Afati i fundit për regjistrimin e aleancave parazgjedhore ishte mesnata, ndërsa dy partitë kryesore të maxhorancës ende nuk kanë marrë një vendim nëse do të dalin në koalicion së bashku.
Nga ana tjetër, opozita ka paralajmëruar se nuk do të regjistrohet në KQZ as si koalicion, pasi dogji afatet e regjistrimit të partive më 9 prill, ndërsa as nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pa përmbushur më parë kushtin e saj për qeveri teknike.
KQZ dje u shpreh se nuk ka fuqi ligjore lidhur me këtë kërkesë, megjithatë sot në mesditë do të zhvillohet mbledhja e radhës dhe në pikën 3 është vendosur shqyrtimi i kërkesës së PS dhe LSI për shtyrjen e afatit të regjistrimit.
Ora 17:30 Meta: Mundësi për opozitën afati i ri për regjistrimin e koalicioneve
Kryetari i LSI, Ilir Meta nga Fieri ka komentuar kërkesën për të shtyrë afatin për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore.
Ai u shpreh se çdo përpjekje që synon ti japë mundësi opozitës të përfshihet në procesin zgjedhor është një zgjedhje pozitive.
"Çdo përpjekje që synon ti japë mundësi opozitës të përfshihet në procesin zgjedhor është një zgjedhje pozitive.
PD dhe shumë parti opozitare nuk janë regjistruar as si subjekte dhe as si koalicion. Një afat i ri është kontribut që jepet për mbarëvajtjen e procesin zgjedhor.
Përpjekje për ti dhënë kohë opozitës për një provë transparente" u shpreh Meta.
Ora 17:21 Regjistrimi i koalicionit, PS-LSI kërkojnë kohë, KQZ vendos nesër
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e enjte, më datë 20.04.2017, ora 13:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:
A. Shqyrtimi i projekt vendimeve,
1. Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit, për kandidatët për Kryetar, Bashkia Kavajë, për zgjedhjet e pjesshme të datës 7 Maj 2017.
2. Për ekzekutimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë nr. 3, akti dt. 14.04.2017 për tu shprehur me vendim në lidhje me kërkesën e datës 31.01.2017 të Partisë “Lista e Barabartë” me gërma nistore “LIBRA”.
3. Për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim.
Ora 15:30 PD-KQZ-së: Mos pranoni kërkesën për shtyrjen e regjistrimit
Partia Demokratike i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos pranojë kërkesën e PS-LSI për shtyrjen e afateve të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore.
Në letrën që mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, thuhet se mosrespektimi i afateve prekluzive do të thotë humbje e mundësisë së ushtrimit të vetë të drejtës për të votuar.
“Afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë qartësisht të lidhura me datën e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht shtyrja eventuale e tyre është pazgjidhshmërisht e lidhur me shtyrjen e vetë datës së zgjedhjeve, kompetencë kjo e fundit jo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por vetëm e ligjit zgjedhor, i cili mund të ndryshohet nga partitë politike përmes një konsensusi gjithëpërfshirës në Kuvend”, thuhet në letër.
Deklarata e plotë e koalicionit opozitar:
Koalicioni i bashkuar opozitar, është vënë ditën e sotme në dijeni të një kërkese të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, drejtuar institucionit tuaj, me anë të së cilës kërkohet mbajtja e një qëndrimi lidhur me mundësinë e shtyrjes së afatit të rregjistrimit të partive politike në zgjedhje, si dhe të shtyrjes së regjistrimit të koalicioneve zgjedhorë.
Në lidhje me sa më sipër, vlerësojmë të domosdoshme të sjellim në vëmendje tuaj, se afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë afate prekluzive, çka do të thotë se të drejtat ose detyrimet të cilat duhen ushtruar dhe/ose përmbushur brenda këtyre afateve, nuk mund të ushtrohen tej përmbushjes së afatit të sipërcituar. Pra, me fjalë të tjera, mosrespektimi i afateve prekluzive ndikon drejtpërsëdrejti në thelbin e të drejtave dhe detyrimeve që ato garantojnë, dhe shkelja e këtyre afateve nuk mundet të ketë pasojë tjetër përveçse asaj të parashikuar nga ligji, pra humbjes së mundësisë së ushtrimit të vetë të drejtës. Edhe praktika e konsoliduar shumëvjeçare e vendimarrjes së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve e konfirmon këtë qasje ligjore.
Nga ana tjetër, afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë qartësisht të lidhura me datën e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht shtyrja eventuale e tyre është pazgjidhshmërisht e lidhur me shtyrjen e vetë datës së zgjedhjeve, kompetencë kjo e fundit jo e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, por vetëm e ligjit zgjedhor, i cili mund të ndryshohet nga partitë politike përmes një konsensusi gjithëpërfshirës në Kuvend.
Ne vlerësojmë se cfarëdolloj qëndrimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, mbi kërkesën për shtyrje të afateve të përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor, dhe aq më tepër disponimi me vendimarje mbi këtë kërkesë, do të paragjykonte çdo lloj zgjidhje politike të krizës së thellë politiko-institucionale në vend, por veçanërisht do të përvijonte KQZ si një institucion thellësisht politik i cili i shërben si mashë elektorale kastës qeverisëse në vend.
Përsa më sipër, ritheksojmë edhe njëherë qëndrimin e koalicionit opozitar mbi nevojën e respektimit rigoroz të detyrimeve që përcakton Kodi Zgjedhor, veçanërisht nga institucionet e ngarkuara me përgjegjësinë e organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve.
Ora 15:20 Rama: Kërkesa, shprehje vullnet mirë ndaj PD
Kreu i qeverisë Edi Rama e ka cilësuar shprehje vullnet mirë ndaj PD dhe partive të tjera të opozitës, shkresën që PS-LSI i dërguan KQZ-së, për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit.
Megjithatë, kryeministri le të kuptohet se për mazhorancën nuk do jetë problem nëse përgjigja e PD do jetës sërish negative.
“Kërkesa KQZ-së është e koalicionit PS-LSI&Etj si shprehje vullnetmirë ndaj PD&Etj.Po asnjë merak nëse ne me bukë e ata me gurë deri në fund”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Ora 12:40 Zguri: Kërkesa e PS për shtyrjen e afateve, jo legjitime
"Kërkesa e grupeve parlamentare të PS dhe LSI drejtuar KQZ-së për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore, është e paligjshme".
Kështu u shpreh për Report TV, një prej anëtarëve më të vjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri.
Sipas tij, kryetarët e grupeve parlamentare, Gramoz Ruçi i PS dhe Luan Rama i LSI, të cilët edhe kanë firmosur shkresën, nuk kanë mandat t'i drejtohen këtij institucioni, pasi dy forcat politike kanë mandatuar persona të tjerë pranë KQZ-së.
"Sot jemi njohur me një kërkesë të dy grupeve parlamentare, PS-LSI, ku i kërkohej KQZ për të shtyrë afatin për partitë dhe koalicioneve zgjedhore. Kryetarët e grupeve parlamentare nuk kanë legjitimit për të bërë kërkesa të tilla në KQZ. Në dokumentacionin që kanë paraqitur në KQZ, kryetarët e partive kanë dhënë autorizime se cilët janë personat që do të jenë pranë KQZ-së. Pra, që në formë nuk ka legjitimitetin e duhur dhe KQZ nuk mund të shprehet për të", tha Zguri.
Ora 12:20 Autorizimi i Ramës: Blerina Gjylameti ka tagër të firmosë në KQZ për PS
Sekretarja për Koordinimin Elektoral në PS, Blerina Gjylameti është autorizuar nga kreu socialist dhe kryeministri Edi Rama për të firmosur pranë KQZ-së në emër të Parisë Socialiste .
Autorizimi i kryeministrit mban datën 9.08.2016. Sipas këtij dokumenti, vetëm deputetja Gjylameti ka tagër ligjor për të firmosur në KQZ si përfaqësuese e PS.
(Autorizimi i Ramës për Blerina Gjylametin)
Ora 11:25 KQZ: Nuk kemi fuqi ligjore
Anëtari i KQZ, Hysen Osmanaj thotë se, është jashtë kompetencave të KQZ, shtyrja e afatit për regjistrimin e koalicioneve.
Gjatë një interviste për Report TV, Osmanaj tha se një vendim i tillë shkel Kodin Zgjedhor. Ai i kërkoi forcave politike të mblidhen dhe të vendosin ndryshimin e Kodit për këtë nen.
"Është jashtë kompetencave të KQZ për ta marrë atë vendim. Është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Ne nuk mund të marrim asnjë vendim. Jemi organi më i lartë i administrimit të zgjedhjeve dhe nuk mund të marrim asnjë vendim që të dalim në kundërshtim me Kodin Zgjedhor", tha Osmanaj.