon bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës
Ora 20:41
Protestë dhe në Berat, qytetarët thirrje kundër qeverisë (VIDEO)

Disa të rinj në qytetin e Beratit janë bërë bashkë dhe kanë protestuar mbrëmjen e sotme, me flamuj në duar. Ata janë bashkuar në brigjet e lumit Osum dhe më pas kanë marshuar përgjatë lagjen muzeale "Mangalem". Duke marshuar, ata u kanë bërë thirrje të rinjve dhe banorëve të qytetit që të bashkohen me ta për të protestuar kundër kësaj qeveria.

Me tingujt e këngëve patriotike, ata deklaruan se janë në mbështetje të protestës mbarëkombëtare që po zhvillohet në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të vendit dhe kërkuan që të gjithë të ngrihemi për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ora 20:38
Shqiptarët në Mynih ngrihen në protestë me thirrjen ‘Rama jepe dorëheqjen’

Shqiptarët në Mynih janë mbledhur në sheshe publike, duke iu bashkuar protestave që po mbahen në Shqipëri, me thirrje për largimin e klasës aktuale politike dhe ndryshime në qeverisje.

Gjatë tubimit në diasporë janë dëgjuar këngë dhe slogane në mbështetje të protestës, mes tyre edhe “Nuk ka si ty o Shqipëria ime!”, e kënduar njëzëri.

“Rama jepe dorëheqjen”, po ashtu është dëgjuar të thërrasin njëzëri të gjithë shqiptarët e pranishëm, një thirrje që tashmë është kthyer në refrenin e çdo proteste.

Ora 19:52
Pankartat ‘hit’ në protestën në Tiranë, qytetarët shfrenojnë imagjinatën

Pankartat në protestën në Tiranë kanë një vëmendje të veçantë. Qytetarët janë treguar mjaft kreativë duke gjetur një mënyrë sa ironike aq dhe humoristike për të shpalosur pakënaqësitë ndaj qeverisë apo eksponentëve që dominojnë skenën politike në Shqipëri.

Ora 19:46
Koçeku u largua nga grupi i PS, protestuesi: Ra një gur shahu, në shesh derisa Rama të ngelë i vetëm

Një protestues në podium foli për largimin e deputetes Marjana Koçeku nga grupi i PS. Ai tha se nga kjo protestë kryeministri Edi Rama do të ngelë i vetëm dhe të gjithë ‘të vetët’ do të bien një nga një. Në fund të fjalës qytetari tha se Koçeku tashmë duhet t’i bashkohet protestës.

Vetë Marjana Koçeku nuk i ka bërë me dije arsyet e largimit nga grupi i PS.

“Sapo erdhi një lajm që tregon se sa madhe është kjo protestë. Një nga gurët e shahut sapo ka rënë, një deputet ka dhënë dorëheqjen nga PS. Deputetja e Shkodrës Marjana Koçeku sapo ka thënë jam deputet e pavarur. Ju erdhi fundi. Kjo na tregon se ne duhet të qëndrojmë në shesh, ato do të bien një nga një si gurë dominoje. Ne vlerësojmë vendimin e deputetes por themi që kjo është vetëm gjysma e punës, gjysma tjetër është t’iu bashkohet qytetarëve në shesh dhe bashkë me ne të këndojë ‘Rama jepe dorëheqjen’. Ne do t jemi derisa kryeministri të jetë i vetëm, dhe a e dini ku ngelin vetëm, në qeli”, tha një qytetar.

Ora 19:30
Dikush po mblidhte karta identiteti në turmë për një peticion të jashtëligjshëm, tensione në protestë! Të pranishëm persona të maskuar me kapuçë (VIDEO)

Nga podiumi i protestës u lajmërua sa në turmë ka disa persona që në mënyrë të jashtëligjshme po mbledhin karta identiteti dhe firma për një peticion. Në këtë moment në turmë ka pasur tensione ku të përfshirë kanë qenë disa të rinj të maskuar mirë me kapuçë dhe syze të mëdha. Ishte një burrë, i cili po i kërkonte qytetarëve kartat e identitetit për peticionin e supozuar.

Ora 19:13
Emigranti shqiptar nga Suedia në protestë: Kjo është koha e Shqipërisë së re, s’kemi pse ta ndërtojmë të ardhmen diku tjetër

Një emigrant shqiptar nga Suedia iu bashkua protestës para Kryeministrisë, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve që të kthehen në atdhe. Sipas tij, kjo është koha e Shqipërisë së re dhe populli nuk duron më padrejtësi.

“Më bëhet zemra mal kur shoh të rinj që protestojnë, që duan një të ardhme më të mirë. Mos u dorëzoni kurrë. Unë kam jetuar jashtë për 20 vite dhe u ktheva në vendin tim. Nuk kemi pse ta ndërtojmë të ardhmen diku tjetër. Ata që po na detyrojmë të ikin, janë shumë pak, janë një grusht shumë i vogël, ndërsa ne jemi një popull. Le ti shporrim ata, le të ikin ata, jo ne, se ne jemi shumë. Kjo është koha e Shqipërisë së re. Duhet ti japim mesazh kujtdo që vjen pas tyre, populli të jep votën, por populli të heq edhe karrigen. Ky popull nuk duron më padrejtësi. Rroftë Shqipëria e re. Rama në burg, Berisha në burg”, tha ai.

Ora 19:10
Qytetarja nga Gjermania i bashkohet protestës: Rama e skllavëroi këtë popull, nuk e lëshojmë tokën që ta shkeli Trump me këmbë

Një qytetare, e cila banonte në Gjermani mori fjalën në protestën e sotme duke thënë se shqiptarët nuk do ta lëshojnë tokën e tyre, të cilën e kanë mbrojtur me gjak.

“Falënderoj diasporën e Gjermanisë që është aq e fortë duke bërë demonstrata. E skllavëroi këtë popull ky njëri, e masakroni. Ne jemi shqiptarë që do ta sjellim gjithë Shqipërinë këtu. Trump, kjo tokë është lyer me gjak për mijëra shekuj dhe ne jemi bijtë e Skënderbeut dhe nuk do ta lëshojmë këtë tokë që ta shkelni ju me këmbë. Të bashkohen të gjithë gratë revolucionare, nënat me lot në sy se nuk kanë bukë të hanë. Rroftë demokracia. Rama në burg, Berisha në burg”, tha qytetarja, e cila jetonte në Gjermani.