Një ditë pas miratimit të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, i cili u shoqërua me reagime nga politika në Tiranë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi këtë të enjte interpretimin që qeveria i ka bërë amendamentit 17 për zonat e mbrojtura, duke akuzuar zyrën e Kryeministrit për “dezinformim” dhe duke pretenduar se dokumenti i miratuar në Strasburg kërkon rishikimin e ndryshimeve ligjore të bëra nga socialistët
Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se gjatë diskutimeve në Parlamentin Europian janë ngritur shqetësime që lidhen me korrupsionin, investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura dhe pastrimin e parave.
“Po diskutoheshin raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pothuajse të gjithë eurodeputetët ngritën të njëjtat shqetësime për atë që po ndodh sot në Shqipëri. Ata ishin të qartë se protesta që zhvillohet sot në vend lidhet me akumulimin e problemeve të 14 viteve të fundit: me sistemin që ka ndërtuar Edi Rama, me arrogancën e pushtetit, me korrupsionin dhe me ligjet me porosi”, deklaroi ajo.
Duke komentuar më tej amendamentin për zonat e mbrojtura, Tabaku tha se formulimi i miratuar kërkon rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe garantimin e vlerësimeve mjedisore sipas standardeve europiane.
“Kishte disa amendamente të propozuara nga grupi i të Gjelbërve, të cilat PPE i trajtoi me përgjegjësi dhe në fund u arrit një formulim që reflekton kërkesat e protestuesve. Amendamenti dënon ligjin e investimeve strategjike dhe kërkon pezullimin e tij të menjëhershëm. Po ashtu kërkon rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe garantimin që çdo projekt të shoqërohet me vlerësime të plota mjedisore, konsultim me shoqërinë civile dhe me komunitetet lokale”, tha ajo.
Tabaku akuzoi gjithashtu qeverinë për mënyrën se si është paraqitur publikisht dokumenti i miratuar në Strasburg.
“Unë e kuptoj që disa përfaqësues të politikës shqiptare nuk patën mundësi të zhvillonin takime dhe të dëgjonin nga afër diskutimet që u zhvilluan atje, por dezinformimi që ka ardhur nga zyra e Kryeministrit gjatë dy ditëve të fundit është i paprecedentë”, deklaroi deputetja e PD-së.
Reagimi i Tabakut vjen një ditë pasi Parlamenti Europian miratoi raportin vjetor për Shqipërinë. Në dokument u përfshi edhe një amendament që u bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin një moratorium për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura deri në përshtatimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian.
Pas votimit në Strasburg, kryeministri Edi Rama përshëndeti miratimin e raportit dhe deklaroi se “flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet”, duke theksuar se çdo projekt do t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Fjala e Tabakut para mediave
Përshëndetje dhe faleminderit që jeni këtu.
Sot Parlamenti nuk na dha hapësirën për të folur, ndaj po ndaj me ju dy çështje që lidhen me diskutimet e dy ditëve të fundit në Parlamentin Europian.
Së pari, dua të falënderoj dy raporterët për Shqipërinë, Andreas Schieder dhe Andrey Kovatchev, si dhe të gjithë eurodeputetët që bënë të mundur që dje në Parlamentin Europian në Strasburg të flitej për Shqipërinë. Dhe atje, në fakt, u fol për Shqipërinë reale.
Po diskutoheshin raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pothuajse të gjithë eurodeputetët ngritën të njëjtat shqetësime për atë që po ndodh sot në Shqipëri.
Ata ishin të qartë se protesta që zhvillohet sot në vend lidhet me akumulimin e problemeve të 14 viteve të fundit: me sistemin që ka ndërtuar Edi Rama, me arrogancën e pushtetit, me korrupsionin dhe me ligjet me porosi.
Jo rastësisht në diskutime u përmendën ligji i investimeve strategjike, ligji i zonave të mbrojtura, ligji për trashëgiminë kulturore, korrupsioni dhe shumë elementë të tjerë që kanë detyruar qytetarët shqiptarë të dalin sot në rrugë.
Ajo që është e rëndësishme është se shqetësimet e protestuesve nuk janë më vetëm shqetësime lokale. Ato janë tashmë shqetësime europiane.
Ne i kemi ngritur këto çështje në Parlament, i kemi adresuar në Komisionin Europian dhe në Parlamentin Europian, por sot janë qytetarët shqiptarë ata që i kanë detyruar institucionet europiane t’i artikulojnë publikisht.
Një tjetër element shumë i rëndësishëm lidhet me pastrimin e parave. Dosjet që SPAK ka ekspozuar javën e fundit kanë treguar pikërisht arsyet pse qytetarët janë në rrugë.
Për vite me radhë kemi paralajmëruar se paratë e krimit, të drogës dhe të korrupsionit po pastrohen në sektorin e ndërtimit dhe në turizëm. Kjo reflektohet tashmë edhe në raportin e Parlamentit Europian.
Madje, më vjen mirë që propozimet që kam bërë prej dy vitesh për të kufizuar hyrjen e parave informale në sektorin e ndërtimit janë sot pjesë e diskutimeve europiane.
Për ta mbyllur, dua të sqaroj edhe çështjen e amendamentit të fundit që u diskutua dje.
Kishte disa amendamente të propozuara nga grupi i të Gjelbërve, të cilat PPE i trajtoi me përgjegjësi dhe në fund u arrit një formulim që reflekton kërkesat e protestuesve.
Amendamenti dënon ligjin e investimeve strategjike dhe kërkon pezullimin e tij të menjëhershëm. Po ashtu kërkon rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe garantimin që çdo projekt të shoqërohet me vlerësime të plota mjedisore, konsultim me shoqërinë civile dhe me komunitetet lokale.
Gjithashtu, kërkohet që asnjë projekt të mos avancojë pa u përmbushur standardet dhe kërkesat europiane.
Kjo është e vërteta.
Unë e kuptoj që disa përfaqësues të politikës shqiptare nuk patën mundësi të zhvillonin takime dhe të dëgjonin nga afër diskutimet që u zhvilluan atje, por dezinformimi që ka ardhur nga zyra e Kryeministrit gjatë dy ditëve të fundit është i paprecedentë.
Sa i përket pyetjes nëse këto rekomandime janë detyruese, është e vërtetë që rezoluta nuk ka fuqi të drejtpërdrejtë ligjore. Por Parlamenti Europian do të japë fjalën e tij për Shqipërinë në çdo hap të procesit të integrimit.
Nëse Mali i Zi ka avancuar në negociata dhe ka mbyllur kapituj të rëndësishëm, Shqipëria do të duhet të raportojë dhe të japë llogari për zbatimin e çdo rekomandimi që përfshihet në këto dokumente.
Sa për vullnetin politik të mazhorancës, unë e kam humbur besimin se ai ekziston. Nëse do të kishte vullnet politik, këto ligje nuk do të ishin miratuar kurrë.
Sot Shqipëria ka përpara dy rrugë: rrugën e integrimit europian ose rrugën e ligjeve me porosi dhe të shtetit të kapur.
Komente






