Kryeministri Edi Rama ndodhet në Britani të Madhe, ku zhvilloi për herë të parë një vizitë zyrtare. Ai takoi homologun e tij, Rishi Sunak, me të cilin kanë biseduar për çështje të ndryshme por në fokus ishte emigrimi. Në përfundim të takimit ranë dakord për të çuar përpara prioritetin e përbashkët në për emigrimin e paligjshëm dhe bandat kriminale të trafikimit të njerëzve. 

Ata diskutuan rritjen e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë komunikimet e përbashkëta të nivelit të lartë për të frenuar udhëtimin e njerëzve dhe marrëveshje të mëtejshme për shkëmbimin e të dhënave dhe pasaportat.

Kur Sunak e priti në zyrën e tij në Downing Street, Rama u shpreh se po bashkëpunojnë për të goditur grupet kriminale duke shtuar se është e rëndësishme që të sigurohet se komuniteti shqiptar ndihet i sigurt në Britani. Teksa i referohej atyre që mbërrijnë me gomone, Rama i krahasoi me figura të njohura si Dua Lipa duke thënë se të dy janë emigrantë shqiptarë që punojnë e kontribuojnë për Britaninë.

Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak i kujtoi marrëveshjen mes 2 qeverive vitin e kaluar duke thënë se është bërë progres në ndëshkimin e emigracionit të paligjshëm. Në fund të takimit, ata ranë dakord që një ekip i përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë,  një proces që do të përfundojë deri në fund të prillit, me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar.

Në tavolinën e bisedimeve, Kryeministri Rama dhe Kryeministri Sunak vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve, të cilat këtë vit shënojnë 100 vjetorin e tyre, dhe shprehën vullnetin e përbashkët për t’i thelluar ato në të ardhmen, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në mënyrë të veçantë në luftën kundër sulmeve kibernetike. Ata do të vijojnë bisedën dhe diskutimet për emigrantët e paligjshëm shqiptarë.

Kryeministri Rama e ka cilësuar si “një moment shumë, shumë të turpshëm për politikën britanike” mënyrën se si emigrantët shqiptarë janë veçuar për qëllime politike në Mbretërinë e Bashkuar nga Suella Braverman dhe ministra të tjerë. Rama tha për programin Today të BBC Radio 4 se është thelbësore që marrëdhëniet mes dy vendeve të mos përcaktohen nga disa “mollë të kalbura” dhe se me Sunak shpreson që marrëniet mes dy vendeve t'i çojnë në një nivel tjetër.

“Fatkeqësisht ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë të veçohen në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike,” tha ai për programin Today të BBC Radio 4.

Fillimisht Rama zhvilloi një takim në London School of Economics,  për të krijuar një “Task Force” të përbashkët për të drejtat e punonjësve, kontratat e përbashkëta të punës, arsimin profesional dhe politikat rreth emigrimit. Më pas Rama u ndal në një takim me kreun e Dhomës së Komunëve, Lindsay Hoyle. Të premten është programuar edhe një takim mes ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi me homologen britanike Suella Braverman.

Kjo vizitë e Ramës në Britani, vjen në një kohë kur Britania e Madhe ka hartuar një ligj të ri për emigrantët, të cilët nëse futen në Britani të Madhe në mënyrë ilegale do t’i kthejnë brenda disa javësh në atdheun e tyre, ose në vende të treta si Ruanda. Ndërkohë, emigrantëve të paligjshëm që kthehen do t’iu ndalohet përgjithmonë hyrja në Britani. Një ligj i tillë prek edhe emigrantët shqiptarë, të cilët shkojnë në në Britani përmes rrugëve të paligjshme, kryesisht me gomone.

Çështja e emigrimit të shqiptarëve në drejt Britanisë së Madhe pati nxitur një debat të madh, për shkak të deklaratës së ashpër të sekretares së Brendshme Britanike Suella Braverman, e cila i cilësoi shqiptarët që shkojnë drejt Britanisë me gomone, si kriminelë dhe pushtues. Kjo nxiti edhe reagimin e madh nga ana e shqiptarëve në Britani të Madhe, të cilët organizuan edhe protestë të madhe në Londër, ku i kërkuan që Braverman të kërkonte ndjesë për deklaratën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:39
Përfundon takimi dypalësh i Ramës me Sunak, deklarata e përbashkët: Ekipi i përbashkët do vlerësojë kapacitetet e burgjeve në Shqipëri, procesi mbaron në fund të prillit

1679602524_finalprojekt.00022308.Still021.jpg

Takimi dypalësh mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak ka përfunduar. Kryeministri Edi Rama u prit sot nga Kryeministri britanik Rishi Sunak në Downing Street në kuadër të një vizite më të gjerë të kreut të qeverisë shqiptare në Londër. Të dy kryeministrat shprehën ambicien e tyre të përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, bashkëpunimin në adresimin e kërcënimeve globale dhe rajonale dhe forcimin e partneritetit dypalësh.

Ata vunë në dukje potencialet e mëdha për rritjen e marrëdhënieve tregtare, investimeve dhe në fushën e teknologjisë, ndërkohë që  Kryeministri britanik Sunak mirëpriti sërish kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar të Britanisë së Madhe në jetën britanike. 

Si aleatë në NATO, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe partnerë të ngushtë, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak riafirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për të punuar së bashku për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve të të dy vendeve, mbrojtjen e demokracisë dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe një përgjigje të fuqishme ndërkombëtare ndaj agresionit nga Rusia. Kjo do të përfshijë ndihmën e mbrojtjes kibernetike shqiptare përballë kërcënimeve në internet.

Kryeministrat e dy vendeve u angazhuan për thellimin e punës në kuadër të Deklaratës së Përbashkët dhe Task-Forcës për të cilat u  ra dakord në dhjetor, për të çuar përpara prioritetin e përbashkët në adresimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të trafikimit të njerëzve. 

Ata diskutuan rritjen e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë komunikimet e përbashkëta të nivelit të lartë për të frenuar pikësëpari udhëtimin e njerëzve dhe marrëveshje të mëtejshme për shkëmbimin e të dhënave dhe pasaportat. Dy kryeministrat përshëndetën progresin e deritanishëm, pasi rreth 800 emigrantë të paligjshëm janë kthyer në Shqipëri që prej muajit dhjetor, veprimet kundër krimit të organizuar dhe udhëzimet e reja të Mbretërisë së Bashkuar që përcaktojnë Shqipërinë një vend të sigurt. 

Për bashkëpunimin në drejtësinë penale, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak përshëndetën punën e përbashkët në vijim për ekstradimet, ndjekjet penale dhe kapacitetet e mjekësisë ligjore dhe ekstradimin e qindra të burgosurve në bazë të marrëveshjeve ekzistuese.

Ata ranë dakord që një ekip i përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë,  një proces që do të përfundojë deri në fund të prillit, me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar.

Në fund, të dy kryeministrat mirëpritën progresin në bashkëpunimin e biznesit dhe bashkëpunimin universitar, duke përfshirë hapjen e Dhomës së re Britanike të Tregtisë në Shqipëri, dyfishimin e fondit të gatishmërisë për përballimin e rrezikut të tregut për financimin e eksporteve britanike për Shqipërinë në 4 miliardë stërlina, për lehtësimin e investimeve dhe thellimin e lidhjeve mes universiteteve të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ora 19:28
Rama-britanikëve: Ai djali që vjen nga Shqipëria me varkë është si Dua Lipa, që erdhi si emigrante! Shqiptarët këtu vijnë të ndërtojnë, të këndojnë për ju

 

Kryeministri Edi Rama ka dhënë mesazhin e tij për britanikët. Në takimin me Sunak është shprehur se ata që kalojnë kanalin e La Manshit me gomone janë njësoj si këngëtarja e famshme Dua Lipa që shkoi si emigrante në Britani dhe tani punon e këndon.

“Ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu”, tha Rama.

Ora 18:51
Biseda me Sunak, Rama: Po bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale, dua të sigurohem që komuniteti shqiptar ndihet i sigurt këtu

 

Në bisedën e parë me kryeministrin britanik, Edi Rama ka përmendur emigrantët e paligjshëm duke thënë se në bashkëpunim po bëjnë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale ndërsa theksoi se do të sigurohet që komuniteti shqiptar ndihet i sigurt në Britani.

"Jam shumë i nderuar! Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike dhe jam falënderues për këtë. Është një moment i veçantë ky për bashkëpunimin. Siç e thatë, ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve.

Në të njëjtën kohë dua t’ju falënderoj për mundësinë që të theksoj se ashtu siç, jo të gjithë britanikët janë “James Bond” apo “Mr. Bean”, ashtu edhe jo të gjithë shqiptarët janë personazhe që dalin nga “Taken”.

Ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu.Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për tu luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë. Më duhet të them që prej një kohe të gjatë ndihem se ka vërtetë një angazhim serioz jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga ana juaj dhe pres me padurim që të bëj më të mirën sëbashku me ju.Faleminderit sërish e dua dhe t’ju ftoj të vini në Tiranë, në Shqipëri sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë qysh prej Ëinston Churchill." – u shpreh Kryeministri Rama.

Ora 18:19
Rishi Sunak pret në zyrë Ramën: I lumtur për progresin që kemi bërë me emigrimin e paligjshëm! Do bashkëpunojmë edhe në fusha të tjera

 

Kryeminstri Edi Rama është pritur nga homologu britanik Rishi Sunak në Downing Street. Sunak ka përmendur menjëherë çështjen e emigrantëve të paligjshëm duke thënë se ndihet i lumtur për progresin e bërë ndërsa i ka theksuar se ka dëshirë që të diskutojë për ekonominë dhe për sigurinë kibernetike.

“Është kënaqësi e madhe t’ju uroj mirëseardhjen në Mbretërinë e Bashkuar, në Doëning Street sot. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria qartazi kanë tashmë një partneritet të fortë dhe presim me padurim të thellojme këtë marrëdhënie me ju sot. Por po kështu ka më shumë kjo marrëdhënia jonë për të folur, që është forcimi i bashkëpunimit tonë ekonomik, tregtisë, sigurisë, sidomos lufta kundër sulmeve armiqësore dhe kibernetike me të cilat është përballur Shqipëria. Vitin e kaluar kemi nënshkruar një komunikatë për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me progresin e bërë në këtë drejtim.” – u shpreh Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar gjatë takimit.

Ora 17:42
Rama takohet me kryeministrin britanik, Rishi Sunak! Report Tv sjell pamjet nga takimi

 

Kryeministri Edi Rama takohet me kryemiministrin britanik, Rishi Sunak. Report Tv sjell pamjet nga takimi. 

Ora 17:05
Takimi me kryeparlamentarin britanik, Rama: Hoyle shprehu shqetësimin për retorikën kundër shqiptarëve! Vlerësoi rolin tonë ndërkombëtar

 

Kryeministri Rama ka dhënë detaje nga takimi që zhvilloi sot në Londër me kryetarin e Dhomës së Komunëve, Lindsay Hoyle.

“Takim me Kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle, i cili shprehu keqardhje për retorikën shqetësuese ndaj shqiptarëve dhe duke nënvizuar domosdoshmërinë e luftës së përbashkët kundër rrjeteve kriminale, theksoi vlerat e pamohueshme të komunitetit shqiptar në Britani, si edhe ngriti lart rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shkruan Rama krah fotove.

Ora 14:50
Vizita në Britani të Madhe/ Rama takim me kryetarin e Kuvendit

 

Në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kreun e Dhomës së Komunëve, Lindsay Hoyle. Në foto vihet re se Rama është i shoqëruar nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith.

Ora 14:12
Rama-britanikëve: Ashtu si ju nuk jeni vetëm 'Mr. Bean', as ne nuk jemi vetëm 'Taken'

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Britanisë ku do të takohet edhe me homologun britanik Rishi Sunak. Kreu i qeverisë ka dhënë një intervistë për “Today” të BBC Radio 4, këtë mëngjes.

Gjatë kësaj interviste, Edi Rama dënoi retorikën e përdorur nga politikanët e vendit ndaj emigrantëve shqiptarë në Britani.

“Ashtu si Britania nuk është James Bond apo Mr. Bean, edhe nuk jemi vetëm “Taken”, u shpreh Rama duke iu referuar filmit të Liam Neeson ku shqiptarët portretizohen si trafikantë të qenieve njerëzore.

‘Kështu, ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm dhe japim kontributin tonë me shoferë, kuzhinierë, profesionistë të sektorëve të ndryshëm, ndërtim, madje edhe këndojmë për ju djema! Nuk është thjesht çështja të mbërriturve me gomone. Është një çështje komplekse e cila lidhet me aspiratat e tyre për një jetë të sigurt në këtë pjesë të botës.

Nuk jam këtu për të komentuar ligje të cilat kanë ndezur opinionin tuaj publik dhe debatin këtu. Jam këtu për të provuar dhe për të kaluar mesazhin se Shqipëria është një vend tejmase i bukur, po rritim turizmin, dhe më shumë britanik, europianë po vizitojnë vendin tonë.’- tha ndër të tjera Rama.

Ora 12:21
Edi Rama intervistë për BBC Radio në Londër, kritikon gjuhën e Braverman për emigrantët shqiptarë: E turpshme

 

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka kritikuar Sekretaren e Brendshme, Suella Braverman, duke e quajtur veçimin e emigrantëve nga Shqipëria si një moment “të turpshëm” për politikën britanike.

Edi Rama, i cili ndodhet në Britani për bisedime me Rishi Sunak, tha se komentet e Bravermanit vitin e kaluar për "kriminelët shqiptarë" që kaluan me varka të vogla në Kanalin e LaManshit, mund të konsiderohen vetë krim.

“Fatkeqësisht, ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë duke u veçuar në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike,” tha ai për programin Today të BBC Radio 4, shkruan 'The Guardian'.

Vërejtjet e Braverman ishin një "pikë e ulët", tha ai, duke shtuar se vullneti politik për të kapërcyer përkeqësimin e marrëdhënieve ka mbetur.

“Ajo që është thënë nga anëtarët e kabinetit, duke filluar me sekretarja e brendshme, [është] veçimi i komunitetit tonë, që nuk është diçka që ju bëni në qytetërimin tonë dhe është diçka që nuk përfaqëson fare Britaninë, ” tha ai. “Ne gjithmonë do të refuzojmë ta kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë, sepse dhënia e një vule etnike krimit në vetvete është krim”.

Braverman zemëroi shumë shqiptarë me komentet e saj për qytetarët e tyre në parlament tetorin e kaluar. “Nëse Laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në Britaninë e Madhe, do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin totalisht besimin e popullit britanik në kontrollin e sovranitetin tonë”, u tha ajo deputetëve.

Sekretarja e Brendshme u akuzua gjithashtu për përdorimin e gjuhës nxitëse kur tha se bregdeti jugor i Anglisë po pushtohej nga azilkërkuesit. Në konferencën e partisë konservatore ajo tha: "Shumë prej tyre pretendojnë se janë trafikuar si skllevër modernë... e vërteta është se shumë prej tyre nuk janë skllevër modernë dhe pretendimet e tyre për trafikim janë gënjeshtra."

Rama, një anëtar i qendrës së majtë i grupimit socialist dhe kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013, tha se ishte "shumë i kënaqur" me sjelljen e Sunak. “Ne kemi vendosur një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çdo gjë që duhet të përjashtohet nga marrëdhëniet tona dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, por në të njëjtën kohë duke u siguruar që disa mollë të kalbura të mos përcaktojnë komunitetin shqiptar këtu dhe marrëdhëniet tona.'- tha ai.

I pyetur për Boris Johnson, kryeministri shqiptar zbuloi se e kishte parë paraqitjen e tij përpara Dhomës së Komuneve.

Ai tha se ”me Borisin kemi pasur marrëdhënie të mira. Më vjen shumë keq për të. Do të doja të mos e kishim parë siç e pashë dje, në një moment vërtet shumë të vështirë për dikë që ka qenë në krye të politikës britanike”.

Ora 11:48
Rama takim në ‘London School of Economics’: Të krijojmë ‘Task Forcë’ të përbashkët për të drejtat e punonjësve

Kryeministri Edi Rama ndodhet për vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe. Kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim në London School of Economics,  për të krijuar një “Task Force” të përbashkët për të drejtat e punonjësve, kontratat e përbashkëta të punës, arsimin profesional dhe politikat rreth emigrimit

‘Londër - Në prestigjiozen London School of Economics për të krijuar një “Task Force” të përbashkët për të drejtat e punonjësve, kontratat e përbashkëta të punës, arsimin profesional dhe politikat rreth emigrimit.’- shkruan Rama.