TIRANË - Ashtu siç kanë vepruar shumë vende të tjera që po përballen me COVID-19, edhe Shqipëria mori sot vendimin që spitalet private të vihen në shërbim të spitaleve shtetërore, qoftë me ambientet për spitalizimin e të prekurve me koronavirus, ashtu edhe me vënien në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor të personelit mjekësor të tyre. 

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje nga ajo se çfarë përmban akti normativ që hyn sot në fuqi në kuadër të masave kufizuese për parandalimin e COVID-19.

Kështu, kush nuk zbaton këtë urdhër gjobitet me 5 milionë lekë, bën të ditur Rama, dhe në rast se nuk binden edhe pas gjobës, strukturat përkatëse do të vendosen forcërisht në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor. E gjithë kjo strukturë që përforcon strukturat dhe bluzat e bardha në frontin e parë kundër COVID-19 do të jetë nën drejtimin shtetëror të strukturës udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit. 

"Akti normativ hyri në fuqi dhe nga sot ka forcën e ligjit deri në përfundimin e luftës. Ndër të tjera:  në varësi të dinamikës së spitalizimit të të prekurve nga COVID-19, me urdhër të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë, vendosen në dispozicion edhe strukturat private spitalore, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës.

Moszbatimi i këtij urdhri dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (5 milionë) lekë. Në rast mosbindjeje pas vendosjes së gjobës, struktura përkatëse vendoset forcërisht në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor dhe personeli përkatës është i detyruar të shërbejë nën drejtimin shtetëror të strukturës gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit", shkruan Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:02
Akti-normativ: 5 milionë lekë pikave të shumicës që rrisin çmimet, 100 mijë lekë pakicës. 6 vjet pezullim të subjektit përsëritës

Çmimi i limonave në një pikë shitje në Durrës

Kush abuzon me çmimet duke shfrytëzuar situatën e emergjencës nga COVID-19 do të gjobitet, e në rast përsëritje do t'i pezullohet veprimtaria me 6 muaj. Kryeministri Edi Rama në detajet e tjera nga akti normativ, tha se pikat e shumicës gjobiten me 5 milionë lekë, ndërsa të pakicës me 100 mijë lekë.

"Rritja abuzive e çmimit të shitjes të të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, në krahasim me çmimin e tyre në shitje të rregullt të tregtuar në muajt paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ dhe për produktet sezonale, sipas çmimit të tregtuar në të njëjtën periudhë kohore të vitit paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, kur nuk vjen si pasojë e çmimit nga importi i tyre, dënohet me gjobën 5 000 000 (5 milionë) lekë për shitjen me shumicë dhe 100 000 (njëqind mijë) për shitjen me pakicë. Në rast përsëritjeje subjektit i mbyllet veprimtaria për 6 muaj", shkruan Rama.