Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar të martën për reformën e re territoriale, duke kundërshtuar çdo mundësi që Bashkia e Fushë-Arrëzit të preket nga ndryshimet e rekomanduara nga socialistët. Në një postim në rrjete sociale, Meta pretendon se propozimi për shkrirjen e Fushë-Arrëzit nuk lidhet me riorganizimin territorial, por me goditjen e një bashkie që, sipas tij, ka pasur sukses në administrim nën drejtimin e kryetarit Hil Curri.
Meta shprehet se Fushë-Arrëzi është një bashki me potencial të madh zhvillimi dhe pretendon se prekja e saj synon shpopullimin e zonës për t'u hapur rrugë, sipas tij, "grabitqarëve të 'Paketës së Maleve'". Ai vlerëson punën e administratës vendore dhe akuzon kryeministrin Edi Rama se kërkon ta godasë këtë bashki, ndërsa thekson se Fushë-Arrëzi meriton mbështetje dhe nuk duhet të shkrihet. Ndërkohë, banorët e Fushë-Arrëzit kanë protestuar kundër propozimit socialist për reformën territoriale, që parashikon bashkimin e bashkisë me Pukën.
"Bashkia e Fushë-Arrëzit është ndër bashkitë me resurse të gjithanshme për zhvillim, me performancën më të lartë ndër 9 bashkitë e para dhe që kontribuon me mbi 200 milion euro në vit për GDP-në. Me bukuri natyore të jashtëzakonshme, fatmirësisht me masive pyjesh me shumë mundësi për turizmin malor, goditja ndaj Fushë-Arrëzit synon shpopullimin e kësaj treve për të krijuar vakumin që do të plotësohet nga grabitqarët e "Paketës së Maleve". Ky sulm është edhe kundër suksesit të jashtëzakonshëm në menaxhimin e kësaj bashkie nën drejtimin e opozitës, në veçanti të Kryetarit, z. Hil Curri dhe punonjësve të përkushtuar të administratës. Z. Mazniku, që nuk ka qenë asnjëherë në Fushë-Arrëz, as për të takuar këshilltarët e PS dhe jo më qytetarët, i sugjeroj që të çojë në Fushë-Arrëz punonjësit e administrave të bashkive që i ka marrë "Rilindja" për t'i trajnuar të punojnë si administrata e shkëlqyer e Fushë-Arrëzit që për shërbime, përkushtim, sjellje, transparencë e llogaridhënie mund të krahasohet vetëm me bashkitë e vendeve skandinave. Falë këtyre aftësive menaxhuese të Kryetarit Curri dhe të kësaj administrate, të politikave dhe projekteve për nxitjen e investimeve, por edhe të mbështetjes së diasporës, ka nisur popullimi i kësaj treve. Pikërisht prandaj Edi Rama kërkon ta godasë, sepse axhenda e tij është shpopullim e shkombëtarizim. Edhe në respekt të vuajtjeve të shumë intelektualëve të dënuar dhe të internuar politikë, Bashkia e Fushë-Arrëzit meriton vetëm mbështetje, por kurrë të shkrihet", shkruan Meta.
Meta theksoi gjithashtu se mbështet plotësisht protestën e banorëve të Orikumit, e cila u zhvillua dje, ku qytetarët kërkuan statusin e bashkisë dhe shkëputjen nga Bashkia Vlorë. Për Metën, kjo është e vetmja rrugë që qytetarëve t'u kthehen shërbimet, teksa theksoi se shkrirja e bashkisë Orikum me Vlorën në 2014-ën, ishte dështim total.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e banorëve të Orikumit, e cila u zhvillua dje, të cilët kërkojnë rikthimin e statusit të bashkisë për Orikumin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta e cilësoi kërkesën e banorëve të Orikumit si “plotësisht legjitime”, ndërsa kritikoi bashkimin e Orikumit me Bashkinë e Vlorës.
Sipas Metës, faktet kanë provuar “dështimin total” të këtij organizimi, ndërsa theksoi potencialet që ka Orikumi për zhvillimin ekonomik, veçanërisht në sektorin e turizmit.
“Potencialet për zhvillimin e Orikumit, që të jetë bashki më vete, janë të jashtëzakonshme, nga turizmi malor te ai bregdetar, që mund të krijojnë mirëqenie dhe vende pune për mijëra familje”, shkruan Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë kritikoi gjithashtu Bashkinë e Vlorës për problematikat që, sipas tij, vijojnë të mbeten të pazgjidhura, duke përmendur ujin e pijshëm, menaxhimin e mbetjeve urbane dhe shërbimet bazë për qytetarët.
Meta deklaroi se Orikumi nuk duhet të trajtohet më si “aneks i Vlorës”, ndërsa e lidhi kërkesën e banorëve të Orikumit me alternativën e opozitës për rikthimin e 100 bashkive.
“Alternativa e opozitës për rikthimin e 100 bashkive është rruga e vetme për t’iu kthyer shërbimet më pranë qytetarëve dhe për t’i dhënë fund rrëmbimit të pushtetit vendor dhe financave të tij”, shprehet ai.
Në postimin e tij, Meta përmendi edhe banorët e Selenicës, duke i bërë thirrje që të mbrojnë Bashkinë e tyre nga një bashkim i mundshëm me Bashkinë e Vlorës.
Në fund, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka kontrollin “de facto” të Bashkisë së Vlorës dhe se është i fokusuar te tokat në bregdet dhe betonizimi i tyre. Meta përmendi gjithashtu shkarkimin e mbi 15 drejtorëve të Kadastrës, e cila sipas tij bëhet pikërisht për këtë arsye, betonizimin e bregdetit.









Komente
Komento