“Ne kemi kontraktuar një ndër agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare, që ka filluar punën përgatitore, për të bërë një vlerësim të të gjithë universiteteve, që do të përfundojë në muajin dhjetor. Besoj se nuk them asgjë të re, por mbase mund të tingëllojë si e tillë, sepse përgjithësisht preferohet të mos thuhet, që duhet të jemi të përgatitur që në dhjetor të kemi rezultat të ngjashëm me atë të Maturës Shtetërore për universitetet, në mos edhe më tronditës”, ka pohuar kryeministri Rama. Sipas tij, si privati dhe shtetërori duhet të akreditohen mbi të njëjtat parime. “Njësoj për të gjithë. Jo akreditim për privatin dhe pranim pa kushte të shtetërorit, por akreditim njësoj për të gjithë. Në qoftë se një fakultet apo një universitet i shtetit nuk plotëson kushtet, nuk duhet të jetë.
Duhet të mbyllë derën dhe përgatitet që kur të hapë derën, të jetë”, tha kreu i qeverisë. Të njëjtin fakt ka pohuar edhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla e cila ka theksuar se pas 20 vitesh për herë të parë institucionet e Arsimit të Lartë Publik dhe privat po i nënshtrohen një procesi të plotë transparence dhe kontrolli që lidhem me kriteret e kontrollit të licencimit një proces që po përfundon. Një tjetër mesazh i kreut të qeverisë ishte edhe ai për për unifikimin e teksteve shkollore. Kryeministri Rama tha se skema e atlertekstit do të mbyllet, pasi është një skemë fitimprurëse për shtëpi botuese të ndryshme.
“Fund altertekstit, fund teksteve që prodhohen për qëllime fitimi pa asnjë filtër, pa asnjë institucion shkencor që i certifikon dhe pa asnjë përgjegjshmëri historike dhe morale, në raport me një brez të tërë, që është degjeneruar nga ky grup i pashoq i mbledhur bashkë injorantësh në pushtet dhe injorantësh që kanë uzurpuar pushtetin në shkencë”, shtoi më tej Rama. Kryetari i grupit të punës për reformën në Arsimin e Lartë, Arjan Gjonçaj ka sqaruar disa nga ndryshimet e pritshme në ligjin e arsimit të lartë.
Sipas tij, universitetet publike dhe private do të trajtohen në mënyrë të barabartë. “Duhet të vendosim parimin e rëndësishëm të konkurrencës së lirë mes këtyre dy institucioneve. Fondet qofshin shtetërore apo jo, duhet të merren sepse e meriton universiteti mbi bazën e standardeve të mësimdhënies, kërkimit shkencor apo inovacionit dhe zhvillimit” ka pohuar Gjoncaj. Raporti përfundimtar i reformës, vjen pas një serë ndryshimesh dhe diskutimesh me grupet e interesit.
Departamentet do përcaktojnë përdorimin e fondeve
Financimi i universiteteve do të bëhet me një Agjenci Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, që është një institucion i ri për të menaxhuar sistemin e Arsimit të Lartë dhe fondet vendosen në dispozicion me kushte. Ky fakt është pohuar nga kreu i qeverisë i cili ka pohuar se këto kushte i vendos vetë bota akademike dhe jo që i vendos Ministria e Arsimit. Kurse kreu i komisionit të arsimit, Arjan Gjonçaj jep detaje se si do bëhet shpërndaja e fondeve.
“Ky bord shikon shëndetin dhe mbarëvajtjen financiare, përcakton përdorimin e fondeve, buxheti hartohet te departamenti, e kemi theksuar vazhdimisht që gjithçka nis te departamenti, aprovohet në strukturat përkatëse akademike të ndryshme deri te Senati, por ky bord shikon se si do të përdoren këto fonde, si do përdoren këto financa të universitetit. Ka nevojë që universitetet tona të kenë një përgjegjësi qoftë financiare, qoftë akademike dhe këto janë të ndara”, u shpreh profesor Arjan Gjonçaj. Sipas tij, financimi kryesor i universiteteve do te jetë nga shteti, por burime të tjera financimi janë autoritetet lokale, biznesi, donacionet etj.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Korrik 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)