Zoti Janjiç, si e vlerësoni vizitën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd. A hapi kjo vizitë në të vërtetë një kapitull të ri në marrëdhëniet dyplëshe mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve e serbëve në përgjithësi?
Sigurisht përmes kësaj vizite tashmë u thye akulli në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Me vizitën në Beograd u krijuan kushte dhe rrethana të reja për ngritjen në nivelin më të lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, përkundër incidenteve dhe gafave diplomatike që ndodhen rreth statusit të Kosovës dhe debateve ditore për çështjen e Kosovës. Me shumë rëndësi është se të dy qeveritë u morën vesh për realizimin e shumë projekteve praktike dhe tejet jetike për sa i përket bashkëpunimit. Ai që tashmë dihet dhe që është më i rëndësishmi, ka të bëjë me marrëveshjen për lëvizjen e lirë dhe të ndërsjellë të qytetarëve të të dyja vendeve vetëm me letërnjoftime, pa pasaporta. Kur të kihet parasysh se kjo mundësi tashmë ekziston edhe për qytetarët e Kosovës, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit, atëherë do të thotë se qytetarët serbë përmes autostradës, pa as një pengesë përmes Kosovës do të mund të shkojnë dhe ta vizitojnë Shqipërinë. Mendoj se përparime do të bëhen edhe në tregtinë e jashtme, turizmin dhe posaçërisht në fushën e infrastrukturës dhe energjetikës. Mendoj se ishte një vizitë shumë e rëndësishme që përcolli edhe mesazhe të rëndësishme. Mesazhi kryesor dhe më i rëndësishëm është ai për lëvizjen e përbashkët drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Dhe akoma më me rëndësi, ishte mesazhi për forcimin e bashkëpunimit midis gjashtë vendeve të Ballkanit, në drejtim të ndërtimit të një bashkësie apo organizmi, që thjesht, nuk do të kishte vetëm një treg unik, e që dikush e quan Ballkani 6-të, kurse unë kam dëshirë ta quaj Beneluksi i Ballkanit.
Si e shihni Ju rolin e Kosovës midis raporteve Serbi – Shqipëri? Në konferencën e përbashkët kryeministri Rama foli për pavarësinë e Kosovës, ndërsa këtë kryeministri serb e quajti provokim. Cili është mendimi juaj për këtë? Ishte ky një provokim?
Kjo në radhë të parë ishte rezultat i trashëgimisë nga e kaluara kur kishte marrëdhëniet e ngrira që ekzistonin midis dy vende në kohën e ish Jugosllavisë e më pas Serbisë, dhe si rezultat i kontekstit dhe çështjes së pazgjidhur të Kosovës, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, deri pas luftës në Kosovë. Është absolutisht e qartë që Shqipëria ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe ka lidhje speciale me Kosovën, prandaj kjo nuk ishte dhe nuk është kurrfarë befasie për opinionin në Serbi. Në anë tjetër gjithashtu është e qartë që Qeveria e Serbisë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Me sa unë jam i informuar kontesti ka qenë për faktin se ato që tha zoti Rama, kryeministri serb Vucic nuk kishte qenë i njoftuar më parë, prandaj dhe ishin befasi për të, por edhe ajo situatë u tejkaluar disi. Kosova dhe pavarësia e Kosovës nuk ka qenë temë e atij takimi. Personalisht mendoj se ajo ishte një deklaratë politike, të cilën Rama ka drejtë ta thotë, ashtu siç Vuciq ka të drejt ta thotë qëndrimin shtetëror të Serbisë lidhur me Kosovën. Në këtë rast ka vlejtur rregulla “pajtohemi për të mos u pajtuar” për çështje kontestuese dhe që të bisedohet për çështjet ku ka pajtim dypalësh. Dhe, ajo për të cilën ata u pajtuan, ishte që të respektohen parimet e Brukselit që marrëdhëniet midis dy shteteve të normalizohen plotësisht. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk ka të drejt t’i bëjë trysni Serbisë që ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por të dy vendet mund të punojnë bashkë sipas parimeve bazë të BE-së në realizmin e shumë projekteve, siç janë ato që u përmenden për infrastrukturë etj, që Serbinë do ta ndihmonin ta pranojë realitetin që ekziston. Aktualisht të dy palët, këtë realitet në Kosovë e shohin ndryshe, por për mendimin tim këtu nuk ka asgjë dramatike. Në këtë rast, të dy kryeministrat me qëndrimet e tyre iu përshtatën disponimit të opinionit te brendshëm publik dhe mendoj se të dy në këtë aspekt kanë përfituar. Vucic, ka marrë mbështetjen e atyre që ndoshta do ta kritikonin se e ka tradhtuar Kosovën në bisedime me Ramën, ndërkaq Rama në anën tjetër, më këtë gjest, i tregoi opinionit të vet se kujdeset për kombin shqiptar kudo që jeton ai.
A jeni optimist për marrëdhëniet Serbi - Shqipëri dhe për bashkëpunimin e dy vendeve në të ardhmen?
T’ju them të vërtetën unë besoj në këto marrëdhënie. Këtë besim e kam pasur edhe më herët. Mendoj se pajtimi midis shqiptarëve dhe serbëve, jo vetëm i Shqipërisë me Serbinë, por i shqiptarëve në përgjithësi, përfshirë edhe Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë me serbët, është çelës i paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Ky pajtim midis shqiptarëve dhe serbëve, e ka vlerën e pajtimit që kishte pajtimi midis gjermanëve dhe francezëve, që ishte shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Evropës. Sa më parë që të arrijmë këtë pajtim, aq më parë do të shmangim mundësinë për luftëra dhe konflikte të tilla që kanë përcjellë dy popujt në të kaluarën. Sipas meje, është shumë me rëndësi që kjo të fillojë me veprime konkrete, pragmatike dhe praktike, gjë që të dy popujt do t’i çojë më pas në mirëkuptim dhe njohje më të mirë të ndërsjellë dhe pranimin e realitetit ekzistues.
Marrë nga RTK
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)