Reforma zgjedhore, PD: Ngrini
komisionin, Meta: Në 28 Jana

TIRANE- Përbërja e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore do të votohet nga Kuvendi gjatë seancës plenare të ditës së enjte. Lajmi u konfirmua dje nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në përgjigje të shqetësimit të Partisë Demokratike, për vonesat e shkaktuara për fillimin nga puna të komisionit, ngritja e të cilit u miratua seancën e sesionit të shkuar parlamentar.

“Në vijim të kërkesës së tij drejtuar Grupeve Parlamentare për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën zgjedhore dhe menjëherë pasi u njoh me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për plotësimin e këtij komisioni me përfaqësues të Grupeve Parlamentare, shpreh bindjen se ky vendim do të merret në seancën më të parë të Kuvendit, atë të datës 28 janar 2016”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit pranë Kuvendit. Në përgjigjen e tij, kryetari i Kuvendit thotë se, reforma zgjedhore duhet të kryhet në kohën e duhur dhe me transparencë. “Reforma zgjedhore duhet trajtuar me seriozitet dhe në përputhje me frymën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe gjithashtu të kryhet në kohën e duhur e transparencë të plotë”, vijon Meta.
 
Kërkesa
Partia Demokratike nëpërmjet një shkrese zyrtare, e cila mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar, Edi Paloka, i kërkoi dje kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, fillimin e punës së menjëhershme të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, për t’i hapur rrugë realizimit të kësaj reforme. PD kërkon miratimin e përbërjes së anëtarëve të komisionit në seancën plenare të 28 janarit.

Në letrën drejtuar Metës, PD kërkon zbatimin me përpikmëri të rekomandimeve të OSBEODIR mbi reformën zgjedhore, si premisë e vetme për garantimin e zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas PD, implementimi i kësaj reforme duhet të pamundësojë përdorimin e pushtetit politik për blerjen e votave. “Ne vlerësojmë se implementimi i kësaj reforme, duhet të pamundësojë përdorimin e pushtetit publik për qëllime të përfitimit në zgjedhje, blerjes masive të votave me paratë e krimit të organizuar, përdorimit të institucioneve shtetërore si mekanizëm për të siguruar vota apo për të ushtruar presion mbi votuesit, apo keqpërdorimin politik të Policisë së Shtetit.

Përsa më lart, kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për të garantuar fillimin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, bazuar në një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual”, thuhet në shkresën e PD. Si PD ashtu edhe PS kanë publikuar emrat e përfaqësuesve të tyre në komisionin ad hoc të reformës zgjedhore. Demokratët do të përfaqësohen nga Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi, Arben Ristani, Gent Strazimiri dhe një përfaqësues nga Partia Republikane. Ndërsa socialistët me Bashkim Finon, Vasilika Hysin dhe Ulsi Manjën. Dy emrat e tjerë i takojnë LSI dhe PDIU, të cilët ende s’i kanë bërë publike.
 
 Letra e plotë e Partisë Demokratike.
Në vijim të propozimit tonë zyrtar për caktimin e anëtarëve të Partisë Demorkatike në Komisionin e Posacëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, kërkojmë miratimin e menjëhershëm, në seancën plenare të datës 28.01.2016, të vendimit për përbërjen e këtij Komisioni, që do t’i hapte rrugë vijimit pa vonesa të punës për realizimin e reformës zgjedhore.
 
Grupi Parlamentar i Partisë Demorkatike vlerëson se kjo reformë duhet të sigurojë forcimin dhe konsolidimin e procesit zgjedhor dhe po ashtu, ndërtimin e shkallës së besueshmërisë për zgjedhje të lira. Reforma duhet të sigurojë që zgjedhjet të jenë standardi bazë-substancial i zhvillimit të demokracisë, legjitimimit të qeverisjes dhe shtetit modern, duke respektuar plotësisht vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptar. E rëndësishme në këtë rast është që të kemi një ligj lehtësisht të zbatueshëm për votuesit dhe që u reziston sfidave dhe shndërrohet në një mekanizëm efektiv për të siguruar zgjedhjet e lira dhe demokratike, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës, si dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. 
 
Përmbyllja në një kohë të shpejtë e Reformës Zgjedhore dhe reflektimi në legjislacionin shqiptar i të gjitha Rekomandimeve të OSBE/OHDIR-it apo shqetësimeve madhore të ngritura prej tij në raportet përfundimtare të viteve 2013 dhe 2015 për zgjedhjet në Shqipëri, është premisë e domosdoshme për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Dëshirojmë të kujtojmë këtu se rekomandimet e dhëna nga OSBE/OHDIR në Raportin për zgjedhjet e vitit 2013, për shkak të mungesës së vullnetit politik të mazhorancës aktuale, nuk u adresuan kurrë në legjislacionin shqiptar, duke sjell në këtë mënyrë deformimin e zgjedhjeve të vitit 2015.
 
Ne vlerësojmë se implementimi i kësaj reforme, duhet të pamundësojë përdorimin e pushtetit publik për qëllime të përfitimit në zgjedhje, blerjes masive të votave me paratë e krimit të organizuar, përdorimit të institucioneve shtetërore si mekanizëm për të siguruar vota apo për të ushtruar presion mbi votuesit, apo keqpërdorimin politik të Policisë së Shtetit.
 
Përsa më lart, kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për të garantuar fillimin e punës së Komisionit të Posacëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, bazuar në një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual.

letra

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë