Rama nderon medalistët e Lojërave Olimpike: Ftoj më shumë sportistë të huaj të garojnë me fanelën e Shqipërisë, pa i ndryshuar emrin as ngjyrën (dhe një mesazh për hudhrat)

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e Mirënjohjes për medalistët e Lojërave Olimpike, teksa ndau edhe çmimet dhe njoftoi zgjidhjen e çështjes së shpërblimeve për ta sipas ligjit të miratuar nga Qeveria në vitin 2021, u hapi derën të gjithë sportistëve të huaj që nëse kishin dëshirë të vinin dhe të garonin me Shqipërinë në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai dha edhe çekun financiar për dy fituesit e medaljeve të bronzta në Lojërat Olimpike në Paris, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, si dhe trajnerin e mundjes, Sahit Prizreni. 

Kreu i qeverisë foli gjatë për rrugën e sportit, se si dikur Shqipëria, nga një vend që i iknin sportistët dhe fitonin medalje olimpike me vende të tjera, si shembulli i Greqisë, tani fton dhe pranon spirtistë të huaj dhe fiton medalje të rëndësishme me ta.

Teksa kritikave të ndryshme të atyre që ai i quajti “hudhra” dhe specifikoi se “shyqyr që i kemi”, kryeministri iu përgjigj me shifrat e numrit të titujve të fituar nga të gjitha disiplinat në të gjitha garat që nga viti 2021 dhe ditën e sotme, pra në tre vjet. Janë në total 538 medalje të fituara nga të gjitha disiplinat në të gjitha moshat, teksa vuri theksin edhe tek sporti i peshëngritjes, i cili nuk arriti rezultat këtë herë, por përmendi se ka fituar gjatë vitit 2024 jo pak por 12 medalje, mes tyre 5 ari, 6 argjendi dhe një bronzi.

Rama premtoi publikisht mbështetjen financiare dhe ligjore në vijim për të mbështetur zgjerimin e sporteve në të gjitha disiplinat, pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të sportistëve të huaj, por duke shtuar se “ne nuk kemi buxhetin që kërkon Fideli dhe as atë që kanë SHBA-të”.

Por teksa përmendi edhe arritjet e Luiza Gegës, ai theksoi bindjen se edhe në të ardhmen rezultatet në sporte do jenë të larta. Në fund edhe ftesa e veçantë për sportistët e huaj që të afrohen nëse kanë pasion dhe dëshirë për të garuar dhe fituar medalje ndërkombëtare apo kombëtare me Shqipërinë, “pavarësisht emrit, vendit nga vijnë, ngjyrës së lëkurës apo gjuhës”.

“Natyrisht mirëpresim edhe të tjerë sportistë nga vende të tjera të botës. As duam t’ua ndryshojmë emrin (i referohet Greqisë me sportistët shqiptarë pas vitit 90-të), as ngjyrën e lëkurës, pavarësisht vendit nga vijnë, as gjuhën, e madje edhe ju e keni mësuar gjuhën shqipe dhe mund ta mësoni shqipen me shpejt se ç’mund ta mësojnë italianët”, tha Rama.

Në fund ai u dha medalistëve edhe nga një certifikatë financiare vërtetësie për shpërblimin që u garantohej me ligj, 50 millionë lekë nga vendimi i Qeverisë, duke u sqaruar se kjo certifikatë jepet për të vërtetuar ligjshmërinë dhe siç tha ai “nëse të vjen Policia Tatimore, t’ua tregosh se e ke origjinale”.

 Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama:

Është kënaqësi e veçante që sot jemi këtu në këtë ceremoni të veçantë për të nderuar 2 përfaqësues të skuadrës tonë olimpike, që i dhanë edhe dy medaljet e para olimpike shqip në historinë e saj.

Por unë do përfitoj nga rasti të them edhe dy fjalë për rrugëtimin e bërë deri këtu.

Sepse këto medalje nuk janë të rëna nga qielli, por rezultat i një rruge të re transformimesh që kanë nisur në mbështetje të sportit dhe fal mundësisë që është krijuar për qeverinë me zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të Komitetit Olimpik shqiptar, që na ka dhënë një partner jashtëzakonisht këmbëngulës dhe pasionant dhe e ka kthyer marrëdhënien e Komitet me Qeverinë në strategjike dhe në funksion të mirëqenies dhe bashkëpunimit të përbashkët.

Mora këtu një vendim të qeverisë së Shqipërisë, i cili daton në Dhjetor të 2021 dhe mbështetet në ligjin për sportin të vitit 2017, ku qartësisht synimi ishte që të çonim në një nivel tjetër mbështetjen për sportistët dhe që të krijonim një klimë tjetër shumë të favorshme, për të gjithë ata që duan të zhvillojnë talentin e tyre në sport dhe që kanë mundësi t’i japin Shqipërisë satisfaksione të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Dhe këtu dua ta lidh edhe faktin që sot ne nderojmë dy sportistë të jashtëzakonshëm që s’kanë lindur në Shqipëri, të cilët s’e kanë filluar karrierën e tyre në Shqipëri, të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për të vazhduar të ushtrojnë pasionin e tyre dhe për të synuar majat me të larta të botës në disiplinën e tyre.

Dhe kjo është e rëndësishme, sepse Shqipëria nga një vend që braktisej nga bijtë e vetë, sepse s’i garantonte dot as ushqimin dhe humbiste njëri pas tjetrit potenciale që ktheheshin medalje ari për vendet fqinje, është kthyer në një vend që mund të adaptojë dhe sigurojë sportistë që vijnë nga vende të tjera.

Dhe sigurisht po të ishte Shqipëria e djeshme askush s’do vinte të adaptohej në këtë vend e të garonte për të.

Por sot kanë një arsye për të ardhur, sidomos për sportet individuale olimpike, kjo e mbështetur jo vetëm në bindje opinione personale, por në fakte, se Shqipëria ka arritur një mbështetje, se është më të sigurtët dhe tërheqësit në rajon dhe më gjerë, edhe për shkak se vende të tjera kanë shumë disiplina që shkëlqejnë dhe nuk është se shkëlqejnë në lloje sportesh të tjera, që kanë audiencë më të vogël.

Në këtë mënyrë ne kemi arritur t’i japin të gjithë atyre që djersisin më shumë se gjithë të tjerët në arenën e betejës sportive, mundësinë të stërviten në kushtet optimale, por edhe në jetën e tyre pas aktivitetit sportiv.

Sot Shqipëria u ofron sportistëve, edhe atyre që duan të ngjiten më lart, kushte që kurrë më parë s’i kanë pasur.

Nga ana tjetër kam marrë këtu me ndihmën e Fidelit këtë tufë letrash për informacion, për të gjithë ata që dhe ne e dimë shumë mirë se Shqipërisë, asnjëherë s’iu mungon urdhra për t’u marrë më sysh dhe se ka shqiptarë që dalin e flasin për keq, por në kuptim tjetër duhet adresuar çështja e hudhrave dhe çështja e këtyre hudhrave ishte se këto s’ishin medaljet tona, s’ishin medaljet e Shqipërisë, apo e një rruge, pune dhe përpjekjesh, apo e bashkëpunimi të të gjitha forcave për t’ia dalë.

Se këto ishin medalje që erdhën nga dy djem të ardhur nga larg, që u gjenden rastësisht këtu dhe në rrugë kapën autobusin e skuadrës olimpike, shkuan në Francë, dolën atje u rrahën me ca të tjerë dhe morën medaljet.

Këtu janë medaljet e Shqipërisë në kampionatet e Shqipërisë, në kampionate të ndryshme europiane, mesdhetare, ballkanike, turne ndërkombëtarë, nga 2021 deri në 2024. Dhe në këto tre vite Shqipëria ka marrë 538 medalje.

Natyrisht që janë medalje, e përsëris të niveleve të ndryshme, e ku të gjithë shqiptarët e të gjitha moshave, kanë garuar e të tjerë në Ballkanin e vogël, Europë, ndërkombëtare dhe kanë sjellë 538 medalje. Janë medalje të një lëvizje sportive që është vënë në lëvizje në Shqipëri.

Më vjen jashtëzakonisht mirë të them se po të shohësh medaljet e peshëngritjes, federata punon shumë e dëgjohet pak dhe më pas harrohet, nga injoranca apo qëllimisht ndonjëherë dhe për faktin se i ka sjellë Shqipërisë numër të konsiderueshëm medaljesh.

Dhe në medaljet e 2024 Federata e Peshëngritjes i ka sjellë Shqipërisë 5 medalje ari në kampionatin europian meshkuj-femra, të rinj e të reja. 6 medalje argjendi kampionati europian nga vendet e gjithë botës. Dhe 1 medalje bronzi, në total 12 medalje të këtij viti.

Këtu kam edhe 3 vitet e tjera, por s’po ju lodh. Këto medalje janë dallëndyshet e para që do sjellin të tjera.

Në sigurisht që s’jemi superfuqi apo fuqi në sport, për t’u vendosur para përgjegjësisë që të vijnë me baule me medalje nga olimpiada, por jemi vend që për 23 vite, deri kur kemi ardhur në qeveri, kishte ndërprerë fiskulturën, 23 vite në këtë vend s’është bërë fiskulturë e të gjithë mësuesit e fiskulturës ishin lënë rrugëve dhe disiplinat sportive ushtroheshin nga pasioni i jashtëzakonshëm i njerëzve që donin të mbanin gjallë sportin.

Një vend ku numri i palestrave ishte sa gishtat e dy duarve e në gjithë Shqipërinë, ndërkohë që sot në mënyrë të përmuajshme, vazhdojnë hapen palestra që janë me qindra dhe ku kemi mbi 10 mijë fëmijë që stërviten sot në mënyrë organizuar, që kanë trajnerë dhe mjekë sportivë, të gjithë analizat dhe dosjet e tyre dhe ndiqen nga komitet olimpik në futboll a basketboll.

Ne mbase nuk do shohim medalje në basketboll, mbase nuk do shohim emra të njohur, por kjo lëvizje është një lëvizje që do sjellë satisfaksione, por ne kemi arritur që të bëjmë të lumtur sportdashësit edhe në kompeticione të nivelit të lart evropian.

Po ashtu ne sot kemi në mundje disa sportistë që kanë medalje olimpike, por unë jam i bindur që ata do sjellin me vete edhe shumë të tjera pas.

Frymëzimi dhe motivim është histori e provuar e stërprovuar kur shohin se nga vendet e tyre dalin heronj që kthehen në kombëtare, është i pazëvendësueshëm me asgjë. Nëse ka sot Greqia sportistë që garojnë në olimpiadë dhe fitojnë medalje, i detyrohen edhe dallëndysheve shqiptare.

Luan Shabani kur i solli Greqisë medaljen e artë, nuk i tha njeri që ky s’ishte i joni, por e detyruan ta bënte edhe emrin sikurse s’e ke.

Këtyre dy djemve u urojmë të na sjellin të tjera medalje dhe janë njësoj si ata që kanë lindur në Shqipëri, qytetarë të barabartë dhe patjetër që askush s’na ndalon dot që të jemi krenarë për medaljet e tyre.

Por janë medalje të shumta në boks, medalje të shumta edhe në turne ndërkombëtarë të sporteve të tjera, të cilat nuk po zgjatem, por po them vetëm kaq, të ndërtosh një konkurrencë sportive, e cila arrin të ngjitet në nivele konkurrimi.

Se Luiza Gega këtë herë nuk solli medalje, por ishte atje dhe nëse nesër do kemi atletë më shumë që të marrin kaq sa mori ajo këtë herë dhe për Luizën nuk është gjë që na ka mësuar, kjo do jetë gjë e madhe për Shqipërinë, se është gjithë planeti atje.

Se Shqipëria të jetë në 8-she, 16-she apo 32-shen e vendeve që shkojnë në afër finales, është mision absolutisht i përmbushur. Natyrisht që hudhrat tona donin të rrihnin Spanjën, Italinë, Kroacinë dhe të vinin këtu me kupën e kampionatin evropian.

Dhe shyqyr që i kemi, se po mos kishim ata, s’do kishim marrë asnjë pike atje.

Por kjo tregon se jemi në rrugën e duhur, hap pas hapi do ndërtojmë botë sportive shqiptare, e t’i japim mundësi fëmijëve që të garojnë.

Nuk do bëhen gjithë kampionë, por sa më shumë të ketë fëmijë, aq më shumë do largohen nga qorrollepsjet nga TikTok-rat dhe ato broçkullat e tyre, që të krijojnë idenë se mund të fitosh kampionatin me lojra e FIFPRO, duke ngrënë patate të skuqura dhe pas çdo ndeshjeje ngrihesh 1 kg më i shëndoshë.

Në fund dua të them atë që Fideli tha se në lojërat e ardhshme shkojmë për të kërkuar më shumë. Kjo është legjitime, por kërkon mbështetje dhe organizim më të mirë, por edhe ajo që Fideli tha se lidhet me federatat, që janë drejtpërdrejt mbartëse potenciali, se mund të marrin më shumë medalje dhe ka shumë mundësi. Siguroj se do mbështesim planin e Fidelit, por të mbështesësh 100 për qind këtë plan, duhet të kesh buxhetin e SHBA-ve për sportin.

Por unë besoj se edhe Fideli s’e mohon dot që qeveri si kjo për sportin, s’e ka pasur kurrë sporti më parë dhe se s’do ta gjejë më.

Se minimalisht duhet të kesh vizion dhe ne e kemi, duhet pasion dhe ne s’na mungon dhe kur s’e kemi, është Fideli që e kemi si doping natyral. Dhe duhet patjetër edhe mbështetje

Kështu që të gjitha këto që ne besoj se i kemi, t’i vëmë në dispozicion të federatave e sportistëve dhe për ta filluar që nga të vegjlit që marrin medaljet, që përmenda këtu, në mënyrë që shoku Elez (Federata e Peshëngritjes) ta vazhdojë konkurrencën pozitive me Fidelin dhe që rrjedh që nga koha kur garohej se kush ishin më të mirë apo të shkathët, mundësit apo peshëngritësit.

I lutem dy djemve dhe do kisha dëshirë të ishin 3, sepse ai që theu akullin i pari nga të tre, nuk e mori medaljen këtë herë, por të jemi të qartë bashkë që nga të tre, tifoz personale unë jam i joti (i drejtohet mundësit pa medalje), se kur fiton tifozët personalë bëhen shumë dhe puna është t’i kesh kur s’fiton dot dhe ti për fat të keq u more mësysh me atë fitore të madhe të kampionatit, se hudhrat ishin pa përgatitur për t’ju mbrojtur. Por tani që fituan këta dy, hudhrat i keni me vete dhe t’ju marrin të keqen.

Tani që jeni me ne, jemi krenarë dhe na vjen mirë që ndiheni mirë me fanellën e Shqipërisë dhe duam që jo vetëm të jeni frymëzim, por edhe të ndihmoni të tjerë t’i stërvisni, frymëzoni dhe t’u jepni prespektivë.

Natyrisht mirëpresim edhe të tjerë sportistë nga vende të botës, as nuk duam të ndryshojmë emrin, ngjyrën e lëkurës apo gjuhën, madje ju keni mësuar gjuhën shqipe, dhe mund ta mësoni shqipen me shpejt se ç’mund ta mësojnë italianët.

Ftoj medalistët të marrin çmimet (i drejtohet njërit prej tyre): Të japim edhe këtë (certifikata e çmimit financiar, shpërblimi i qeverisë), që nëse vjen Policia Tatimore, të tregosh se e ke origjinale.

Për trajnerin e mundjes kam dy fjalë (e fton në podium Sahit Prizrenin). Ky figura ka meritë të veçantë, se me ka mbyt me mesazhe për këta dy shokët dhe sa herë i dilja para, më kapte dhe më thoshte a do bëhet a jo?

Ishte fjala për shpërblimet dhe duhet ta them hapur se kishte ngërç për kanalet burokratike, sepse këta këtu kishin emra të çuditshëm dhe diskutohej si do bëhej me këta dhe pastaj u zgjidh”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:03
Veliaj u dorëzon çelësat e apartamenteve dy medalistëve olimpikë! Rama-Seit Prizrenit: Erioni e mban gjithmonë fjalën

 

Chermen Valiev dhe Islam Dudaev ishin dy heronjtë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Paris 2024. Dy mundësit, që përfaqësuan Shqipërinë, morën nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj çelësat e apartamenteve të reja, 2+1, në kryeqytet, sikurse u ishte premtuar.

“Si drejtues i Bashkisë dhe i Klubit Sportiv Tirana, kjo është një medalje jo aq e vlefshme sa të tjerat, por është një ogur i mirë që të martoheni, të shumoheni dhe të prodhoni më shumë kampionë të tjerë. Do të takohemi pa u mbyllur shtatori edhe për Zelimkhanin, të cilin gjithashtu duam ta shohim banor të Tiranës. Besoj se si fillim (apartament 2+1), për të filluar një familje të re është një lajm i mirë dhe Zelimkhani do na bashkohet shumë shpejt”, tha Veliaj.

Gjatë ceremonisë, nuk munguan dhe batutat mes Seit Prizrenit, kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Veliaj.

Batutat

Sahit Prizreni: Dua të falenderoj presidentin e KOKSH-it, në veçanti kryetarin e bashkisë, si një suportues kryesor përmes Klubit të Tiranës, edhe pse akoma nuk e ka dhënë për një premtim të mbajtur për apartamentet e djemve tanë.

Rama: Përmende kryetarin e bashkisë që nuk mbajti fjalën, por u nxitove një çikë, se ai e mban gjithmonë fjalën.

Prizreni: Fjalën e mbajti. Akoma nuk e ka dorëzuar e kisha fjalën.

Rama: Aaaa, që nuk ka sjellë apartamentet me vete këtu?

Prizreni: Vetëm çelësat.

Veliaj u dorëzon çelësat.

Rama - Prizrenit: Tani ti duhet t’i shoqërosh këta dhe t’i shohësh vetë, se ti jeton me dyshime dhe mund të kujtosh se janë dy çelësa të së njëjtës derë.

Prizreni: Jam prej atyre që besoj dhe besoj shumë.

Rama: E di, por ke pas besuar shumë gabim, prandaj kam hall mos gabon prapë me këtë besim që ke.

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjergj: 04/09/2024 18:27

    Proletarè tè tè gjitha vendeve, bashkohuni. Edi i Kristaqit ka dalè nga shtèpia sot, me bindjen se SHQIPTAR NUK LINDESH POR BÈHESH. Ejani, proletarè çeçenè dhe taxhikè. Nè rast nevoje, del ai qè iu ftojè, edhe me dajre nè Rinas, pèr t,iu uruar mirèseardhjen. Do iu marrè nè shtèpinè e tij nè Surrel. Aty, do mèsoni shqipen dhe do keni po ashtu mundèsinè, tè shihni me vepra qè edhe ata me dajre apo me def, mund tè bèhen kryeministra.

    Përgjigju
  • sapa: 04/09/2024 16:32

    Po pse me mercenare do e besh shqiperine o KRYELEGEN?

    Përgjigju
  • asolingo: 04/09/2024 13:29

    E çuditeshme nje gje skuptoj,keta dy atletet u quajten heronj se moren medalje kallaj dhe moren apartament,Ilir Meta vodhi floririn dhe e bene president,Sali Berisha vrau preu eshte me 4 bodigarde po ue çduhet te bej qe te me japin te drejten time se me shkaterruan jeten te majte e te djathte???

    Përgjigju
  • abc: 04/09/2024 12:48

    DO QR TI MARRESH SPORTISTET GATI NGA JASHTE,,SE PARATE PER ZHVILLLIMIB E SPORTIT KETU N,E SHQIPERI DO TI VJEFHESH,,,DHE FUSHAT E FUTBOLLIT DO TI BESH PALLATE....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e 11 Majit 2025/ Tabaku: Të rinjtë, në ballë të betejës për fushatën e PD-së

Zgjedhjet e 11 Majit 2025/ Tabaku: Të rinjtë, në ballë të betejës për fushatën e PD-së