Në fjalimin e tij në Bordin e Paqes, kryeministri Edi Rama solli në vëmendjen botërore gjyqin në Hagë ndaj 4 ish-liderëve të UÇK-së, për të cilët prokuroria ka kërkuar nga 45 vite burg. Rama kërkoi nga presidenti Trump të bëhet diçka përpara se gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido thotë se pjesëmarrja në Bordin e Paqes do t'i sjellë benefite Shqipërisë.

Në emisionin "Frontline" në Report Tv, Bido u shpreh se kryeministri Edi Rama i kërkoi drejtpërdrejt presidentit amerikan, Donald Trump influencën e tj politik për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në Hagë.

Sipas Bidos, në përfundimin e mbledhjes së Bordit të Paqes, mes Trump, Ramës dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani u diskutua kjo çështje.

"Kemi të bëjmë me një panoramë të benefiteve direkte që i vijnë kombit tonë. Jemi në moment të rëndësishëm sa i përket UÇK, çështjes shqiptare në rajon, që nëse do kemi dënim të 4 krerëve të UÇK, do të kishte trysni artificiale. Kryeministri bëri një fjalim, i kërkoi drejtpërdrejt presidentit influencën e tij për këtë çështje. Leximi i parë që bëj, kemi të bëjmë me deklaratë të fortë dhe kërkesë për influencë. Pas mbledhjes, Rama me Osmanin me presidentin Trump, po diskutonin për këtë çështje. E kam si informacion, por edhe duket në fakt nga leximi i buzëve të kryeministrit dhe presidentes Osmani. Pjesëmarrja, mbyll këtë historinë e retorikës së brendshme, mendoj se shqiptarët janë të qartë te retorika boshe e opozitës. Kemi një opozitë që drejtohet nga një njeri që është non grata nga SHBA", tha ai.

Ish-drejtori i policisë, Shemsi Preçi tha se Rama nuk foli asnjë fjalë për Shqipërinë, dhe mori kauzën që duhet të kishte presidentja Osmani,

"Takimi më ngjasoi si takimi i një trajneri me pjesën e ekipit që është në stol të revervave, ku trajneri thotë na duhet fitore patjetër, ndërkohë në fushë luan ekipi i pare. Ekipi i pare mungonte, Europa, anëtarët e NATO-s, nuk ishin në takim, ata që kanë peshë specifike për paqen në botë. Rama e shfrytëzoi për batuta. Më bëri përshtypje, nuk foli asnjë fjalë për Shqipërinë. Mori kauzën që duhet ta kishte Vjosa Osmani, për të ngritur çështjen e drejtuesve të UÇK. M’u duk si ato grupet kriminale te dosja “”Plumbi i Artë”, që të vrasin natën dhe ditën vijnë të varrosin. Rama ka nxitur për të ngritu Gjykatën Speciale. Ai ka dashur të bëjë udhëheqësin global", nënvizoi Preçi.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Faik Basha tha se vlerëson politikën e jashtme të kryeministrit. Basha shtoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë gjithmonë në krah të SHBA-ve.

"Sa i përket Bordit të Paqes, e vlerësoj politikën e jashtme që ka luajtur kryeministri i vendit. Është bërë presion i jashtëzakonshëm për mospjesëmarrjen e Shqipërisë dhe Kosovës në këtë Bord. Europa ka dashur të jetë e bashkuar në këtë drejtim. Shqipëria duhet të jetë symbyllur, dhe Kosova njëkohësisht, atje ku është SHBA, duhet të jenë atje, pa e menduar fare se për çfarë dhe sesi. Ne me SHBA nuk kemi çfarë diskutojmë. Ne duhet të jemi aty ku kanë nevojë ato, e kemi detyrim historik dhe ekzistencial. Pllakat tektonike të gjeopolitikës kanë lëvizur, po bëhet pozicionim i ri i fuqive globale. OKB e ka humbur funksionin e saj, nuk ka arritur të zgjidhë asnjë konflikt. Na hoqi dyshim që pas orës dy prisnim helikopterë, pamë që erdhi një avion, e mori kryeministrin dhe e çoi atje, u qetësuan shumë njerëz", deklaroi Basha.

Ish-kandidati për deputet i PD, Aulon Kalaja theksoi se Rama nuk duhet të përmendte vetëm emrin e Hashim Thaçit në mbledhjen e Bordit të Paqes, por edhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

"Për mua një lajm i mirë ndodhi sot, u përmend çështja e UÇK. Do doja që kryeministri të mos përmendte vetëm emrin e Hashim Thaçit, por të përmendte emrat e 4 personave. A ia vodhi Vjosa Osmanit, nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që u hodh kjo çështje", u shpreh Kalaja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:23
'Rama kthehet sot në Shqipëri'! Bordi i Paqes, gazetarja nga Uashingtoni: Mediat amerikane pasqyruan 3 momente kryesore nga mbledhja

Gazetarja Klementina Cenkollari deklaroi se mediat amerikane e kanë pasqyruar mbledhjen e sotme në Uashington, për Bordin e Paqes.

Në një lidhje live nga Uashingtoni për "Frontline" në Report Tv, Cenkollari u shpreh se kryelajmi në mediat amerikane, ishte paralajmërimi që Trump i dha Iranit, për armët bërthamore.

“Pothuajse të gjitha mediat amerikane janë përqënduar në 3 momente kryesore, sa i përket Bordit të Paqes. Mbështetja financiare, 10 miliardë dollarë nga SHBA dhe 7 miliardë dollarë nga vendet e tjera. Elementi i dytë, ka qenë pikëpyetjet që kanë shoqëruar, si do jetë ky bord përballë OKB? Shumë udhëheqës botëror dhe diplomatë kanë qenë të shqetësuar se kjo nismë e re synon të lërë në hije OKB. Zoti Trump e adresoi këtë element, ku tha se do të vijojë mbështetja financiare ndaj OKB, por se Bordi i Paqes do të mbikëqyrë këtë organizëm. Çështja e tretë, që ka qenë kryelajm edhe në media, ishte paralajmërimi që Trump i dha Iranit, një afat 10 ditor, për të arritur marrëveshje për programin bërthamor, përndryshe do të rrezikonte veprimin ushtarak", tha Cenkollari.

Sipas saj, në mediat amerikane u pasqyrua fakti që një pjesë e liderëve lavdëruan presidentin Trump dhe nuk u diskutua për Bordin në thelb.

"Veç asaj që u pa zyrtarisht, ajo çfarë është adresuar nga mediat, ishte përmbajtja e fjalimeve të një pjese të liderëve botërore, që sipas mediave amerikane, u përqëndruan në lavdërime mbi presidentin Donald Trump dhe aftësinë e tij për t'i dhënë fund luftërave. Çështja tjetër, lidhet me faktin që zoti Trump mbështeti publikisht udhëheqës të vendeve të tjera që përballen me zgjedhje në vendet e tyre repektive. Mbetet ende e paqartë, mund të përmend se mënyra si po kontribuojnë vendet dhe se kur e kanë bërë publike kontributin e tyre, 7 prej tyre e njoftuan ditën e sotme kontributin fnaicinar, të tjera që do kontribuojnë me forca ushtarake, kanë zgjedhur ta njoftojnë sot. Shqipëria dhe Kosova janë mes 5 vendeve që do dërgojnë trupa. Në total duhen 12 mijë policë dhe 20 mijë trupa në Gazë", nënvizoi gazetarja.

Cenkollari tha se Rama do të largohet sot nga Uashingtoni dhe do të kthehet në Shqipëri.

"Shqipëria nuk ka marrë vendim se sa trupa do të dërgojë. Mund të ketë pasur takime në kuadër të takimit të Bordit të Paqes. Aty merrnin pjesë afro 50 udhëheqës botërore. Udhëtimi i Ramës drejt kryeqytetit amerikan ka pasur vetëm një synim, Bordi i Paqes. Sikurse më është njoftuar zyrtarisht, kryeministri Edi Rama e lë sot Uashingtonin dhe kthehet në Shqipëri", theksoi ajo.