Raporti sekret/ Dritan Gina i korruptuar, Rovena Gashi e papërshtatshme

Ish-drejtuesja e Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, është një individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale, ndërsa bashkëshorti i saj prokuror, Dritan Gina është implikuar në veprimtari korruptive. Ky është konstatimi i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, përmes një raporti të siguruar nga Shqiptarja.com. DSIK, për llogari të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka hartuar dy raporte mbi pastërtinë e figurës së Rovena Gashit, e shkarkuar nga detyra në 27 korrik 2018, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.

Në raportin e parë, DSIK e shpallte zonjën Gashi të përshtatshme për të vijuar detyrën. Ndërsa në raportin e dytë, që mban datën 23 prill 2018, DSIK thotë se Gashi është e papërshtatshme për të vijuar detyrën. Shkak për ndryshimin e konstatimit mbi pastërtinë e figurës së zonjës Gashi janë bërë të dhënat për bashkëshortin e saj, Dritan Gina, i cili ushtron detyrën e prokurorit. “...Pas verifikimeve të kryera për znj. Rovena Gashi, rezulton se, nuk disponohen të dhëna. ...

Ndërsa për bashkëshortin e Rovena Gashit, shtetasin Dritan Gina, me detyrë (në atë kohë) drejtues pranë PRGJ Elbasan (gjithashtu subjekt rivlerësimi), disponohen të dhëna për përfshirje në veprime të kundërligjshme, shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv të prokurorit...”, thuhet në raportin e DSIK. Sipas Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, veprimtaria e Dritan Ginës afekton edhe zonjën Gashi. “Në këndvështrimin e përgjithshëm të kontrollit apo pastërtisë së figurës së një funksionari publik, në rastin tonë, për subjektin e rivlerësimit Rovena Nuredin Gashi dhe bashkëshortin e saj Dritan Gina në cilësinë ‘person i lidhur’, të dhënat që disponohen dhe çdo dyshim i arsyeshëm për kryerje ose moskryerje të veprimeve, në kundërshtim me ligjin, në mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe kur këto veprime apo mosveprime sjellin përfitime materiale ose jomateriale të padrejta për vete si funksionar publik apo persona të tjerë të lidhur me të, duke dëmtuar interesin e ligjshëm të shtetit apo të personave të tjerë, cenojnë figurën e tij, integritetin, shkallën e besueshmërisë dhe e bëjnë subjektin e rivlerësimit znj. Rovena Gashi një individ të mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale, sipas përcaktimit të germës ‘c’, të nenit 37 të ligjit 84/2016”, thuhet në raport.

Pasojat e raportit

Jo të gjitha raportet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar merren në konsideratë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në rastin konkret, KPK ka vendosur që të rivlerësojë zonjën Rovena Gashi vetëm për kriterin e ligjshmërisë së pasurive. Ky kriter ka mjaftuar që KPK të vendosë shkarkimin e saj nga detyra. Për rrjedhojë, Gashi ka nisur një betejë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për të rrëzuar vendimin e KPK. Pra, KPK nuk është shprehur nëse konkluzioni i DSIK për zonjën Gashi është apo nuk është i bazuar. Ndërkaq, për bashkëshortin e saj, Dritan Gina, mbi të cilin rëndon më shumë raporti, ende nuk ka nisur procesi i Vetingut, pasi nuk është përzgjedhur përmes shortit. Gina do t’i nënshtrohet Vetingut gjatë muajve ose viteve në vijim.

Përplasja me Arta Markun

Çifti i prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina janë përfshirë në një kurs përplasjesh me kryeprokuroren e përkohshme, Arta Markun. Me rënien e Adriatik Llallës, Dritan Gina u shkarkua si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit ku ishte i komanduar duke u rikthyer në Tiranë, ndërsa gruaja e tij, Gashi u shkarkua nga posti i drejtueses së Njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kaluar prokurore e thjeshtë. Më pas, Gashi-Gina u pezulluan nga detyra pas akuzës për “refuzim për deklarim”, “fshehjes së pasurisë” dhe “deklarimit të rremë të pasurinë” nga Prokuroria e Durrësit. Por, kohë më parë, Gjykata e Apelit Administrativ iu ka dhënë të drejtë çiftit të prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina në gjyqin me kryeprokuroren e përkohshme. Apeli e rrëzoi vendimin e pezullimit. Megjithatë, Rovena Gashi nuk mund të rikthehet në detyrë, pasi u shkarkua nga Vetingu. Ndërkaq, mbetet për t’u parë nëse vendimi i KPK për shkarkimin e Rovena Gashit, do të përcaktojë ose jo fatin e bashkëshortit të saj, Dritan Gina, me funksion prokuror, meqenëse çifti kanë deklaruar pasuri të përbashkët.

Raporti i DSIK për Rovena Gashin

Konstatimi i DSIK

Prokurorja Rovena Gashi është një individ i mundshëm për t’u përfshirë nën presion nga strukturat kriminale, ndërsa bashkëshorti i saj prokuror, Dritan Gina është implikuar në veprimtari korruptive.

Dy raporte

DSIK ka hartuar dy raporte mbi pastërtinë e figurës së Rovena Gashit. Në raportin e parë, e shpallte Gashin të përshtatshme për të vijuar detyrën. Ndërsa në raportin e dytë, që mban datën 23 prill 2018, DSIK thotë se Gashi është e papërshtatshme.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ema: 05/04/2019 10:03

    Si mund te jete i korruptuar burri i asaj qe merej me shqyrtimin e pastertise se figures per zyrtaret e larte????? Dhe Krimet e Renda Heshtin..... Dhe Ambasada Amerikane ne Tirane Hesht....

    Përgjigju
  • Rovena: 05/04/2019 08:52

    Aaaa Dritan Gina i Korruptuar? Dhe nuk po hetohet? Po si eshte e mundur? Llalla mbi 1 miliarde leke pasuri te pajustifikuar dhe nuk po arrestohet ende?

    Përgjigju
    • Toni: 05/04/2019 12:56

      Do te thote qe nuk ja paske idene e Vettingut ti

    • Rovi: 05/04/2019 12:21

      Pazaret e Gines ne Elbasan per me mbyll dosjet penale jane ne shuma stratosferike. Si eshte e mundur qe nuk eshte shkarku e arrestu akoma ky person dhe tutorja e tij Rovena?

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit