"Nuk është më shumë se çfarë bëjmë ne por si vendosin të tjerët". Kështu i është përgjigjur Kryeministri Rama pyetjes së bërë nga Radio Televizionii e Spanjës, televizioni publik RTVE, se si po ecën Ballkani Perëndimor në rrugën drejt integrimit.
Rama ka thënë se vendet e Ballkanit kanë ende shumë punë për të bërë por kanë nevojë të hedhin hapa përpara në procesin integrues drejt BE-së.
"Ne jemi vende që kemi shumë për të bërë për të plotësuar kushtet për tu bërë anë5tarë të Bashkimit por kemi nevojë që të hedhim hapa për të vijuar me procesin e integrimit. Ne kemi shumë punë për të bërë dhe jemi ende në mes të rrugës", tha.
Sa i përket perceptimit që kanë evropianët për shqiptarët dhe ballkanasit në përgjithësi Rama tha se "ka gjithnjë e më shumë turistë që vijnë në Shqipëri, të cilët e shohin se vendi është shumë më ndryshe nga ccfarë e kishin perceptuar atë më parë".
Ndërkohë lidhur me faktin që Spanja ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, Kryeministri Rama nënvizioi se problemet e brendshme me lëvizjet për shkëputje nga krahina në Spanjë s'ka asnjë lidhje me shtetësinë e Kosovës.
"Sigurisht që Kosova është problemi i fundit i hapur, i pazgjidhur pas procit të shpërberjes së ish-Jugosllavisë. Serbia duhet ta njohë Kosovë. Ne e dimë mirë që pozicioni i Sapnjës nuk ka lidhje me ndonjë problem me shqiptarët, por me historinë e saj, me problemet e saj të brendshme. Ne duhet të jemi të qartë se s'ka asnjë lidhje me problemet e brendshme të Spanjës me ndarjen e Kosovës nga Serbia", tha Rama.
Intervistë e plotë e Ramës për Radio Televizionin e Spanjës
Ju sapo keni zhvilluar një takim me kryetarin e qeverisë spanjolle dhe keni nënshkruar disa marrëveshje.
Po, është vizita e parë zyrtare e këtij niveli, dhe ndihem mirë sepse besoj se ka një potencial të madh në marrëdhëniet tona të ndërsjella. Kam një admirim të madh lidhur me çka Spanja ka arritur, si një model që duhet ndjekur, për mënyrën se si një ka mundur ta kapërcejë një të kaluar aq të errët dhe të shndërrohet në një shembull të shkëlqyer për vendet e tjera. Dhe, nga ana tjetër, do të doja të vija në dukje faktin se kryeministri Sanchez, në të shkuarën i ka njohur nga afër periudhën e tmerrshme të historisë konflikteve në rajonin tonë dhe e ka ndjeshmërinë e duhur për ta mbështetur ndryshimin. Në fakt ai kërkon që Spanja të jetë më e pranishme në zonën tonë dhe ky është një lajm shumë i mirë për ne.
Ashtu si dhe ju sapo theksuat, qeveria e Spanjës mbështet pa asnjë lloj dyshimi aderimin, proçesin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por duhet të themi gjithashtu që presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen ka thënë se vendi juaj ka përmbushur detyrat e tij. Çfarë hapash po hedh Shqipëria për t’ju përshtatur kërkesave të Brukselit?
Mund të them se tashmë nuk flitet më për çfarë duhet të bëjmë ne, por për mënyrën si kanë vendosur të punojnë ata me ne dhe në rajon.
Ndoshta duhet të zhvishemi nga disa perceptime negative që kemi lidhur me atë zonë të Evropës.
Sigurisht që jemi vende të cilët do të duhet të bëjmë shumë më shumë për të përmbushur të gjitha kushtet për të qenë anëtarë të Bashkimit Evropian. Por e meritojmë të hedhim tashmë hapa të tjerë përpara dhe të fillojmë negociatat formale. Perceptimet kanë të bëjnë me të shkuarën, me nje informacion që ende nuk është fluid, i rrjedhshëm. Por mund t’ju them se tashmë po e thonë të gjithë, edhe një numër përherë e më i madh turistësh spanjollë që vijnë në Shqipëri, se ka një ndryshim të madh midis asaj që perceptohet nga larg për Shqipërinë dhe realitetit të saj. Sigurisht që duhet të përparojmë më tej me reformat tona për modernizim, me përmirësimin e qëndrueshëm të ekonomive dhe shoqërive tona, me fuqizimin institucional dhe, në fund të fundit, të shkojmë drejt një mjedisi më të mirë ekonomik dhe social rajonal por këto janë sfidat e vendeve që janë në rrugëtim e sipër.
Nëse tashmë hedhim sytë nga rajoni, shohim tensione që kanë rinisur midis Kosovës dhe Serbisë. Do të doja të kisha opinionin tuaj, analizën tuaj mbi këtë situatë.
Tensionet janë pjesë e atij procesi. Nuk mund të presim që një proces paqeje të përparojë qetësisht dhe pa tensione. Këtu lajmi i mirë është që tensionet lindin po edhe treten pasi të dy palët sidoqoftë komunikojnë dhe tentojnë të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për njerëzit. Pra nuk është më si në të shkuarën. Ka një diferencë të madhe pasi tashmë kemi bashkëpunim rajonal, me takime e mbledhje të shumta, vajtje-ardhje, samite të çdo lloji. Sigurisht që Kosova është problemi i fundit, ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja e Jugosllavisë e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Pa dyshim, z. Rama, një nga çështjet kryesore është njohja e Kosovës si komb, i panjohur ende nga të 27 vendet, ndërmjet tyre dhe Spanja.
Është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Dakord, por duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet independentiste apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia.
Në fakt, një nga shqetësimet e Bashkimit Evropian sa i përket Ballkanit Perëndimor është influenca si e Rusisë ashtu dhe e Kinës, në këtë rajon.
Shiko, Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufij evropianë, jemi një organ i trupit të Evropës dhe njëkohësisht jemi të izoluar nga po ky trup, diçka që nuk ka kuptim dhe nuk është gjëja më e përshtatshme as për sigurinë dhe as për të ardhmen e Evropës që kjo pjesë e trupit, të mos jetë totalisht e integruar po të jetë një zonë gri si të thuash, ku aktorë të tjerë mund të zhvillojnë lojën e tyre. Ne, Shqipërinë të paktën, nuk e shqetësojnë këto influenca të mundshme pasi për ne Evropa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Evropian është zgjedhja jonë e lirë.