Reforma Zgjedhore, Celibashi thirrje partive: Realizoni ndryshimet sa më shpejt! S’ka votim elektronik në 5 qarqe nëse s'keni konsensus deri në fund të shkurtit

TIRANË- Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të angazhohen për realizimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor sa më shpejt të jetë e mundur. Celibashi u bën thirrje të ulen në diskutime teksa ka mbetur pak më shumë se një vit nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

Kjo thirrje e Celibashit për të realizuar më shpejt Reformën Zgjedhore vjen teksa mazhoranca dhe Partia Demokratike janë ulur në diskutime, ndërsa në anën tjetër grupi i deputetëve Berisha-Bardhi nuk lejojnë zhvillimin e mbledhjeve fizikisht dhe kërkojnë ndryshimin e përbërjes së komisionit.

“E dimë që nëse do duhet të bëhen ndryshime do duhet të datojnë jo më vonë se 1 vit, ose në rastin më ekstrem 6 muaj para ditës së zgjedhjeve. Duket që faktori politik dhe institucioneve kanë pranuar nevojën për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, të paktën në disa aspekte të këtij kodi. Do ishte mirë që partitë politike, shumica qeverisëse dhe opozita të angazhohen për të i realizuar këto ndryshime sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Celibashi.

Për të realizuar votimin elektronik në 5 qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë dhe Fier, Celibashi thotë se konsensusi mes partive politike duhet të arrihet deri në fund të muajit shkurt. Kreu i KQZ thekson se kanë nevojë për të paktën 1 vit kohë për t’u përgatitur, ndërsa shton se partitë duhet analizojnë edhe kostot, pasi vlera është shumë e lartë që ky proces të shtrihet në 5 qarqe.

"Do të jetë thuajse e pamundur, nëse partitë politike dhe qeveria nuk disponojnë në lidhje me këtë rekomandim të KQZ, brenda një periudhe, që ne kemi llogaritur fundin e muajit shkurt. Kemi nevojë për një vit kohë për këtë proces nëse duam që të mos marrë asnjë kritike dhe të mos vendoset në dyshim", tha Celibashi. 

Një tjetër thirrje kishte për plotësimin e kuadrit ligjor për realizimin e votës së emigrantëve, siç urdhëron edhe Gjykata Kushtetuese.

“Nëse Kuvendi nuk plotëson boshllëkun ligjor sipas Kushtetuese, nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë", sqaroi ai.

Një tjetër problem për Celibashin mund të lindë edhe nga shfuqizimi i Herësit nga Gjykata Kushtetuese, ndaj ai sugjeron detajim në kod të këtij përcaktimi të Kushtetueses.

"Është mirë që Kuvendi, partitë politike ta  adresojnë këtë çështje, sepse mund të prodhojë problematika. Edhe pse kushtetuta e ka një përcaktim për këtë, por kodi duhet ta detajojë këtë përcaktim të GJK", vijoi Celibashi.

 Një tjetër nevojë dramatike sipas kryekomisionerit Celibashi është ndryshimi i mënyrës së organizimit të administrimit të zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ketë politizim të procesit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:50
Votim elektronik në 5 qarqe? Celibashi: Nuk realizohet nëse partitë politike nuk gjejnë konsensus deri në fund të shkurtit

 

Kryekomisioneri  Ilirjan Celibashi thotë se do të jetë e pamundur që të zhvillohet votimi elektronik në 5 qarqe të mëdha të vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025, nëse partitë politike nuk do të kenë konsensus të paktën deri në fund të muajit shkurt.

Celibashi tha për gazetarët që partitë politike duhen të gjejnë konsensusin dhe të analizojnë kostot, pasi vlera për votimin elektronik në të gjitha qarqet është shumë e lartë. Ai thotë se KQZ i duhet të paktën 1 vit kohë për përgatitjet.

KQZ kërkon ta shtrijë votimin elektronik në 5 qarqe, Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë dhe Fier.

“Do të jetë thuajse e pamundur, nëse partitë politike dhe qeveria nuk disponojnë në lidhje me këtë rekomandim të KQZ, brenda një periudhe, që ne kemi llogaritur fundin e muajit shkurt. Eksperienca e deritanishme e KQZ-së në lidhje me votimin elektronik, ka treguar që ky proces, në këto 5 qarqe që ne kemi rekomanduar, Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë dhe Fier është mjaft impenjativ nga pikëpamja e resurseve njerëzore që duhet të anagzhohen, por edhe përgatitjet nga pikëpamja teknike. Kemi nevojë për të paktën 1 vit kohë për ta përgatitur këtë proces nëse duam që mos të marrim asnjë kritikë dhe të mos vihet në dyshim nga askush. Paritë politike të ulen ta konsultojnë nëse kanë interes, nëse ekzistojnë financat dhe nëse kanë dobi pasi kostot janë shumë të larta për këtë mënyrë votimi. Ne jemi neutral për këtë çështje, pasi në fund të fundit zgjedhjet janë bërë dhe mund të bëhen edhe pa votim elektronik. Është çështje politike më së pari, se sa teknike.

Duhet konsensus i gjerë dhe sa më shpejt sa të jetë e mundur. E dimë shumë mirë, për fat të keq, që ndërgjegjësimi i partive politike nuk shkon deri atje sa të jenë tërësisht realiste në vlerësimin e opinionit të kundërshtarëve, jo e jo, por edhe të institucioneve që kanë përgjegjësi për administrimin e procesit zgjedhor. Është parim, një rregull sa më i gjithëpranuar të jetë, aq më i besueshëm është procesi që realizohet, duke respektuar rregullin që gëzon konsensusin e gjerë.”, tha Celibashi.

Kujtojmë që në zgjedhjet e fundit vendore të 14 majit, votimi elektronik është aplikuar në 3 bashki, Kamëz, Vorë dhe Elbasan. 

Ora 11:33
Vota e emigrantëve, Celibashi: Kuvendi të plotësojë kuadrin ligjor, urdhër i Gjykatës Kushtetuese

 

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i ka bërë sërish thirrje Kuvendit që të plotësojnë kuadrin ligjor, në mënyrë që emigrantët të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2025. Celibashi thekoi se ky është urdhër i Gjykatës Kushtetuese, i cili duhet të zbatohet.

I pyetur nga gazetarët nëse mund të aplikohet me kodin aktual, ai tha se kjo nuk mund të ndodhë pasi mungon ligji për të zhvilluar votimin e emigrantëve.

“I qëndroj të njëjtit arsyetim, të njëjtit qëndrim. Nëse Kuvendi nuk plotëson boshllëkun ligjor sipas urdhrit të Kushtetueses, nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë. Nuk është përgjegjësi e KQZ me këtë kuadër rregullator kushtetues dhe ligjor për të nxjerrë akte nënligjore që do të mundësojnë votimin nga jashtë. GJK ka thënë që mungon ligji për të zhvilluar votimin nga jashtë, ty të mungon ligji, nuk mund të nxjerrësh akt nënligjor të një ligji që nuk ekziston.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Klodi: 31/01/2024 12:22

    Pse duhet te vendosin partite per votim elektronik, kjo eshte detyrim ndaj votuesve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar