Gjatë prezantimit të programit të PS, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te Kadastra. Rama tha se brenda vitit 2026, do të përfundojë digjitalizimi i plotë i sistemit të kadastrës falë financimit të përbashkët nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian.
Rama tha se kur mori detyrën gjeti vetëm 21 750 legalizime, ndërkohë që gjatë 8 viteve qeverisje kryen 270 mijë legalizime e ky proces synohet të mbyllet brenda vitit 2028.

"Vijmë tek kadastra, problem me të cilin përballemi, përballeni çdo ditë. Brenda vitit 2026, falë edhe financimit të përbashkët tonin dhe të Bashkimit Evropian do të përfundojmë plotësisht digjitalizimin, më në fund. Vite të tëra punë në një kaos, në një anarki, në një rrëmujë, në një çmenduri që nuk e ke kaluar asnjë vend absolutisht të Evropës, nuk diskutohet. Po ashtu, regjistrimi fillestar.
Do të mbyllet i gjithi brenda vitit 2028 dhe nga ai moment gjithçka do të jetë ndryshe, transparente dhe e lexueshme drejtpërdrejt, qoftë nga qytetari, qoftë nga biznesi. Legalizimet: 21750, - se këtë e di përmendësh - ishin në ditën që ne morëm detyrë, tetë vjet këneta nxiti ndërtime pa leje nga të katër anët dhe legalizoi vetëm 21 750. 270 mijë legalizime kemi kryer ne. 270 mijë legalizime deri në fund të 2024 dhe brenda vitit 2028 do të mbyllen edhe ato që kanë mbetur. Ky është synimi", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama shpalos programin: Nga janari 2026, paga minimale 500 euro, pensioni minimal 200 euro! ‘Kryepremtimi’ i PS: 'Paqe fiskale' me biznesin për 3 vite (VIDEO)
SI.E./S.G/Shqiptarja.com

