Reforma në Drejtësi, Sokol Sadushi: Kemi ulur numrin e dosjeve në Gjyaktën e Lartë nga 36 mijë në rreth 29 mijë

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi gjatë fjalës së tij në konferencën e mbajtur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, u shpreh se gjatë këtyre tri viteve Gjykata e Lartë ka bërë një punë voluminoze. Gjykata e Lartë tha Sadushi, ka 15 gjyqtarë, 24 këshilltarë ligjorë, një staf që plotësohet vazhdimisht, por edhe shumë dosje, ritmi i shqyrtimit të të cilave nuk duket aq pa shpresë sa 3 vjet më parë. Gjatë fjalës së tij në takimin e zhvilluar në Këshillin e Lartë Gjyqësore tha se asistenca e partnerëve ndërkombëtare është jo vetëm e mirëpritur por edhe e nevojshme. Sadushi tha se 3 vite më parë e gjetën në gjykatën e Lartë 36.000 dosjeve, sot numri i tyre është ulur në 29,674.

Fjala e plotë e Sokol Sadushit

"Viti 2023 që po presim shënon fundin e mandatit të parë pesëvjeçar të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por edhe vitin e tretë të riformatimit dhe rifunksionimit të Gjykatës së Lartë. Kjo kërkon paraqitjen e një bilanci pune për secilin prej nesh. Padyshim që vështirësitë kanë qenë dhe janë të pranishme, por nëse flasim vazhdimisht vetëm për to, natyrshëm, mund të kthehesh në peng të tyre dhe suksesi duket i paarritshëm. Prandaj krahas sfidave  të përmendim dhe arritjet.

Gjykata e Lartë rinisi punën e saj në prill 2020, në një situatë të paprecedentë, në kulmin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, vetëm me 3 gjyqtarë, me gjysmën e administratës në dispozicion, me një godinë që nuk i përshtatet tërësisht funksionit të saj dhe me më shumë se 36.000 çështje, në pritje për tu shqyrtuar!

Sot, pa kaluar ende 3 vjet nga rifillimi i punës, bilanci duket pozitiv dhe shpresëdhënës. Gjykata e Lartë ka 15 gjyqtarë, 24 këshilltarë ligjorë, një staf që plotësohet vazhdimisht, por edhe shumë dosje, ritmi i shqyrtimit të të cilave nuk duket aq pa shpresë sa 3 vjet më parë. Nëse backlogun e gjetëm në shifrat e 36.000 dosjeve, sot numri i tyre është ulur në 29,674.

Numrat flasin mjaftueshmërisht, por nuk thonë gjithçka. Po të  krahasojmë numrin e çështjeve që prisnin të gjykoheshin në vitin 2020 me ato të fundit të vitit 2022, mund të krijohet ideja se deri tani janë shqyrtuar 7000 dosje, ndërkohë që numri i vendimeve që janë dhënë është 11.024. E thënë ndryshe, sipas termave të administrimit gjyqësor, shkalla e evadimit të çështjeve (clearance rate) për çdo gjyqtar është mbi 270%! Nëse do t’i referohemi vitit 2017, kur Gjykata e Lartë ka funksionuar me 17 gjyqtarë dhe me numër të plotë prej 33 këshilltarësh, çdo gjyqtar gjykonte mesatarisht 256 çështje në vit, ndërsa gjatë vitit 2022 numri i vendimeve për gjyqtarë është 362, me një rritje prej 141%.

Ndjehemi mirë kur deklarojmë këto shifra, por njëkohësisht kemi edhe përgjegjësinë për të gjetur mënyra më efikase për të ulur numrin e çështjeve të prapambetura. Nga ana tjetër, Ne gjyqtarët e Gjykatës së Lartë jemi të ndërgjegjshëm se opinioni publik ka pritshmëri, jo vetëm për vendimmarrje të shpejtë, por edhe cilësore dhe të qëndrueshme. Gjetja e një raporti të drejtë midis gjykimit shpejtë dhe me cilësi është sfida jonë e madhe.

Qytetarët presin drejtësi dhe ndryshe nga dosjet gjyqësore nuk mund të trajtohen si çështje numrash. Ata meritojnë vëmendjen e duhur, pasi secili prej tyre ka një histori njerëzore të mishëruar në një çështje gjyqësore. Çdo çështje duhet parë me vëmendje, jo vetëm për efektin që sjell në praktikën gjyqësore në përgjithësi, por edhe për palët në veçanti. Ata duhet të marrin sinjalin e duhur se çështja e tyre po gjykohet me vëmendjen që i takon. Nga ana tjetër, gjyqtarët nuk mund të jenë vazhdimisht dhe pa ndërprerje nën presionin e evadimit të shpejtë të çështjeve që janë akumuluar prej dekadash.

Gjykata e Lartë po e kryen funksionin e vet kushtetues të njësimit dhe zhvillimit të praktikës gjyqësore, duke kërkuar vazhdimisht mënyra, mjete dhe rrugë të reja që sigurojnë shpejtësi, korrektësi, cilësi dhe transparencë në vendimmarrje. Ky është një proces i vazhdueshëm që kërkon një vizion të qartë dhe angazhim serioz për ta realizuar.

Prandaj çdo kontribut në këtë drejtim i aktorëve brenda dhe jashtë sistemit gjyqësor është i mirëpritur. Të tillë e kemi trajtuar edhe ndihmën e pakursyer dhe të vlefshme që ka dhënë Projekti “Justice for All", i financuar fillimisht nga USAID dhe tashmë nga INL, me fokus uljen e numrit të çështjeve të prapambetura. Ky projekt ishte partneri ynë kryesor, menjëherë pasi Gjykata e Lartë rinisi funksionimin e saj. Falë tij, Ne arritëm të identifikonim numrin, kategoritë dhe natyrën e çështjeve që prisnin të gjykoheshin. Inventarizimi i të gjitha çështjeve dhe hartimi i një plan veprimi për kategorizimin e tyre, me qëllim shqyrtimin sipas prioriteteve që ato mbartin, ishte hapi i parë dhe më i rëndësishëm që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe drejtuesit e projektit ndërmorën. Mbi këtë metodologji u orientuan nëpunësit e uljes së numrit të çështjeve të prapambetura (NUNCP) që të përpunonin të dhënat, pa hyrë në përgatitjen e relacioneve që kërkon një dosje gjyqësore për shqyrtim, që për shkak të natyrës është dhe mbetet përgjegjësi ligjore vetëm e gjyqtarit të çështjes dhe e këshilltarëve të Njësisë Ligjore.

Pas afro 3 vjetësh rezulton të ketë qenë hapi i duhur dhe më efikas për uljen e numrit të backlogut të trashëguar, si dhe për ruajtjen e legjitimitetit vendimmarrës të Gjykatës së Lartë. Rreth 70% e çështjeve të kategorizuara e përpunuara paraprakisht nga nëpunësit (NUNÇP) dhe të dorëzuara pranë këshilltarëve ligjorë, janë shqyrtuar nga Gjykata. Tashmë, këta nëpunës janë më të orientuar, por edhe shumë më profesionistë për produktin që nxjerrin.

Situata sot në Gjykatën e Lartë është në një zhvillim dinamik dhe e tillë parashikohet edhe për vitet në vijim. Tashmë jemi të qartë dhe të ndërgjegjshëm, jo vetëm për sfidat që na presin, por edhe për masat që mund të merren, me qëllim përballimin e tyre. Gjykata e Lartë është drejt plotësimit përfundimtar të numrit të gjyqtarëve, por jo të këshilltarëve ligjorë, që duket se do të kërkojë kohën e vet.

Sidoqoftë, vetëm plotësimi i trupës gjyqësore dhe më pas edhe i këshilltarëve ligjorë nga radhët e magjistratëve, nuk pritet të sjellë ndonjë efekt thelbësor në uljen e backlogut, nëse nuk shoqërohet paralelisht edhe me masa të tjera. Përmirësimi i infrastrukturës dhe superstrukturës gjyqësore, qëndrueshmëria e vendimmarrjes së kolegjeve të Gjykatës së Lartë, përdorimi për një kategori të caktuar çështjesh i arsyetimit standard në vendimet gjyqësore, digjitalizimi edhe i disa proceseve manuale, filtrimi i rekurseve haptazi të pabazuara që në momentin e regjistrimit të tyre në Gjykatën e Lartë, edukimi në vijimësi i avokatëve privatë, por edhe të Avokaturës së Shtetit me rregullat e gjykimit kasacional, janë disa nga faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në efektivitetin e punës së kësaj gjykate.

Pa dyshim, të gjitha këto mund të mos kenë efektin e duhur, nëse vetë gjyqtarët nuk i qasen si duhet konceptit të drejtësisë. E kam thënë edhe më parë se është me rëndësi thelbësore që gjyqtarët të përshtaten me kërkesat dhe nevojat e gjykimit kasacional, me fokus kryesor kthimin e Gjykatës së Lartë në gjykatë ligji, e cila është e detyruar të kufizohet vetëm në shkaqet ligjore të rekursit. Nëse kjo ndodh rregullisht tek të gjithë trupat gjyqësore, brenda kolegjeve përkatëse, atëherë edhe sjellja e profesionistëve të tjerë të së drejtës do të ndjekë drejtimet që përcakton Gjykata e Lartë si institucioni që qëndron në krye të piramidës gjyqësore dhe që njëson dhe zhvillon praktikën gjyqësore.

Gjithashtu, ritheksoj se evadimi i çështjeve të prapambetura nuk duhet të kuptohet si një çështje vetëm e Gjykatës së Lartë. Ajo duhet të pranohet si një shqetësim që lidhet me nivelin e përfaqësimit profesional, si të institucioneve publike, ashtu edhe të avokatëve. Për këtë arsye, çdo rekursues dhe në veçanti institucionet publike, i kanë të gjitha mundësitë për të bërë detyrën e tyre për uljen e backlogut. Mjafton t´í referohemi shifrave në vite për të kuptuar se më shumë se 70% e rekurseve të paraqitura nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. Një shifër e tillë dëshmon për numrin shumë të lartë të rekurseve haptazi të pabazuara që paraqiten.

Shqyrtimi i rekurseve është padyshim një detyrë e kësaj Gjykate, por, nga ana tjetër, nevojitet ndërgjegjësimi i institucioneve publike, i Avokaturës së Shtetit dhe i avokatëve se moskalimi i testit të pranueshmërisë të rekurseve është një përgjegjësi e punës së tyre. Ka një zhvillim pozitiv për këtë vit me paraqitjen e një sërë kërkesash nga institucionet publike për të hequr dorë nga rekurset e ushtruara prej tyre, të cilat nuk kanë aktualitet (gjithsej 1461). Kjo masë duhet të shoqërohet njëkohësisht me mosparaqitjen në vijim të rekurseve të pabazuara apo pa ndonjë rëndësi themelore për njësimin e zhvillimin e praktikës gjyqësore. Përndryshe, krijimi i një backlogu të ri apo të shtuar do të mbetet i pranishëm, pavarësisht rendimentit të gjykimit nga Gjykata e Lartë.

Rikthimi i besimit tek sistemi i drejtësisë që kërkon angazhim maksimal nga të gjithë gjyqtarët, këshilltarët ligjorë dhe stafi administrativ është dhe mbetet sfida thelbësore e Gjykatës së Lartë, e cila mund të kapërcehet vetëm nëse të gjithë japin kontributin e tyre. Në këtë drejtim, asistenca e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë me ekspertizën më të mirë në çështjet e administrimit të drejtësisë, jo vetëm është e mirëpritur, por edhe e nevojshme për të çuar deri në fund misionin e reformës në drejtësi, e cila nuk do të ishte realizuar pa mbështetjen dhe kontributin e tyre.

Mbetemi shpresëplotë se projekti për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura do të vazhdojë të asistojë me të njëjtin përkushtim dhe cilësi si deri tani, por duke iu përshtatur kërkesave të fazës së re në të cilën gjendemi, jo më të një faze në emergjencë, por siç edhe është titulli i këtij eventi, të një faze që shkon “drejt ekselencës gjyqësore”!

Ju faleminderit!


Lajmi kryesor:

A do t'i shtyhet mandati? Kim: Do të jem këtu për pak më gjatë! Mesazh politikës: SHBA do të mbështesë Reformën në Drejtësi, edhe pse s'ju pëlqen


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë