Disa ditë pas socialistëve, edhe PD duket se ka avancuar me propozimet fillestare për ndarjen e re të territorit, me kryefjalë më shumë bashki, rikthimin e komunave në zonat malore dhe ndarjen e vendit në jo më shumë se 8 rajone, që do të zëvendësonin 12 qarqet aktuale.
Në një tryezë që bëri bashkë drejtuesit e PD, përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Territoriale, kryetarë bashkish dhe ekspertë, Sali Berisha tha se rajonet janë ndarja më e pranueshme në të gjithë Europën.
“Ne duhet t’i japim përgjigjen më të shkëlqyer dy çështjeve themelore. Së pari interesave dhe shërbimeve të qytetarëve shqiptarë. Së dyti, përshtatjen me të gjitha kriteret e BE-së, mbasi siç dihet Europa e Bashkuar është edhe Europa e rajoneve”, tha Berisha.
Ndërsa bashkëdrejtuesi i PD në komisionin e posaçëm për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi tha se më shumë bashki do t’i jepnin pushtet real njësive vendore:
“Rritje numri bashkish sidomos tek zonat me mungesë shërbimesh. Zgjidha jonë rikonceptim i shërbimeve pranë qytetarëve, rritje llogaridhënie, forcon demokracinë vendore, nuk krijon kosto shtesë nëse shoqërohet me shpërndarje funksionesh. Opsioni unë konsiston edhe në rritjen e numrit të bashkive me rolin e rajoneve ose qarqeve, për të shkuar të decentralizimi real, bashki të shtuara plus rajone, numri është deri në 8 rajone, ose me qarqet aktuale me funksione të qarta dhe të përcaktuara. Thelbi është krijimi i bahskive të reja", tha Boçi.
"Standardi për Shqipërinë malore, kodrinore. Duhet të kthejmë komunat në të gjitha zonat kodrinore e malore ku ekzistojnë një numër i caktuar banorësh. Unë nuk mund të them aty ku nuk ka banorë, se ajo është proces i gjatë i ripopullimit. Por duhet të rikthehen të gjitha zonat kodrinore e malore në të cilat ka 1500 ose 1300 banorë", tha Berisha.
Propozimet e socialistëve, Boçi e quajti taktikë për të rikontrolluar votën territoriale.
“PS, siç u vetëdeklarua, po përdor të njëjtat terma teknikë të 2015-ës, në formë sfidash si demografia, financat, shërbimet, kapacitetet, integrimi e të tjerë, por tani me një pamje të re, duke i ndërkallur ato brenda një projekti të brashtë politik me katër variante, të cilat faktikisht i lidh bashkë rikontrolli sa më absolut i votës politike”, tha Boçi.
Disa ditë më parë edhe PS propozoi 4 variante fillestare mbi të cilat duhet të punohet për ndarjen e re territoriale. Sipas variantit të parë, bashkitë e vogla bashkohen me ato më të mëdha fqinje, ndërsa qarqet mbeten si nivel koordinues.
Në skenarin e dytë atë të Dencentralizimit, propozohet krijimi i bashkive të mëdha në nivel të ish-rretheve. Skenari i tretë parashikon forcimin e qarkut me zgjedhje të drejtpërdrejtë, ku ruhen bashkitë ekzistuese ruhen dhe qarku bëhet nivel ekzekutiv më i fortë.
Skenari i katërt, ai i rajoneve strategjike, i propozuar nga bashkëkryetari socialist i reformës territoriale parashikon konsolidimin e bashkive shumë të vogla. Sipas këtij varianti, më i afërti me propozimet e PD, krijohen katër rajone për zhvillimin e infrastrukturës dhe menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian.
Komente












