Komisioni i Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale u konstituua sot  me Arbjan Maznikun në krye dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila ka paralajmëruar bojkotin.

Në mbledhjen e parë, Mazniku i bëri ftesë opozitës të zërë vendet në komision, ndërsa prezantoi edhe hapat e fazës së dytë të reformës.

“Te faza e parë u fokusuam te territori, kaluam nga 61 në 46 bashki. Njësitë administrative ruhen, bashkitë e reja do të konstituohen në zgjedhjet e reja vendore të vitit 2027. Faza e dytë do të ketë katër kolona pune: qeverisja është e para, funksionet, financat dhe realizimi”, tha Mazniku.

Kreu i komisionit bëri të ditur se gjatë kësaj faze do të rishikohen tre ligje që lidhen me organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor. Bëhet fjalë për ligjin nr. 139 për vetëqeverisjen vendore, ligjin nr. 68 për financat e vetëqeverisjes vendore dhe ligjin nr. 102 për zhvillimin rajonal dhe kohezionin ndërsa komisioni ka një afat deri në gjashtë muaj për hartimin e projektligjeve.

“Lidhur me ndryshimin e ligjit 139 për funksionet e pushtetit vendor, duhet ta ndajmë punën në dy elemente: çështjet që lidhen me zgjedhjet vendore të vitit 2027, që ato amendime t'i realizojmë brenda vitit 2026.  Gjërat e tjera për financat dhe realizimin duhet të synojmë të miratohen brenda sesionit të ardhshëm parlamentar”, tha Mazniku.

Një pjesë të fjalës së tij, Mazniku ia kushtoi edhe mungesës së opozitës në komision. Ai theksoi se një reformë që prek organizimin e shtetit nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse realizohet vetëm nga njëra palë politike.

"Është e rëndësishme të përmend parimin e gjithëpërfshirjes. Një reformë që prek në mënyrë të qenësishme arkitekturën e shtetit nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ndërtohet nga një palë e vetme. Ftesa është e hapur sot për të gjithë kohëzgjatjen e komisionit, për opozitën që i kërkojmë të zërë vendet sot dhe në çdo mbledhje sipas miratimit të komisionit dhe do të ketë gjithë hapësirën e saj”, shtoi ai. 

Ai kërkoi që opozita të prezantojë në Kuvend anëtarët e saj, duke theksuar se komisioni synon të zhvillojë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës.

“Opozita të prezantojë në seancë anëtarët e saj. Kjo është një ftesë e hapur për frymën se si ky komision synon të vijojë punën, në mënyrë të hapur e gjithëpërfshirëse. Kjo detyrë e komisionit është tejet kritike, pasi i jep thelb dhe përmbajtje punës që bëmë në fazën e parë të komisionit, pasi reforma do të quhej e paplotë pa u plotësuar me elementët e tjerë”, tha ai.

Mazniku shpjegoi gjithashtu se puna për fazën e dytë të reformës do të zhvillohet në bashkëpunim me qeverinë, ministritë, agjencitë kombëtare dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor.

Kreu i komisionit u bëri ftesë edhe universiteteve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë që të përfshihen në proces dhe të kontribuojnë me propozime për fazën e dytë të reformës.

“Është një ftesë për universitetet dhe shoqërinë civile që të sjellim zgjidhjet më të mira të mundshme për detyrat e komisionit. Një ftesë për partnerët ndërkombëtarë që merren me pushtetin vendor dhe janë të gatshëm të na ndihmojnë në këtë proces”, tha Mazniku.

Komisioni do të drejtohet nga Arbjan Mazniku, i cili ka mbajtur të njëjtin rol edhe në fazën e parë të reformës. Pjesë e tij nga mazhoranca socialiste janë Blendi Klosi, Briseida Çakërri, Besa Spaho, Ermal Pacaj, Onid Bejleri, Aulona Bylykbashi, Klevis Jahaj dhe Ermal Elezi. 

Me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Komisioni miratoi ndryshimin e përbërjes së tij, duke shtuar dy anëtarë të tjerë dhe duke e çuar numrin e përgjithshëm në 18.

Sipas ndryshimit të miratuar, komisioni do të përbëhet nga 9 anëtarë të PS-së, 5 të PD-së, 1 nga Aleanca për Ndryshim, 1 nga Partia e Lirisë dhe 2 anëtarë nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Emrat e anëtarëve do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.

Propozimi u hodh në votim dhe u miratua nga anëtarët e pranishëm në mbledhje.

Ndërkohë, detyrën e sekretarit të komisionit e mori Klevis Jahaj.

 

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
5.0 / 5 (1 vlerësim)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 3 Nëntor, 11:50

    Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?