Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri.

Schieder tha se Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se mbështesin punën e SPAK.

“Puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe puna e SPAK të mos pengohet nga institucione të tjera”, tha ai.

Schieder komentoi edhe protestat e dhunshme të Sali Berishës, duke thënë se nuk duhet të përdoren molotov, por të luftohet me argumente në skenën politike.  

"Të mos fillohet me molotovë, por të luftohet fort me argumente në skenën politike aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë", tha ai.

Schieder komentoi edhe rastin e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon arrestimin, duke thënë se është i sigurt që Kuvendi do të marrë vendimin e duhur. 

Lajmi në përditësim..

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:03
Schieder-gazetarëve: Mos më pyesni për çdo gjë që thotë Berisha, do më duhet të dal nga roli im institucional (VIDEO)

Gjatë konferencës vjetore, raportuesit të PE për Shqipërinë Andreas Schieder iu drejtuan disa pyetje lidhur me deklaratat dhe pretendimet e Sali Berishës, një ndër ta ishte edhe rasti i AKSHI-t. Pasi mori disa pyetje rresht nga gazetarët për Berishën, Schieder dha këtë përgjigje.

“Mos më bëni pyetje për gjithçka thotë Berisha dhe mos më shtyni të komentoj çdo gjë që thotë ai. Sepse do dal nga roli im insitucional pastaj”, tha Schieder.

Ora 09:58
Protestat e dhunshme të opozitës/ Schieder: Demokracia me molotov nuk është e mirë (VIDEO)

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder komentoi dhe protestën e opozitës të zhvilluar më 24 janar. Schieder tha se në Shqipëri situata nuk është aq dramatike sa pasqyrohet në media, duke shtuar se demokracia me molotov nuk është e mirë.

“Së pari personi që i dha emri këtij kokteji, kontributi i tij në histori nuk ka qenë vetëm pozitiv, demokracia me molotov nuk është e mirë. Javën e shkuar pamë fotografi në media për protestat që dukeshin dramatike. Pastaj kur vjen këtu dhe sheh një situatë më pak dramatike. Duhet të jeni të ndërgjegjshëm dhe për perceptimin që prodhoni nga mediat në mendjen e qytetarëve evropianë. E di që demokracia funksionon mirë, që ka debate deri në orën 4 të mëngjesit, dhe që ka hapësirë për opozitën dhe mazhorancën për të diskutuar, është një demokraci normale. Ndonjëherë e ke qejf dikë, ndonjëherë e urren. Por të mos e dramatizojmë më shumë seç duhet. Mendoj që është edhe më e rëndësishme që të gjejmë mesin e artë. Zgjedh funksionimin normal të një demokracie”, tha Schieder.

Ora 09:51
Protestat e dhunshme të Berishës, Schieder: Të mos përdoret molotov, por të luftohet me argumente (VIDEO)

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder i bëri thirrje aktorëve politikë për dialog për të çuar para rrugën e Shqipërisë drejt BE. Schieder komentoi edhe protestat e dhunshme të Sali Berishës, duke thënë se nuk duhet të përdoren molotov, por të luftohet me argumente në skenën politike.  

“Si politikan ti ke mendimin tënd personal, por duhet të përmbushësh edhe rolin tënd institucional. Nuk qëndroj si eurodeputet me idetë e mia për zhvillimet politike apo për sjelljen e deputetëve të caktuar. Unë qëndroj si raportuesi në PE. Këtu nuk është çështja për mendimin tim personal, ne si PE, mendojmë që ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëj një hap para, të mos dramatizohet çdo gjë, të mos fillohet me molotovë, por të luftohet fort me argumente në skenën politike aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë e duan integrimin. Kjo është gjëja më emirë që mund ti tregojë Shqipëria-Europës. Mësova që ka unanimitet për disa çështje të politikës së jashtë, do doja që çështje të tilla europiane të sjellin ndryshimin e kulturës edhe në çështje të tjera. Shqipëria ka patur ecuri madhore në negociata. Në pranverë Shqipëria do fillojë të mbyllë kapitujt, do vazhdojë të jetë pararojë për zgjerimin. Nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e kapitujve, por edhe për mbylljen. Ideja e ligjit nuk është që ne e kënaqem BE. Shqipëria kë vendosur ti përkushtohet reformave, sidomos për luftën kundër krimit të organizuar. Arena politike, duhet të bëni të pamundurën që të ketë komunikim të duhur për mënyrën se ku është Shqipëria tani dhe se ku do arrijë në të ardhmen”, tha ai.

Ora 09:48
A do të përfshihet çështja ‘Balluku’ në raportin për PE? Schieder: Nuk  komentojmë çështje ligjore, i sigurt që Kuvendi do të marrë vendimin e duhur

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder i është përgjigjur pyetjes së gazetares së Report Tv,  Esiona Konomi lidhur me përfshirjen e çështjes së imunitetit për zv/kryeministren Belinda Balluku në raportin për Parlamentin Evropian.

Schieder tha se Parlamenti Evropian nuk komenton çështje ligjore, ndërsa shtoi se të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK  duke bërë secila hallkë punën e nevojshme.

“Më duhet të them që së pari parlamenti evropian nuk komenton çështje ligjore dhe mendoj që gjithashtu është standard i mirë që institucionet të kryejnë punën e tyre, në këtë rast SPAK dhe të tjerët duhet të bëjnë punën e tyre me gjetjet e tyre ashtu siç e mendojnë ato që është e nevojshme. Të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK. Nuk është për Parlamentin Evropian për të bërë komente specifike. Jam i sigurt dhe për parlamentin në Shqipëri që me këtë përbërje që ka do të bëhen të gjithë diskutimet e duhura dhe do të merren vendimet e duhura”, tha Andreas Schieder.