Raporti i ACEE, USAID:
Shqipëria ka 13% analfabetë

Raporti i ACEE, USAID:<br />Shqipëria ka 13% analfabetë
TIRANE- Sistemi arsimor parauniversitar në vendin tonë ende është në krizë dhe vuan nga probleme të mëdha. Me 13 % të fëmijëve të moshës shkollore analfabetë, me 60 % të nxënësve që kanë vetëm një nivel minimal të dijeve, me një notë mesatare 6-7, me rreth 15 për qind të mësuesve me arsim të mesëm me një liberalizim të tejskajshëm të teksteve shkollore, me “zhdukjen” e Edukimit fizik apo atij muzikor dhe me një buxhet që vjen e rrudhet çdo vit, e ardhmja e fëmijëve të shqiptarëve nuk duket fort optimiste.

Të paktën kështu rezulton po t'i hedhësh një sy raportit më të fundit të publikuar nga “Kualicioni për arsimin e fëmijëve në Shqipëri”, mbështetur nga “Global Campaign for Education”.

TË DHËNAT
Shifrat e dala nga raporti i këtij kualicioni janë shqetësuese për shkollimin e fëmijëve. Kështu raporti i ACEE thotë se vetëm 90 % e fëmijëve arrijnë deri në klasën e 5-të, ndërsa, ndonëse regjistrimi në gjimnaz shkon deri në 75% e atyre që mbarojnë arsimin e detyrueshëm, vetëm 39% e frekuentojnë. “Niveli i regjistrimit në shkollat fillore është 96%/95%; niveli i frekuentimit të  parashkollorit është 54%/50%; fëmijët që kanë arritur në klasën e 5-të është 90%; regjistrimi në shkollat e mesme është 75%/73% ndërsa niveli i frekuentimit të shkollës së mesme është 39%/39%.

Lidhur me braktisjen e shkollës për arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar rezulton në shifrat 0.94% për vitin 2009, por nga shifrat e USAID-it konstatohet se analfabetizmi shfaqet në masën 13%”, - thotë raporti. Po ashtu nga 30.423 mësues që japin mësim në sistemin arsimor parauniversitar, 4785 prej tyre janë me arsim të mesëm, nga të cilët vetëm 190 janë mësues të shkollave të mesme, ndërsa të tjerët janë mësue të fillores dhe 9-vjeçares.

BUXHETI NË RËNIE
Sipas këtij raporti buxheti që qeveria e Shqipërisë ka vënë në dispozicion të arsimit ka ardhur në rënie, duke na renditur në fund të listës së vendeve të rajonit, për paratë që japim për arsimin. Kështu sipas raportit, në vitin 1999 Shqipëria shpenzoi 3.5% të PBB-së së saj për arsimin, ndërsa në vitin 2013 ajo është ulur edhe më tepër duke arritur në 2.7% të PBB-së. “E krahasuar kjo me 4.6% që është mesatarja në Europën Lindore, do të thotë se shpenzimet për arsimin në Shqipëri janë thuajse 2% më të ulta”, - citon raporti. Trajektorja e buxhetit të arsimit në 9 vitet e  fundit ka ardhur duke u ulur dhe duke e krahasuar edhe me GDP e vitit 2005 e cila ka qene 2.81%, në 2013 kjo është 2.7%.

NIVELI
Edhe niveli i dijeve që kanë nxënësit tanë lë shumë për të dëhsiruar. Sipas raportit, Këshilli i Evropës ka kërkuar që “Mesatarja e viteve të edukimit për çdo qytetar të Europës të jetë jo më pak se 15 vite shkollimi, ndërkohë që Shqipëria në vitin 2013 e ka mesataren 11,9 vite shkollim; Mesatarja e atyre që braktisin shkollën të mos jetë më shumë se 10%, ndërkohë shifrat shtetërore janë më të ulta se 0.9-1,5 %,(të dhënat e USAID-it thonë se kjo përqindje ka afruar me 13%1); Rreth 82 % e popullsisë në hapësirën evropiane duhet të jetë i kompletuar me arsimin e mesëm të lartë, në hapësirën shqiptare kjo përqindje varion në rreth 68%”,- citon raporti.

Po ashtu raporti thekson se në testet kombëtare për provimet e lirimit në përfundim të arsimit 9-vjeçar nota mesatare për pjesën më të madhe të lëndëve është 6-7.33 dhe pothuajse 60% e nxënësve i drejtohen nivelit minimal të përvetësimit të dijeve. Po sipas këtij raporti, në vlerësimin e vitit 2009 të PISA, Shqipëria kishte rreth 100 pikë (ose 20%) nën mesataren e OECD-së, afro me të njëjtën diferencë poshtë Turqisë dhe 50 pikë poshtë Bullgarisë.

“Një shqyrtim i kohëve të fundit, i aftësive njohëse duke përdorur rezultatet e nxënësve në teste të standardizuara të krahasueshme në nivel ndërkombëtar zbuloi se Shqipëria kishte vlerësimin më të ulët për aftësitë njohëse dhe se vetëm diçka më shumë se 40% e nxënësve i kishin arritur njohuritë bazë në matematikë dhe shkencë (20% më pak se Maqedonia, që ishte vendi i parafundit)”, - citon ky raport.

Grafiku i shpenzimeve nga buxheti i shtetit për arsimin në vitet 2005-2013
(Foto: Grafiku i shpenzimeve nga buxheti të shtetit për arsimin në vitet 2005- 2013)
Tabela analfabetëve e USAID
(Foto: Tabela e nivelit të analfabetizmit sipas USAID)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.07.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Bebe Rexha feston ditëlindjen, fik qiriun në mënyrë të pazakontë

Bebe Rexha feston ditëlindjen, fik qiriun në mënyrë të pazakontë