Turi me diasporën! Rama në Athinë: Greqia hoqi ligjin e luftës me Italinë me ne e mban! Absurditet, t'i zgjidhim çështjet si europianë jo si ballkanas

ATHINË-  Mes shqiptarëve që kishin mbushur plot sallën “Christmas Theater” në stadiumin 'Galatsi' në Athinë, dhe flamujve kuq e zi që valëviteshin kryeministri Edi Rama nisi sot (12 maj 2024) turin e takimeve me diasporën që do të vijojë më pas në shtete të tjera ku ka shumë shqiptar.

Tubimi nisi me himnin shqiptar dhe atë të Bashkimit Europian ndërsa në fjalimin që zgjati gati 1 orë kryeministri shqiptar bëri thirrje për një histori të re të marrëdhënieve Shqipëri - Greqi ku çështjet e mbetura pezull mes dy shteteve fqinje të zgjidhen si europianë dhe jo si ballkanas syleshë.

Duke nisur nga heqja e ligjit të luftës dhe pasojat e këtij ligji që lidhet kryesisht me pronat e shqiptarëve çamë.

" Po iku edhe shekulli XX, po vjen mesi i dekadës së tretë të XXI, dhe në vend se Shqipëria dhe Greqia të ishin sot një kundërpeshë triumfi e fqinjësisë së kthyer në një aset strategjik, gjeopolitik në panoramën e Ballkanit dhe një shembull tërheqës për të gjithë fqinjët e tjerë ... në tryezën e marrëdhënieve tona ndërshtetërore, rri akoma në fuqi ligji i luftës së Greqisë me Shqipërinë.  Ai ligj i 10 nëntorit 1940 përcakton ç’bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte dhe po atë ditë me dekret mbretëror ligjërohet që gjendja e luftës më Italinë dhe me Shqipërinë. Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatin e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhojë pasojat e ligjit të luftës, mbeten në fuqi sot e gjithë ditën megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Po si ka mundësi në mes dy shtetesh që kanë nënshkruar një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO prej 15 vjetësh, të mos jetë shfuqizuar akoma gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë? tha Rama.

Siç kishte premtuar nuk tha asnjë fjalë për çështjen e arrestimit të Fredi Belerit.  Për minoritetin grek në Shqipëri pranoi se kanë probleme aq sa kanë të gjithë shqiptarët. E theksoi fort se kurrë nuk i është mohuar e drejta e gjuhës, pronës apo besimit.  

Ata grekët e Shqipërisë kanë halle, kanë probleme pa diskutim. Ne duhet dhe do të bëjmë ende më shumë për ta, por e vërteta e madhe jashtë fushës së vogël të lojërave politike me topin katror ballkanik është se asnjë hall dhe asnjë problem i tyri nuk është i ndryshëm nga hallet dhe problemet e gjithë qytetarëve shqiptarë. Nuk i është mohuar asnjëherë e drejta e besimit, e gjuhës apo e pronës. Kurrë, asnjëherë dhe në asnjë rast. Kurrë në asnjë rast nuk i është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës së tyre etnike.

Ngriti zërin dhe për respektim dhe kujdes reciprok që shteti grek duhet të bëjë shqiptarëve atje të cilët ndër vite iu desht të përballen me jo pak sfida:  Nga operacionet fsheha të deportimeve, përballja me racizimin, e arrogancën e fqinjit të pasur kundrejt atij të varfrit dhe përpjekjet për të dalë nga errësira e mbijetesës për të qënë ata që janë sot qytetarë të barazvlefshëm të Greqisë. 

"Ju erdhët luftuat dhe fituat. Mos e harroni kurrë me ligj dhe me zakon Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve.  Ju sot keni këtu shtëpitë tuaja, dyqanet, bizneset, fëmijë të mirë-shkolluar në sistemin arsimor të Greqisë, keni rrethin tuaj miqësor ku greku e shqiptari nuk dallohen më, kontributet tuaja në ekonominë greke me punën e ndershme dhe me taksat që i paguani shtetit grek. Bashkë me grekët ju shqiptarët jeni europianët e Greqisë.

Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër ndaj Greqisë përveç respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombësit që jetojnë në të dy shtetet tona, marrëdhënieve reciproke të miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë dhe jo vetëm kaq.  Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik"

E në kohën kur jetojmë qeveritë e dy vendeve duhet të ulen të zgjidhin çështjet që të mos zvarriten më, për tu kthyer në 'mollë sherri' sa "herë hapen tezgat e pazareve elektorale" .

"Kemi 30 vjet ku duket sikur mezi presim të djegim jorganin për një plesht. Mund të kishim mbjellë, korrur në këto 30 vite shumë më tepër fryte suksesi të përbashkët, si fqinj, miq, si aleatë, duke përdorur mundësitë, pasuritë energjitë tona, për të rritur mirëqenien e dy popujve tanë.   Vendimmarrësit e këtij vendi sot e kanë të plotë vetëdijen se Greqia ka nevojë për ju njësoj siç ju keni nevojë për Greqinë. Greqia dhe shqiptarët e Greqisë janë bërë të pazëvendësueshëm për njëri-tjetrin. Kush akoma e dyshon këtë të vërtetë, dyshon diellin që lind çdo ditë ndërsa kush i kundërvihet kësaj të vërtete, i bie me kokë pasqyrës kur sheh vetëm veten' tha Rama. 

Mes thirrjes për ta lënë pas nacionalizmin e shekujve të vjetër, i dërgoi dhe një 'pusull' homologut grek, Mitsotakis, të cilin e shoqëroi kur vizitoi Dropullin në tetor 2023.  etër ishin vargjet e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri shkruar në greqisht në vitin 1886

"Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, duam me të gjithë fqinj sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, me rend dhe paqe, le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi mjaftojnë tiranitë që kemi kaluar, është koha e miqësisë dhe lirisë. Shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë! Rroftë Shqipëria, rroftë Europa demokratike. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe vëllezërit e tyre grekë dhe haptë një faqe të re vëllazërie, rendi europian dhe paqeje me prosperitet mes Greqisë dhe Shqipërisë”, tha Rama

Kryeministrin Mitsotakis e vlerësoi si 'bashkëbiseduesin më të hapur të këtyre 10 viteve" ndërsa ftoi opozitën të ketë qasje tjetër 

Sot miqësisht u them, se kur kanë ndërmend të përmendin Shqipërinë e të komentojnë qëndrimet e socialistëve të Shqipërisë do u ndihmonte në formimin e opinionit të tyre sa më korrekt dhe një komunikim i drejtëpërdrejtë me sivllezërit e tyre në Tiranë. 

Pensionet dhe shtetësia greke ishin dy lajme të mira që Rama kishte për shqiptarët në Greqi.

Pritja madhështore

Shqiptarët i bënë një pritje madhështore kryeministrit Rama në në sallën “Christmas Theater” në stadiumin 'Galatsi' në Athinë ku valëvitej flamuri kuq e zi. Ndërsa fjalimi i tij u ndërpre disa herë nga duartrokitjet.

 “Mirë se ju gjej në shtëpinë tuaj të dytë në Greqinë fqinje e mike” e nisi fjalimin Rama dhe e mbylli duke u përulur para tyre.

Gabime unë mund të kem bërë plot deri këtu në këto 10 vite, i kërkoj ndjesë për çdo gabim, por kurrë në asnjë rast nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë edhe njëherë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm. Nuk ka nder më të madh që mund t’i bëhet një njeriu në jetë se sa të udhëheqë vendin e tij. Nuk ka forcë materiale në këtë botë, fuqi politike, ekonomike, financiare, individ apo shtet që më josh apo detyron të përkulem për të përfituar për veten pas shpinës suaj, për të cenuar interesat publike dhe private të shqiptarëve që unë nuk i njoh

Nuk mund të mos i përgjigjej dhe zhurmës që vizita e tij bëri në mediat greke

Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar ata do të kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barazvlefshëm të Greqisë demokratike dhe në Europën demokratike. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, vec respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombasit që jetojnë në të dy shtetet tona marrëdhënieve reciproke të miqësisë e fqinjësisë së mirë' tha Rama.

Kryeministri ishte shoqëruar nga një delegacion i gjerë prej 100 ministrash dhe deputetësh. Fjalën në podium e mbajtën dhe ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi dhe ambasadorja shqiptare në Athinë Luela Hajdaraga.  

Takimi ishte konceptuar dhe si një koncerti festiv me këngëtarë si Era Rusi e Noizy. Ndërkohë 50 gazetarë shqiptarë kanë shkuar në Athinë për të pasqyruar aktivitetin.

Pas Athinës Rama do të jetë në Milano, Londër dhe Duseldorf për t’u takuar me shqiptarët që jetojnë në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.

Ndiqni te gjitha lajmet poshte te renditura sipas zhvillimeve

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:33
Rama pas takimit me emigrantët: Sot shfaqëm dëshirën për të hapur kapitull të ri vëllazërimi e paqeje me Greqinë

1715535301_rama.jpg

Shqipëria dhe Greqia të bëjnë për popujt e tyre atë që popujt kanë bërë për njëri tjetrin përgjatë historisë. Me këtë mesazh e mbyll kryeministri Edi Rama vizitën në Greqi ku takoi emigrantët shqiptarë. Ndërsa ka ndarë një foto me dy këngëtarët Era Rusi dhe Noizy, të cilët performuan në stadium, Rama shpreh falënderime për  të gjithë shqiptarët që siç thotë ai u derdhën lumë drejt stadiumit ‘Galatsi’.

Të gjithë ata që ishin të pranishëm në Stadiumin Galatsi, Rama thekson se u bënë shembëlltyra e një zemre gjigande shqiptare, që rrahu anembanë vendit fqinj. E pikërisht kjo shëmbëlltyrë, shton ai, e ka shfaqur Shqipërinë me krenari dhe dëshirë e fortë për të hapur një kapitull të ri vëllazërimi, rendi europian e paqeje me prosperitet me Greqinë.

“FALEMINDERIT NGA ZEMRA! *Para nisjes për Tiranë nga Athina, pas përjetimit në çdo qelizë të frymës së thellë të atdheut mes shqiptarëve të Greqisë dhe me ndjenjën më të hatashme të mirënjohjes, për të gjithë ata që u derdhën lumë drejt Stadiumit Galatsi, ku u bënë shëmbëlltyra e një zemre gjigande shqiptare, që rrahu anembanë vendit fqinj, duke e shfaqur sot Shqipërinë me të gjithë krenarinë legjitime të bijve e bijave të saj dhe me dëshirën e fortë për të hapur, sipas porosisë së Naimit tonë një kapitull të ri vëllazërimi, rendi europian e paqeje me prosperitet me Greqinë, ku realiteti i ri që ka krijuar afirmimi qytetar i shqiptarëve të Greqisë, si edhe realiteti i afirmuar i grekëve të Shqipërisë, na e ka vënë mu përpara syve ftesën e urtë për ta parë të shkuarën përmes të ardhmes, e jo më anasjelltas, nëse duam bashkarisht që më në fund, Shqipëria dhe Greqia të bëjnë për popujt e tyre, atë që popujt e tyre kanë bërë për njëri-tjetrin përgjatë historisë. UNË BESOJ”, shkruan Rama.

Ora 13:43
Rama ndjesë publike nga Athina: Në 10 vite kam bërë gabime, por në asnjë rast s'kam shitur interesat e shqiptarëve

 

Kryeministri Edi Rama, nga Athina tha se në 10 vite mund të ketë bërë shumë gabim, ndërsa kërkoi një ndjesë publike. Në fjalën e tij, ai theksoi se asnjëherë nuk i ka tradhtuar shqiptarët dhe se nuk ka cenuar interesat kombëtare të Shqipërisë.

Shumë të dashur miq, motra dhe vëllezër rrofshi që më nderuat kaq shumë. Jeni shembull, energji, forcë për mua. Unë nuk kam si ta hap zemrën dhe trurin tim që ju të hyni dhe të shihni vetë ca ka brenda, po unë nuk iki dot sot pa u thënë edhe dy fjalë.

Gabime unë mund të kem bërë plot deri këtu në këto 10 vite, i kërkoj ndjesë për çdo gabim, por kurrë në asnjë rast nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë edhe njëherë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm. Nuk ka nder më të madh që mund t’i bëhet një njeriu në jetë se sa të udhëheqë vendin e tij. Nuk ka forcë materiale në këtë botë, fuqi politike, ekonomike, financiare, individ apo shtet që më josh apo detyron të përkulem për të përfituar për veten pas shpinës suaj, për të cenuar interesat publike dhe private të shqiptarëve që unë nuk i njoh, por Edi që ata më njohin mua apo për të përkulur majat e paprekshme të interesave kombëtare të Shqipërisë. Falë jush kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe nuk besoj se do kem një më të bukur se kjo.

Ora 13:30
VIDEOLAJM/ Rama ulet në gjunjë para shqiptarëve në Athinë, përqafim nga bashkëshortja

Në përfundim të takimit me emigrantët shqiptarë në Greqi, kryeministri Edi Rama në shenjë falënderimi u ul në gjunjë para emigrantëve.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij Linda Rama i dhuroi një përqafim.

Ora 13:23
Rama mesazh Mitsotakis me poezinë e Naim Frashërit: Dua t’i lë një pusullë meqë nuk e takova! Të mos bëhemi armiq, koha e miqësisë

 

Në mbyllje të fjalimit të tij në Athinë, kryeministri Rama tha se dëshiron që t’i lëri një mesazh kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis duke qenë se nuk e takoi. Teksa përmendi një nga poezitë e Naim Frashërit ‘Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve', Rama tha se është koha e miqësisë.

“Në emrin tuaj dua ti lë një pusullë mikut tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi, Mitsotakis. I dashur Kyriakos në vitin 1886 poeti ynë Naim Farshëri shkruajti në greqisht vjershën e tij, dëshira e vërtetë e shqiptarëve, duam me të gjithë fqinj sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, me rend dhe paqe, le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi mjaftojnë tiranitë që kemi kaluar, është koha e miqësisë dhe lirisë, shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë, rroftë Shqipëria, Zito Ellada, rroftë Europa demokratike. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe vëllezërit e tyre grekë dhe haptë një faqe të re vëllazërie, rendi europaian dhe paqeje me prosperitet mes Greqisë dhe Shqipërisë”, tha Rama.

Ora 12:59
'Opozita i fryn pa sukses borive të nacionalizmit', Rama: Ti zgjidhim çështjet si europianë largpamës, jo ti zvarrisim si ballkanas sylesh

 

Nga Greqia, kryeministri Rama kërkoi qartë që dy vendet të zgjidhin çështjet si dy vende europiane.

"E vërteta është miqtë e mi se tek kryeministri aktual i Greqisë kam gjetur bashkëbiseduesin më të hapur të këtyre viteve por është e pamundur të mos jua them se qasjen dhe opinionet e sivëllezërve tanë të majtë të opozitës greke e kam pasur shumë të vështirë ti kuptoj vecse luftë e brendshme politike. Por nuk është puna ime tju jap mend, edhe pse jemi në një familje politike europiane, as e drejta ime të ndërhjyj në punët e tyre, aq më tepër kur në Shqipëri kemi  një opozitë që bën të njëjtën gjë.

Sa herë merret me punët e jashtme të Shqipërisë duke iu fryrë pa sukses borive të nacionalistëve. Por sot miqësisht u them, se kur kanë ndërmend të përmendin Shqipërinë e të komentojnë qëndrimet e socialistëve të Shqipërisë do u ndihmonte në formimin e opinionit të tyre sa më korrekt dhe një komunikim i drejtëpërdrejtë me sivllezërit e tyre në Tiranë. 

Kam besim se më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë është e gjitha para, këtë besim e kam të armatosur me gatishmërinë që ne t’i zgjidhim të gjitha çështjet si europianë largpamës të shekullit të ri. Jo të vazhdojmë ti zvarrisim si ballkanas sy lesh të shekullit të vjetër, për ti kthyer pastaj në mollë sherri sa herë hapen tezgat e pazareve elektorale", tha Rama. 

Ora 12:50
Rama nga Greqia: Kemi 30 vjet që duket sikur mezi presim të djegim jorganin për një plesht, mund të kishim korrur më tepër suksese

 

Kryeministri Rama nga Greqia tha se dy vendet në 30 vite mund të kishin korrur më shumë suksese, dhe të ishin bërë shembull reflektues për vendet e tjera në Ballkan. Rama tha se kanë 30 vjet që duket sikur mezi presim të djegim jorganin për një plesht.

“Kemi 30 vjet ku duket sikur mezi presim të djegim jorganin për një plesht. Mund të kishim mbjellë, korrur në këto 30 vite shumë më tepër fryte sukses të përbashkët, si fqinj, miq, si aleatë, duke përdorur mundësitë, pasuritë energjitë tona, për të rritur mirëqenien e dy popujve tanë, në vend se të hyjmë nga një cikël stinor në një tjetër, nga ngërçi në ngërç, ku pas vjeshtës vjen dimri dhe pasi vjen pranvera që zgjat shumë pak, nuk vjen vera asnjëherë”, tha Rama.

Ora 12:46
Rama në Athinë krahason operacionet “Fshesa” me shpërnguljet e çamëve

 

Në një nga fjalimet më të drejtpërdrejta që një kryeministër shqiptar ka mbajtur në Greqi, Edi Rama përmendi presionet dhe dhunën ndaj shqiptarëve që emigruan në Greqi në fillim të viteve 90. Kur përmendi operacionet “Fshesa” që organizoheshin nga Greqia asokohe, Rama bëri një paralelizëm me dëbimin e çamëve nga trojet e tyre.

U përballët me gjithfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Bëtë nga dy tre punë në ditën që nuk mbaronte, duke zbutur urinë me një pjatë në ditë për të vënë mënjanë lekët e dy vakteve të pangrëna. Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX, kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t'ju depërtuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me përdhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë.

Fjalimi i tij u përshëndet me duartrokitje të forta. 

Ora 12:37
Rama kujton vuajtjet e emigrantëve në Greqi: Ndërruat emrin që u kishte vënë nëna, fëmijët tuaj kishin vetëm një faj, vinin nga foleja e shqipes dy krenare! Luftuat dhe ia dolët

 

Kryeministri Rama nga Athina foli për kohën kur shqiptarët emigrantët në Athinë dhe vuajtjet me të cilat janë përballur. Por Rama tha se ata luftuan dhe ia dolën duke u thënë se “Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve”

"Grekët dhe shqiptarët të binden se fatet tona janë të pandashme. Të binden se nuk mund t’i gjejë përgjigjet e së ardhmes tek e shkuara por tek e sotmja, tek fatet e lidhurave të grekëve të Shqipërisë me shqiptarët e Shqipërisë, me dhe grekët e Greqisë.

Ju erdhët në këtë djep të civilizimit të vjetër të Greqisë së lashtë, për të ikur gërmadhave të regjimit komunist. Kapërcyet male, fjetët nëpër stola rrugësh, dolët pa dalë drita, për të pritur nëpër sheshe, si kuajt, në pazarin e gjësë së gjallë, afendikonjtë që ju merrnin për një punë të zezë krahu, dërrmuat kurrizin dhe gjakosët duart me punët më të rënda. U përballët me gjithfarë shtypjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur nga komshinjtë e pasur, bëtë 2-3 punë nga ditët që nuk mbaronte, duke ngrënë një vakt në ditë, por jetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit 20. Ju shkulën nga shtëpitë me rrobat e trupit, si në filmat e vjetër. 

Shumë prej jush ndërruat emrat që u kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentet e punës dhe regjistruat fëmijët në shkollë, ju shqiptarët e Greqisë patë fëmijët të mbyten në lot se kishte dalë më i miri në shkollë, por nuk u dha e drejta e ceremonisë së flamurit, faji i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dy krenare. Por, ja ku jeni, ju shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuat kurrë dhe triumfuat. Sepse ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që çfarë nuk pa dhe çfarë nuk hoqi në këtë qiell, por asnjë fuqi dhe padrejtësi nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu. Hap pas hapi ju dolët nga errësira e mbijetesës si rezidentë të damkosur të këtij vendi në dritën e jetës si qytetarë të barabartë të këtij shteti. Me vlerat tuaja të fjalës së dhënë, të punës së mbaruar ju arritët të mos jeni më të huaj në këtë vend.

Ju i bëtë vetes vendin tuaj në shoqërinë greke, duke fituar respektin e punëdhënësit, besimin e fqinjit dhe dinjitetin e njeriut. Ju erdhët luftuat dhe fituat. Mos e harroni kurrë me ligj dhe me zakon Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve. Bashkë me grekët ju shqiptarët jeni europianët e Greqisë. Ju sot keni këtu shtëpitë tuaja dyqanet, bizneset, fëmijë të mirëshkolluar në sistemin arsimor të Greqisë, keni rrethin tuaj miqësor, ku greku e shqiptari nuk dallohen më. Kontributi juaj në ekonominë greke me punën e ndershme dhe taksat që paguani, e ndërkohë ju ktheheni gjithnjë e më shpesh në shtëpitë tuaj në Shqipëri, ku keni mbajtur gjithë këto vite prindërit e moshuar", tha Rama.

Ora 12:34
Rama: Shqipëria nuk ka pretendim ndaj Greqisë, vec respektit reciprok! Fatet e shqiptarëve dhe grekëve të lidhura me njëri tjetrin

 

Kryeministri Edi Rama e quajti minoriteti grek në Shqipëri thesar i vyer për shqiptarët ndërsa vuri theksin tek bashkëjetesa dhe kishte një thirrje edhe për liderët e politikës greke. Ata që i përfaqësojnë të binden se nuk mund ti gjejnë përgjgijet për të ardhmen tek e shkuara port ek e sotmja e fateve të lidhura të grekëve të Shqipërisë me shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Greqisë me grekët e Greqisë.

E vërteta e madhe jashtë fushës së vogël të lojrave politike me topin katror ballkanik është se asnjë hall apo problem nuk është I ndryshëm nga hallet apo problem nuk është I ndryshëm nga hallet apo problemet e shqiptarëve.  Në një vend që përparon përditë pro plagët e trashëgimisë negative të shkuarës së afërt e të largët janë ende jo plotësisht të mbyllura ama kurrë në asnjë rast një grek etnik në Shqipërinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur një hall për shkak të etnisë së tij.

Nuk i është mohuar asnjëherë e drejta e besimit, e gjuhës apo e pronës. Kurrë, asnjëherë dhe në asnjë rast. Kurrë në asnjë rast nuk i është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës së tyre etnike. Nëse flasim për pronat këtu jeni përfaqësia kombëtare e shqipërisë, nga Tropoja në Konispol, e kush nga ju që ka një shtëpi apo tokë në ato zona ku ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësisë mund të thotë të kundërtën. Që ky problem është një problem i Shqipërisë dhenuk është problem vetëm për grekët e Shqipërisë. Që të kërkosh e të zbulosh raste të tilla duhet të gërmosh në qerthujt më të errët të kulturës nacionaliste ku nuk ka asnjë kufi mes historisë e miteve, fakteve e paragjykimeve. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, vec respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombasit që jetojnë në të dy shtetet tona marrëdhënieve reciproke të miqësisë e fqinjësisë së mirë.

Jo vetëm kaq Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik, qoftë për cështjet për tu zgjidhur mes nesh qoftë sfidash të mëdha të kësaj epoke të re, mundësish potr dhe kërcënimesh për Ballkanin, Europën e botën demokratike. I shohim si arsye mallore për tu afruar më shumë e njohur më mirë.

Për të mos i bërë bisht asnjë nevoje për komunikim e gjetur zgjidhje të arsyeshme për të dy palët. Duke ushqyer pa ndërprerje besimin dhe forcuar lidhjet me njëri tjetrin.  Ne besojmë se kompleksiteti i marrëdhënieve tona në këtë kohë sfidash lokale dhe globale nuk mund të jetë një shtysë për tu mbytur në cdo lugë uji që sjell përditshmëria e politikës në oborrin e bashkëjetesës sonë.

Jo! Ky kompleksitet duhet të jetë një nxitje e madhe që grekët e shqiptarët të binden përfundimisht dhe reciprokisht që fatet tona janë të pandashme. Ata që i përfaqësojnë të binden se nuk mund ti gjejnë përgjgijet për të ardhmen tek e shkuara port ek e sotmja e fateve të lidhura të grekëve të Shqipërisë me shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Greqisë me grekët e Greqisë.

Ora 12:25
Rama nga Athina: Nuk u krijojmë asnjë telash grekëve! Bujrëm edhe politikanëve që protestojnë në Shqipëri dhe vijnë këtu e humbin zgjedhjet

Nga Athina në takimin me emigrantët Shqiptarë, Rama tha se gjithnjë e më shumë grekë po zbulojnë Shqipërinë dhe po ndihen si në shtëpinë e tyre. Rama tha se Shqipëria është miqësore dhe nuk u krijon asnjë telash grekëve, madje presin edhe politikanë që protestojnë në vendin tonë dhe më pas vijnë në Greqi e humbin zgjedhjet.

“Shqiptarët janë të dashuruar me brigjet e Greqisë, por gjithnjë e më shumë grekë po zbulojnë Shqipërinë ku ndihen si në shtëpinë e tyre. Grekët kanë qenë janë dhe do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri, jo vetëm për të pushuar, por edhe për të punuar, investime, por edhe për të përfituar nga një regjim taksash shumë të ulët se në Greqi. Shqipëria është miqësore, sa nuk u krijon asnjë telash, u krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë pol që vjen proteston atje dhe pastaj vjen humb zgjedhjet këtu, bujrëm si në shtëpinë tuaj”, tha Rama.

Ora 12:21
Rama fton grekët në Shqipëri: Kemi taksa më të ulëta se këtu

Kryeministri ftoi dhe grekët të vijnë në Shqipëri jo vetëm për të pushuar por dhe për të investuar. Madje dhe më tej.

Grekët kanë qenë janë dhe do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri jo vetëm për të pushuar por dhe për të punuar hapur dyqane, ngritur kompani, startuar linja investimesh për të përfituar nga një regjim taksash shumë më I ulët se në Greqi. Madje Shqipëria është kaq mikpritëse për grekët sa nuk I krijon asnjë telash. Përkundrazi i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje e pastaj vjen e humb zgjedhjet këtu! Byjrum! Si në shtëpinë tuaj

Ora 12:18
Rama në Athinë: Kam ardhur të takohem me zotët e barabartë të kësaj shtëpie, jo me shërbëtorët e dikurshme të Greqisë

 

Kryeministri Rama në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë tha se ka ardhur të takohet me zotët e barabartë të shtëpisë në Greqi dhe jo me shërbëtorët e dikurshëm të grekëve.

Ndonjë tha se unë nuk duhej të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm. Kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barasvlershëm në europën demokratike. Ju shqiptaret e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës, e ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi të bekuar ku qëndron prej 25 shekujsh djepi i filozofisë dhe demokracisë me të cilin na lidh jo vetëm fqinjësia.

Ora 12:07
Klosi nga Athina: Politika përpiqej ta pengonte takimin, na nxorrën pengesa artificiale

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë tha se janë hasur me shumë probleme në realizmin e këtij takimi. Klosi tha se u krijuan pengesa artificiale me poltikën që nuk donet që të mbahej ky takim.

“Mirënjohje dhe falënderime pafund. Në këtë tubim duhej të ishte një gjë fare e thjeshtë, se sa thjeshtë duhej të ishte organizuar ky takim. Fatkeqësisht patëm shumë vështirësi në realizmin e këtij takimi. Jemi sot me Ramën, sot në turin ‘Krenar për Shqipërinë’ që nis këtu në Athinë, pastaj në Milano, Londër, kudo ku ka shqiptar, për të folur me ta. Sa keq që vetëm këtu patëm disa probleme, pengesa të çuditshme për organizimin e takimit, pengesa artificiale, njësoj si politika kërkon të krijojë konflikte, në kundërshtim total me frymën dhe pjesëmarrjen e këtyre njerëzve. Politika përpiqej ta pengonte takimin. Nga kjo sallë e mbushur me europianë, jam i bindur se njësoj siç kapërcyem, duke folur dhe duke negociuar, ja dolëm t’ia zgjidhim. Me këto negociata ne do duhet të zgjidhim dhe problemet e pakuptimta që politika krijon vetëm për arsye elektorale mes dy popujve tanë”, tha Klosi.

Ora 12:02
Turi me diasporen ne Athinë, Spiropali: Dje ishit ju që e mbajtët Shqipërinë me bukë, sot ajo mund tju mbajë duke ju ofruar mundësi të reja

 

Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali ftoi shqiptarët që jetojnë në Greqi të rikthehen. Spiropali ngriti lart figurën e shqiptarëve që me punën e ndershme arritën të ngrinin lart emrin e shqiptarëve dhe në Greqi.

Një vend që ka ende plagë për të shëruar dhe rrugë për të bërë deri në sheshin e flamujve të BE-së por mjafton të mendosh se cfarë marrëzie ishte kur ju ikët nga Shqipëria e deri pak vite më parë të mendoje se vendi ynë do të bëhej magneti i më shumë se 10 milionë turistëve në vit, ndër të cilët edhe grek sa të duash, për të kuptuar si është kthyer bota përmbys.

Sot kur shqiptarët që duan të sprovojnë veten në kërkim të më shumë mundësish se ata që shohin në Shqipëri, zgjedhin të ikin, kjo përmbysje është lajmësa e parë e një ftese deri dje jo bindëse për kthim të atyre që kanë kursime për të investuar në bastin e sigurtë të Edi Ramës dhe shqiptarëve që kanë zgjedhur të rrinë.

Shqipëria e sotme nuk është ende vendi kush kthehet e gjen të shtruar rrugën, por kush kthehet me dijen, aftësitë dhe kursimet e punës në emigracion I ka të gjitha për tia hapur vetes rrugët në një copëz Europe në formim e sipër. Ju po vini gjithnjë e më të shumtë për ta parë Itakën tuaj kurdo që mundeni e shumë prej shumë I vëzhgoni mencurisht shtigjet e rikthimit. Shqipëria po bëhet më e fortë më e zonja më e hapur për të gjithë njerëzit që duan të bëjnë dicka duke investuar në shtëpitë e të parëve dhe punuar në tokat e të parëve. Dje ishit ju që e mbajtët Shqipërinë me bukë, sot ajo mund tju mbajë duke ju ofruar mundësi të reja.

Falë jush sot ka ndodhur mrekullia. Sepse ju që jetoni këtu me kokën lart respektoheni për punën tuaj. Nuk keni më siklet të thoni emrin shqiptar por keni dhe kënaqësinë të dëgjoni kur grekët kthehen të habitur me vendin tonë. Ju e keni bërë Shqipërinë më të madhe dhe më të fortë. Sot nuk ka Shqipëri vetëm për Shqipërinë, por ka Shqipëri dhe këtu si një herë e një kohë kur në këtë vend flitej shqip nga të katër anët dhe shqiptarët ishin pjesë krenare e jetës së Greqisë. Ju jeni krenaria e shqiptarëve. Faleminderit shqipeve të Athinës. 

Ora 11:48
Takimi me emigrantët, kryenegociatoria Dhuka: Jam vajza e një babai minoritar, me fat që u rrita me gjuhën shqipe e greke

 

Kryenegociatoria Majlinda Dhuka në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë foli pak për prejardhjen e saj, duke thënë se “është vajza e një babai minoritar nga Derviçani në Dropull dhe me origjinë të familjes nga Athina, mbiemri Dhukas.

Dhuka tha se Shqipëria është më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës për integrimin në BE.

Jam e emocionuar të jem sot këtu me ju. Jam vajza e një babai minoritar nga Derviçani në Dropull dhe me origjinë të familjes nga Athina, mbiemri Dhukas. Kam patur fatin të rritem me të dyja gjuhë, edhe me gjuhën e bukur shqipe dhe greke. Studimet i kam kryer në Shqipëri dhe Greqi, kam studiuar ligjin publik europian. Greqia është një partner i çmuar në rrugën tonë drejt anëtarësimit europian. E privilegjuar të përfaqësoj Shqipërinë në krye të skuadrës për negociatat e anëtarësimit, skuadra jonë ka fituar konsideratën më të lartë në tryezën e negociatave të anëtarësimit në be. Shqipëria është më pranë më se kurrë në realizimin e ëndrrës shekullore.

Ora 11:43
Takimi në Athinë, Ambasadorja Hajdaraga: Ardhja e Ramës në Greqi, ditë historike! Mundësi për rienergjizimin e shqiptarëve kudo që janë

 

Ambasadorja shqiptare në Athinë hapi takimin me fjalimin e saj. Luela Hajdaraga e quajti ditë historike vizitën e kryeministrit

“Ardhja e kryeministrit shqiptar në Athinë është vëmendje e vazhdueshme e komunitetit shqiptar në Greqi dhe ditë historike. Ndaj le ta shfrytëzojmë ditën e sotme si  një tjetër mundësi për rienergjezimin e mëtejshëm të kësaj marrëdhënieve unike mes shqiptarëve kudo që ndodhen. Një marrëdhënie që ushqehet nga qëllimi I pastër për të lartësuar Shqipërinë deri në fund duke besuar se ëndrrat marrin jetë kur jemi të gjithë së bashku” tha Hajdaraga.

Ora 11:27
Festë në Athinë, Noizy dhe Era Rusi ‘ndezin’ stadiumin plot me shqiptarë! Reperi: Meritojmë respektin e botës
 

Reperi Noizy dhe këngëtarja Era Rusi kanë performuar në stadiumin në Athinë, ku kryeministri Edi Rama ka mbledhur emigrantët shqiptarë.

Noizy ka ndërprerë këngën e tij dhe ka thënë disa fjalë. Reperi ka falënderuar kryeministrin Rama dhe shprehet se të gjithë shqiptarët meritojnë respektin e botës pasi janë punëtore dhe të gjithë bashkë mund t’ia dalin gjithmonë.

“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur këtu sot. Është gjëja më e mirë që mund të bëj për shqiptarët, të mblidhemi të gjithë bashkë  dhe të jemi më të bashkuar se kurrë. Faleminderit kryeministrit që na mblodhi këtu.  Jemi punëtore dhe meritojmë respektin e botës, të jemi të bashkuar gjithmonë sepse vetëm bashkë mund t’ia dalim. Kjo këngë shkon për të gjithë ata që nuk kanë pasur besimin tek shqiptarët anë e mbanë botë”, shprehet Noizy.

Reperi u duartrokit nga kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama. 

Atmosfera është elektrizuese, ndërsa salla “Christmas Theater” është mbushur plot me emigrantë shqiptarë.

Ora 11:16
Stadiumi i mbushur plot, mbërrin Rama! Shqiptarët e presin me ovacione, takimi nis me himnin shqiptar dhe të BE-së

 

Ka nisur takimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Athinë. Kreu i qeverisë ka mbërritur në sallën “Christmas Theater” në stadiumin 'Galatsi' ku mbahet takimi, ndërsa është pritur me ovacione në sallën e mbushur plot me shqiptarë.

Takimi nisi me himnin kombëtar shqiptar.

Ora 11:12
VIDEO/ Me makinë të blinduar, momenti kur Rama mbërrin në stadiumin në Greqi për takimin me emigrantët! Masa të rrepta sigurie

Ky është momenti kur kryeministri Rama dhe delegacioni i tij mbërrijnë në stadiumin në Greqi.

Kreu i qeverisë është shoqëruar me makinë të blinduar dhe masa të rrepta sigurie për mbarëvajtjen e takimit. 

Ora 11:00
Takimi me shqiptarët në Athinë, Veç kryeministrit, ja emrat e zyrtarëve që do të mbajnë fjalim në stadiumin 'Galatsi'

 

 

Foto: Shqiptarët në sallën “Christmas Theater” në stadiumin 'Galatsi' në Athinë, ku pritet të vijë Rama, 12 maj 2024
 

Zbulohet emrat e zyrtarëve që do të mbajnë fjalime në sallën  “Christmas Theater” në stadiumin 'Galatsi' në Athinë 

-Fjalimet i hap ambasadorja shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga

-Kryetari i bashkisë Sarandës  Oltion Çaçi

-Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi 

-Krytari i bashkisë Vlorë Ermal Dredha

-Majlinda Dhuka Kryenegociatore e Shqipërisë në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian

-Romina Kuko sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë në PS

-Elisa Spiropali ministre e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin

-Blendi Klosi sekretar i pergjithshem i PS

-Kryeministri Edi Rama

Ora 10:28
Rama në Athinë për takimin me shqiptarët, momenti kur zbret nga avioni me bashkëshorten, ministrat e këngëtarë, si Noizy e Era Rusi

 

Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëron kanë mbërritur në aeroportin ”Eleftheros Venizelos” në Athinë. Report Tv sjell pamje teksa Rama zbret nga avioni, ndërsa shoqërohet edhe nga bashkëshortja e tij Linda Rama.

Rama u prit nga ambasadorja shqiptare Luela Hajdaraga.

Për vizitën e Ramës janë marrë me masa të rrepta sigurie, me qindra policë që do sigurojnë mbarëvajtjen e takimit të Ramës me emigrantët shqiptarë.

Ora 10:23
‘Se me shekuj jam shqiptar’, video nga atmosfera në stadiumin Galatsi në Athinë! Shqiptarët me flamuj në duar

Emigrantët shqiptarë që janë mbledhur në stadiumin 'Galatsi' në Athinë, ku presin kryeministrin Edi Rama. Në këtë video që sjell Report Tv shihet atmosfera në stadium ndërsa pritet mbërritja e kryeministrit Rama. Takimi do mbahet në sallën “Christmas Theater” në stadiumin 'Galatsi'.

Shqiptarët shihen me flamuj në duar e në sfond ka këngë me motive patriotike.

Ora 10:14
'Mirëseerdhe!' Shqiptarët presin Ramën, bluza me posterin e kryeministrit: Krenar për Shqipërinë

Shqiptarët janë mbledhur para stadiumit Galatsi në Athinë për të pritur kryeministrin Rama.

Në një foto të publikuar në mediat greke një shqiptar mban në dorë një bluzë ku ka stampuar ku është protreti i kryeministrit njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama dhe ngjitur është mbishkrimi  ‘Mirëserdhe’ dhe slogani i PS-së për turin e diasporës “Krenar për Shqipërinë” dhe “Vetëm përpara”

Foto: Para stadiumit Galatsi
Ora 08:48
Foto/ Me flamurin kuqezi, shqiptarët presin Ramën në Athinë

Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Athinës ku do të takohet me emigrantët shqiptarë. Teksa pritet që Rama të mbërrijë në Athinë, në stadiumin 'Galatsi' në Athinë emigrantët shqiptarë kanë nisur të mblidhen për takimin.

Me flamuj kuqezi në duar, siç shihet edhe në këto foto, ata presin kreun e qeverisë. Vizita e Ramës zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa në stadium do të ketë edhe performancë nga këngëtarët Noizy e Era Rusi.

Ora 08:36
Rrugës për në Athinë, Rama poston videon: Krenarë për ju

Kryeministri Edi Rama takohet sot me shqiptarët në Athinë, takimi i parë i turit me diasporën. Kreu i qeverisë ka ndarë një video në rrjetet sociale për takimin e sotëm. 

Motoja e turit me diasporën është “Krenar për ju”, ndërkohë që në video shihen dy flamurët e Shqipërisë dhe Greqisë që valëviten bashkë.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • cufi: 14/05/2024 01:05

    nuk e heq ligjin e luftes o rama,,sepse do te justifikoje vrasjet xhe perzemiet e cameve...

    Përgjigju
  • e drejta: 13/05/2024 09:26

    PRITJE MADHESHTORE PER NJE LIDER MADHESHTOR...FJALET E TJERA JANE KOT FARE

    Përgjigju
  • Iris: 13/05/2024 03:35

    Le te rrime shtrember e te flasim drejt! Pas disa ditesh kur avujt e dehjes nga euforia te avullojne,do te kuptoni qe ky takim nuk kishte asgje te vecante.Cdo politikan qe ka sunduar ne keto 33 vjet demokraci mund t'a kishin bere nje takim te tille,sidomos kur i jep me shume ngjyra kombetare se sa partiake,ndoshta nuk do te ishte kaq i mundshem ne Greqi,por jam e sigurte qe ne cdo vend tjeter evropian ishte i mundshem.Arsyet pse nuk u be asnjehere me pare,eshte se askujt nuk i vajti mendja per nje gje te tille me pare,te gjithe e kishin mendjen /te shqyenin/ rivalet e kundershtaret brenda partise e ne partite kundershtare dhe mbi te gjitha,nuk ka pasur shqiptare kaq te larguar asnjehere jashte sa te ndihet mungesa por nevoja e tyre jo vetem per vote,por dhe per investime.Nga 3 milion e ca qe ishim ne fund te diktatures,ne vend kane mbetur 1 milion e ca.Salla ishte plot,nuk mendoj dhe aq per shkak te /organizimit/ sic u perfol,se sa si shfaqje patriotike ne sy te Greqise.Dhe si per t'a theksuar me shume kete fakt,eshte stadiumi i mbushur plot me flamuj shqiptare e te BE,por asnje grek.Rama u kujtoi shqipove te gjithe kalvarin qe kaluan deri ketu,gjithashtu u kujtoi dhe grekeve disa nga mekatet e tyre,por nuk duhej te habitej pse Greqia e hoqi ligjin e luftes me Italine dhe e mban me ne.Me Greqine nuk na ndan deti,por toka,zoteri! Interesant e gjeta faktin qe ndersa Rama ftoi greket per investime ne Shqiperi,u a kishte lene ministrave te tij,te ftonin shqipot per investime e vota edhe pse e drejta e votes se emigranteve nuk u permend nga asnje prej folesve.Pavaresisht fjaleve inkurajuese dhe seder levduese per shqipot dhe dores se shtrire miqesore e disa verrejteve me te drejte ne drejtim te shtetit grek,per mua ky takim me fjale te medha dhe asnje premtim,kishte efektin e nje pilule ekstazie.Sigurisht qe shqipot e Greqise do t'a mbajne mend gjate,do t'a kujtojne e diskutojne,qe per disa ore i beri te ndihen shqiptare krenare e te barabarte,por pas kesaj cfare do bejne ata,cfare do bejne keta politikane per ta....?!

    Përgjigju
  • Llaqi: 12/05/2024 17:00

    Bijtë e komunistave ju interrnuan se donit të largoheshit nga vendi juaj e po ata ju larguan nga Shqipëria e përsëri ata pazaret i bëjnë në Tiranë me njëri tjetrin. Çfarë nuk bëjnë për të tiu marrë votën e për të siguruar pushtetin o popull pa memorie. Për sa kohë në Shqipëri ka ngelur vetëm mosha e 3të për kta pushta nuk ka asnjë lloj pengese që ta shkatërrojnë atë vend të bekuar.

    Përgjigju
  • Janios: 12/05/2024 10:36

    Arrest kardiak Berishës dhe Metës për pritjen madhështore që bashkë atdhetarët i bon Ramës

    Përgjigju
  • Ethem Lalaj-MallaKASTRIOTI: 12/05/2024 10:09

    OK,E.RAMA.Tunde me oratirinë tënde të çuditen Miçot e vegjël në Athinë & non gratat në katin e 8-të pro SËRB,RUS,GREK..! -Premtoju Emigrantëve se Shqipëria po BËHET,NUK ËSHTË NË KOHËN E MAKOKUT TROPOJAN FATKEQSI KOMBËTARE ME 20.000 TË VRARË 91-21. -Premtoju të votojnë PS si e vetmja forcë që bën SHTET.Dhe opozita është pa KOKË & PO HA VETEN PËR NJË KARRIGE. -Se Greqia nuk po heq ligjin e LUFTËS,NUK NJEHË PROBLEMIN ÇAM,KËRKON HIMARËN E KO ME BELERËT E SALIUT+LIKES..! JU UROJMË SUKSESE..!

    Përgjigju
  • Turi: 12/05/2024 09:41

    Emigrantet nuk duhet te mashtrohen nga rama apo meta e berisha sepse jane te gjithe njesoj . Keta ndyresira e kane shkaterruar vendin per 34 vjet dhe duhet te zhduken nga skena e politikes Shqiptare , prandaj mos i mbeshtetni keta mq se jane plerat e kombit

    Përgjigju
    • Franci: 12/05/2024 10:48

      I paske futur te gjithe ne nje thes o Turi qe te jesh brenda gjith andej dhe si asnjanes ….vec pergjithesimi dhe paragjykimi jan karakteristikat e injorantit ….. Forca Rama , si udheheqesi i vetem qe do coj Shqiperi e perpara ne rrugen e saj europiane ….te tjeret i provuam dhe ne vend te benin ate cka ederuam se do benin thjesht u pasuruan duke lene ne dore te dyte enderat e shqiptarit …

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Votat e Shqipërisë për 'The Best'! Sylvinho zgjedh brazilianin e Realit, Gjimshiti nderon legjendën e Gjermanisë

Votat e Shqipërisë për 'The Best'! Sylvinho zgjedh brazilianin e Realit, Gjimshiti nderon legjendën e Gjermanisë