Mblidhet qeveria në Labinot, në fokus masat kundër korrupsionit dhe punësimi për studentët ekselentë (VIDEO)

ELBASAN - Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme kabinetin qeveritar në një takim informal në Elbasan. Ky ishte takimi i parë i qeverisë për vitin 2019-të edhe pse informal. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në këtë takim kanë qenë të pranishëm ministrat e shkarkuar nga Rama dhe ministrat e sapoemëruar pas Asamblesë Kombëtare socialiste të 28 dhjetorit 2018. I pari që u largua nga ky takim ishte ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ndërsa i fundit ishte ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Tematikën e mbledhjes e bëri të ditur vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale. Në fokus të takimit kanë qenë masat kundër korrupsionit, punësimi, zhvillimi i sipërmarrjes private si dhe rekrutimi i studentëve të shkëlqyer në administratën publike. Kjo e fundit ishte edhe një ndër pikat që Qeveria ka miratuar në "Paktin për Universitetin" e cila ka parashikon punësimin e 1000 studentëve ekselentë në administratën publike pa konkurs.

Nuk munguan në këtë takim edhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Teksa zhvillohej mbledhja e qeverisë, jashtë ambienteve një grup militantësh të PD protestuan duke ndezur tymuese dhe lëshuan thirrje kundër kryeministrit Edi Rama (Lexo këtu). 

Mbledhja e qeverisë vjen një javë pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar. (LEXO KËTU) Kryeministri Rama vendosi të ndryshojë 7 ministra dhe të kalojë në postin e zv.kryeministrit, deputetin socialist, Erion Braçe si dhe riktheu Ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin ku u emërua ministre Elisa Spiropali.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:06
Përfundon mbledhja e qeverisë në Elbasan

Ka përfunduar mbledhja e qeverisë në Elbasan. Mbledhja e qeverisë nisi që prej orës 8:30 të mëngjesit të kësaj të shtune. Ky ishte takimi i parë për 2019, megjithëse mbetet një takim informal. I pari që u largua nga takimi ishte ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ndërsa ministri i fundit ishte ai i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Në fokus të takimit kanë qenë prioritetet e qeverisë Rama 2 për vitin 2019.

Ora 12:40
Mbledhja e Qeverisë në Labinot, shpërndahen protestuesit e PD

Shpërndahen mbështetësit e Partisë Demokratike të cilët protestuan jashtë ambienteve ku zhvillohej mbledhja e qeverisë në Labinot të Elbasanit. Gjatë protestës ata ndezën tymuese dhe bënë thirrje kundër kryeministrit Edi Rama.

Ora 12:35
Në krah të Braçes dhe Xhaçkës, Rama publikon fotot nga mbledhja në Labinot

Kryeministri Edi Rama ka publikuar fotot e para nga mbledhja e kabinetit qeveritar në Elbasan. Mbledhja ka nisur që prej orës 10:00 ndërsa po disktutohet për punësimin, masat antikorrupsion, zhvillimi i biznesit si dhe rekrutimi i studentëve ekselentë në administratën publike. Siç duket edhe nga pamjet, Rama është në krah zv/kryeministrit të ri Erion Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ndërsa marrin pjesë edhe ministrat e larguar nga detyra gjatë mbledhjes së Asamblesë socialiste në 28 dhjetor të 2018-ës. 

Mbledhja e Qeverisë sot në Labinot të Elbasanit
Ora 11:51
Rama zbulon detaje nga mbledhja e Qeverisë në Elbasan: Katër çështjet që po diskutohen

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga mbledhja informale e qeverisë në Elbasan. Kreu i qeverisë thekson se në fokus të kësaj mbledhje është rritja e punësimit, nxitja e sipërmarrjes vendase, masat antikorrupsion apo dhe rekrutimi në administratën publike i studentëve me nota 9-a dhe 10-ta. "Ditë diskutimi për sfidat e 2019 sektor për sektor; Në fokus rritja e punësimit dhe sipërmarrjes vendase; përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës së shërbimeve publike; masat e reja Antikorrupsion dhe rekrutimi në administratë i të rinjve me 9-10", shkruan Rama në Twitter.

Postimi i kreut të qeverisë në Twitter

Punësimi i studentëve të shkëlqyer në administratën publike është edhe një prej vendimeve të marra nga qeveria në fund të 2018-ës si pjesë e "Paktit për Universitetin" (Lexo këtu), pas protestës studentore për 17 ditë më radhë në Tiranë dhe rrethe të cilët ngritën 8 kërkesa, ndër to uljen e tarifës së studimeve apo dhe për kushte më të mira në Universitet dhe konvikte. Ndërsa Qeveria u përgjigj me zero tarifa për ekselentët, fëmijët e familjeve në nevojë dhe me aftësi të kufizuara, përgjysmim për të gjithë studentët e tjerë, investimin 27 mln euro në konvikte, kurse anglishtje falas për studentët, bibliotekë online brenda marsit, përfaqësimin e studentëve në bordet e universitetit, transparencë me buxhetin apo dhe nisjen e punës për kartën e studentit (Dokumenti i plotë i paktit për Universitetin).

Ora 10:16
Rama mbledh ministrat në Elbasan, PD e pret me protestë, hidhen tymuese (VIDEO)

Një grup qytetarësh po protestojnë jashtë ambienteve ku po zhvillohet mbledhja informale e Qeverisë në Labinot të Elbasanit. Report Tv mëson se protestuesit janë simpatizantë të Partisë Demokratike. Ata kanë ndezur tymuese si dhe kanë bërë thirrje kundër kryeministrit Edi Rama. Në mesin e tyre ndodhet edhe deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

Ora 10:13
Objektivat dhe sfidat për 2019-ën, nis mbledhja e Qeverisë në Elbasan

Ka nisur mbledhja informale e Qeverisë në Labinot të Elbasanit. Në takim ka mbërritur kryeministri Edi Rama si dhe të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar, përfshirë të rinjtë dhe të larguarit pas Asamblesë së 28 dhjetorit. 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Qytetar: 06/01/2019 16:33

    Nese e ke kuptuar ,e keqja me e madhe eshte korrupsioni ne cdo nivel, prandaj duhet ndryshim i tere drejtoreve e shefave , ata jane baza e korrupsionit. Kete detyre lere ta kryej Brace.

    Përgjigju
  • Saikeq tahiri: 06/01/2019 12:00

    Si mbledhja e cosa nostra duket jo si mbledhje qeverie.makinat secila kushton mbi 100 mije euro kurse njerezit s'kane buke te hane.turp qe vendimet e shtetit te merren neper hotele e restorante dhe jo ne institucione.mjere shqiperia ne duart e kujt ka rene.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së