Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të kryeministrit Edi Rama është thirrja e fortë ndaj Serbisë për të njohur Kosovën. Të jetojë në realitet, të shkëputet nga historia, por të bëjë historinë, theksoi kreu i qeverisë. Megjithatë, gjatë këtij momenti kamerat fokusuan përfaqësuesen e Serbisë, e cila siç shihet në video, ka bërë një buzëqeshje ironike.
"Shqipëria ka kremtuar posaçërisht arritjen e Marrëveshjes së Prespës, e cila i dha fund një mosmarrëveshjeje prej një dekade midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shqipëria u angazhua aktivisht për ta bërë këtë të mundur dhe e pa si shembull të frymëzuar për të zgjidhur mosmarrëveshje të tjera të hapura, në mënyrë që të krijojmë lidhje më të forta dhe ta orientojmë bashkëpunimin tonë duke ndërtuar një udhërrëfyes për konektivitetin në rajonin tonë.
Shqipëria po punon shumë ngushtë me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe pres me padurim që të bëjë të njëjtën gjë edhe me Serbinë. Megjithatë, pavarësisht faktit të klimës së bashkëpunimit rajonal që është përmirësuar në mënyrë domethënëse, mosmarrëveshja e hapur midis Serbisë dhe Kosovës pengon potencialin e zhvillimit të të gjithë rajonit. Pavarësisht problemeve me të cilat demokracitë të reja si Kosova përballen në mënyrë të natyrshme, është më shumë se e qartë se për më shumë se një dekadë, qysh prej deklarimit të pavarësisë së saj, Republika e Kosovës ka arritur të ndërtojë një demokraci mjaft të gjallë, e ka provuar veten si një partnere e besueshme në rajon dhe nuk është lëkundur asnjëherë nga angazhimi i saj euroatlantik. Ka ardhur koha që të gjithë vendet e kësaj Asambleje, sidomos e së pari miqtë tanë serbë të njohin pavarësinë e Kosovës për t’i dhënë hakun historisë e për të njohur realitetin, si e vetmja bazë e fortë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët më të mirë. E dashur Serbi, Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm, kështu që mos jetoni më në mohim dhe bëni historinë për veten tuaj dhe për botën, duke ardhur në realitet.
Është po kështu e rëndësishme që Kosovës t’i jepet mundësia që të bëhet pjesë e të gjitha organizatave rajonale ndërkombëtare, ku çdo vend sovran e i pavarur i botës ka të drejtë të bëhet pjesë. Është shpresa ime e sinqertë dhe angazhimi im i përditshëm që Ballkani Perëndimor do të arrijë të shkëputet nga e kaluara njëherë e përgjithnjë e do të punojë sëbashku që të ndërtojë ekonomitë e vendeve të tyre, të integrojë tregjet e të ofrojë një të ardhme shumë më të mirë, duke menduar dhe duke punuar për fëmijët e tyre dhe duke mos folur më për hijet e të shkuarës. Në këtë drejtim do të doja që të theksoja një fakt, të cilin e kam përmendur në mënyrë të përsëritur me kolegët e mi europianë, është e pajustifikueshme që Kosova, një vend me vetëm 2 milionë banorë, mbetet edhe sot që flasim vendi i vetëm europian, populli i të cilit është i izoluar nga i gjithë rrjeti i regjimit të liberalizimit të vizave.
Dëgjoni këtë! Nga viti 2014, më shumë se 100 milionë njerëz i janë shtuar asaj bashkësie njerëzisht që mund të hyjnë në BE pa viza. Si është e mundur që BE ende të mbajë peng vetëm 2 milionë njerëz që kanë luftuar kaq fort për të fituar lirinë e tyre dhe që mbeten të angazhuar në mënyrë kaq të palëkundur ndaj perspektivës së tyre për në BE?! E dashur BE, ndaloje këtë gjë të pakuptimtë", tha Rama.
Reagimi i pëfaqësueses së Serbisë kur Rama bënte thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës
Lajmi kryesor: