Kryeministri Edi Rama ka sqaruar mbrëmjen e sotme skemën dhe procedurën si do të bëhet shtyrja për dy muaj, prill dhe maj e pagesës së qirave për biznesin e vogël, familjet që janë prekur nga koronavirusi apo studentët. Kreu i qeverisë theksoi se tre kategoritë nuk do i paguajnë qiratë për prillin dhe majin dhe pas dy muajve në mënyrë proporcionale do të fillojnë të paguajnë detyrimet.
"Komunikova një nismë parimin e një nisme, nëse më lejoni para se ta shtjelloj t'ju lexoj aktin normativ që lidhet me qiratë, që besoj se i jep përgjigje një pjese të madhe të përgjigjeve dhe shqetësimeve. Të gjithë qiramarrësit individë që kanë një kontratë për banesë apo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien përpara shpalljes së epidemisë dhe ka një kontratë pune por e kanë pezulluar apo zgjidhur pas gjendjes nuk do ta paguajnë detyrimin për dy muaj, prill dhe maj. Po ashtu të gjithë studentët me të njëjtat preokative nuk do ta paguajnë për dy muaj.
Po kështu të gjithë sipërmarrësit persona fizikë apo juridikë me të ardhura deri në 14 mln lekë në vit, që kanë kontratë noteriale qiraje para epidemisë nuk do ta paguajnë detyrimin për dy muaj, prill dhe maj. Detyrimi i prapambetur do të paguhet në mënyrë proporcionale dhe dakordësuar pas muajit maj 2020. Për ata që përfundojnë para 31 majit, detyrimi do të paguhet brenda tre muajve më pas.
Të gjithë qiramarrësit që kanë ankesë do të i drejtohen tatimeve përmes komunikimit elektronik dhe qiradhënësit do të ndëshkohen me gjobë pesëfish. Drejtoria e tatimeve do të ndjekë dhe zbatojë pikat dhe nxjerrë udhëzimet. Jemi në kushtet e një lufte. Nuk do i paguajnë këto dy muaj dhe pas dy muajve në mënyrë proporcionale do të fillojnë të paguajnë detyrimet. Dy muaj kam parashikim që është optimist. Por mund të jetë më e shkurtër apo më e gjatë, por këtu jemi edhe mund të shtyhet sërish".
Por çfarë ndodh me ata që nuk kanë një kontratë noteriale? Kryeministri propozoi dy rrugë. "Në të gjithë botën marrëdhënia nuk është marrëveshje strikte e përcaktuar në bazë të pranisë së noterit, ka me apo pa noter, të shkruar mes palëve apo me shtrëngim dore. Mjafton që personat që kanë një nga këto marrëveshje. Ky akt nuk nënkupton favorizimin e qiramarrësit. Nëse ka një qira që e paguan apo një punë në të zezë që paguhet, janë dy kategori që kanë dy zgjidhje, ose të pranojnë faktin e tyre që e kanë shkruar vetë ose të denoncojnë' tha Rama në Opinion.
Por çfarë do të ndodhë me ata persona që qiranë e kanë burimin e vetëm të jetesës. Për këtë kategori, kryeministri tha se do të trajtohet ndryshe, pra do të ketë specifikime. "Ata që e kanë jetike këtë qira, janë në vete dhe do të kemi një përgjigje specifike, pasi nuk i konsiderojmë që të sakrifikojnë për të tjerët, por që duhen ndihmuar. I gjithë biznesi i vogël nuk do të paguajë qiratë, por edhe te biznesi i vogël ka një pjesë që punon, por që duhet ndihmuar nga situata, pasi e gjithë atmosfera nuk ia ka bërë të lehtë, por ka edhe një pjesë që nuk punon fare dhe që ne do i çojmë pagën e luftës. Edhe këtu për këtë kategori të dytë, që do të marrë pagën e luftës, do të kemi një lajm brenda paketës".
Megjithatë, taksa e pronës do të paguhet, tha më tej kryeministri. "Taksa e pronës nuk ka lidhje me qiratë, është taksë e pasurisë tënde, sesi e përdor ti atë. Me ato para që tjetri merr nga qirave ai paguan një tatim nga e ardhura mbi qiranë, taksa e pronës nuk ka lidhje me qiranë". Një përgjigje kryeministri e kishte edhe për akuzat e opozitës se kjo lëvizje çon në përplasje sociale. "Kacafytja është ëndrra e tyre. Le ta provojnë që të kacafyten me një qiramarrës".
Lajmi kryesor: