Relacioni i Rexhep Kollit për ‘Thikat’ e ambasadave, Tiranë 1980, dosja sekrete: Shoku Elham i’a hodhi fajin hetuesit Sokol Koleka për akt-ekspertimin e ‘armëve të ftohta’

Relacioni i Rexhep Kollit për ‘Thikat’ e ambasadave, Tiranë 1980, dosja sekrete: Shoku Elham i’a hodhi fajin hetuesit Sokol Koleka për akt-ekspertimin e ‘armëve të ftohta’

Memorie.al/publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), që janë shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën “sekret” e cila i përket viteve 1980-1982 dhe bën fjalë për ngjarjen e bujshme, të çarjes së gomave të disa prej automjeteve të trupit të huaj diplomatik, të akredituara në Tiranë, ku pas shqetësimit të madh të Enver Hoxhës dhe telefonatës së tij, ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, të cilit në kulmin e zemërimit, “Komandanti” i tha: “Nëse për 24 orë nuk e gjeni se kush dhe përse i ka dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë, gjej vrimë dhe futu”! Alarmi i ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, i cili thirri në një mbledhje urgjente, të gjithë drejtorët kryesorë të dikasterit që drejtonte dhe pasi iu bëri të qartë shqetësimin e madh të “Komandantit”, se mos ajo ngjarje do krijonte incident diplomatik me disa shtete, organet e Sigurimit të Shtetit dhe struktura të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda  24 orësh, arritën të zbulonin autoren e “krimit”, Prendushme Deda, punëtore e Ndërmarrjes Komunale të kryeqytetit, që punonte në pastrimin e rrugëve, e cila u kap në flagrancë përpara Hotel “Dajtit” teksa çante gomat e disa prej automjeteve, të trupit diplomatik në Tiranë. Dëshmia e rrallë e ish-Drejtorit të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Neshat Tozaj, të dhënë pak kohë para se ai të ndahej nga jeta, lidhur me debatet e ashpra e përplasjen e tij, më ministrin Feçor Shehu, pasi ai, si titullar i laboratorit që drejtonte, nuk pranoi të firmoste akt-ekspertimin, për të konsideruar “armë të ftohtë” mjetin prerës, me të cilën punëtorja e pastrimit, kishte çarë gomat e disa prej automjeteve me targa “CD”! Kërcënimi i Feçor Shehut, për vartësin e tij që e shkarkoi menjëherë nga detyra, duke e dërguar si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe odiseja e gjatë e Tozajt, për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e tij, duke i dërguar letra ankesash kryeministrit Mehmet Shehu dhe më pas Enver Hoxhës. Kjo u bë shkak e solli dhe ftohjen e përplasjen e parë, midis dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, të asaj kohe! Akuzat e Enverit ndaj Mehmet Shehut, se përse ai, e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen e bujshme, që tronditi Tiranën zyrtare, (nga frika e ndonjë incidenti diplomatik me disa shtete), ku pas vdekjes së tij dhe arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, ajo ngjarje ri doli “në skenë” dhe si rezultat, u liruan nga burgu dhe internimi të gjithë pjesëtarët e “grupit armiqësor”, që ishin akuzuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja e kthimin në vendin e punës së Neshat Tozajt, i cili disa vite më pas, shkroi romanin “Thikat”, që asokohe do të bënte një bujë të madhe!

Dokumenti sekret me relacionin e hartuar nga Rexhep Kolli, funksionar i lartë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar eprorëve të tij, lidhur me problemin e “Grupit kriminal armiqësor”, që ishin arrestuar e dënuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja në Tiranë!

Sekret     Dt.16.3.1982

R E L A C I O N

DISA ÇËSHTJE PËR T’I SHTRUAR DHE SQARUAR NË ORGANIZATËN BAZË TË PARTISË TË DREJTORISË SË HETUESISË

4. Hetuesia e qetësuar se: “e rregulloi çështjen” dhe “e gjeti provën” për të marrë sanksionimin e arrestit, dërgon shokun Sokol tek zëvendës prokurori i rrethit, shoku Ilo Tasellari. Mirëpo, shoku Ilo, pavarësisht se ju paraqit akti i vetëm i Farudinit e Kapllanit, nuk u bind se thikat janë armë të ftohta, prandaj refuzoi t’i japë sanksionimin e arrestit.

Ky fakt i alarmoi shokët e drejtorisë të Hetuesisë. Dhe gjithmonë nisur nga mendimi “të arrestojmë me doemos, se pastaj do të zbërthejmë gjatë proçesit”, shoku Elham, merre në telefon zv/Prokurorin e përgjithshëm, dërgon atje edhe shoku Sokol Koleka.

Ata i ankohen Prokurorisë së Përgjithshme, pse prokurori i rrethit nuk jepte sanksionimin e arrestit për Lindita Bekën, se çështja është e mprehtë dhe me karakter politik etj., por nuk i tregojnë se për këto thika janë bërë edhe tre akte të tjera, veç aktit të Farudin Poçarit e Kapllan Kokës, se dy aktet e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës, nuk i quajnë thikat “armë të ftohta”.

Kështu, zv/Prokurori i Përgjithshëm i dha urdhër prokurorit të rrethit, që të sanksionojë arrestimin për Lindita Bekën më 30.X.1980. Nga ky çast, dosja penale mbeti vetëm me një akt- akspertize, pra që kur u muar sanksionimi i arrestit, e deri sa shkoi në gjyq dhe çështja u gjykua në prill të vitit 1981, dosja kishte vetëm aktin e ekspertizës të bërë nga Farudin Poçari dhe Kapllan Koka. Aktet e tjera ju fshehën prokurorit dhe për rrjedhim edhe gjykatës.

Shtrohet çështja e kërkohen shpjegime për këto problem:

Pse me doemos duhej arrestuar Lindita për armë mbajtje pa leje, çështja kjo që mund të ndiqej pa arrest?

Pse u bënë këto marifete në kundërshtim me ligjin?!

Prokuroria dhe gjykata organe të kujt janë dhe çdo të thotë t’ia fshehësh të vërtetën këtyre organeve?

Pse nuk u përfill Laboratori Qendror i Kriminalistikës, i cili sipas rregullores të miratuar nga Ministri i Punëve të Brendshme më 12.7.1974 “Është i vetmi institucion tekniko –shkencor i ekzaminimit kriminalist në R.P.S.SH dhe u përgjigjet në këtë fushë të gjitha organeve operative e hetimore të MPB-së, organeve të Prokurisë e të Gjykatës, organeve shtetërore, organeve të Partisë dhe organizatave shoqërore”?

Pse nuk u përfill kjo rregullore, sipas të cilës nuk mund të japin akte ekspertimi ata ekspertë që nuk punojnë në sektorin kriminalistik, se kur është ekspertimi provë e vetme mbi bazën e së cilës personi do të arrestohet, ekspertët e rretheve nuk mund të japin akte ekspertimi, por vetëm Laboratori Qendror i Kriminalistikës

Shoku Elham, shoku Faredin, e të tjerë, na thanë se rregullorja është për punët e brendshme të Laboratorit, se ajo nuk e detyron hetuesin e gjykatës, pse ata kanë të drejtë në bazë të ligjit, të thërresin cilindo ekspert. Po mirë atëhere, pse është vënë në rregullore ky përcaktim që thamë më lartë?

Kjo rregullore, që është urdhër i Ministrit të Punëve të Brendshme zë vendin e akteve normative nënligjore, pse nuk i përfillni ju këto akte normative?

Më pas shokët na thanë se nuk e njohin këtë rregullore, nuk e kanë, se ajo është bërë para se të delte Kodi i ri Procedurës Penale dhe pra duhet ndryshuar. Dakord, po a është normale që Drejtori i Hetuesisë, personi e kuadri kryesor në ministri për ligjet, të mos i njoh aktet normative të ministrit? Në qoftë se duhej bërë ndryshimi i saj pse nuk keni paraqitur propozim me kohë? Deri sa ajo nuk ka ndryshuar, kush ja u jep juve këtë të drejtë që ta shkelni?

Më 23.1.1981, pra pas tre muaj hetimesh, u provua se nuk ka “grup diversionistë”. Drejtoria e Hetuesisë arriti në përfundim që të 6 të pandehurit e arrestuar, të shkojnë në gjyq jo bashkë, por të ndarë në tre dosje. Konkretisht:

a. Dosja e parë me tre të pandehur:

– Prendushe Deda për veprime që çojnë në provokimin e prishjes të marrëdhënieve diplomatike, për agjitacion e propagandë, për mbajtje armë të ftohtë pa leje.

– Gavrosh Lasku, për krimin e mos kallëzimit dhe për përvetim të pasurisë socialiste në shumën 281.50 lekë.

– Lefkothe Lasku, për krimin e moskallëzimit dhe për dështim të palejuar.

b. Dosja e dytë me dy të pandehur:

Edmond Ruzi për përvetësim të pasurisë socialiste në shumën 284.40 lekë dhe për prodhimin dhe mbajtjen e thikave në armë të ftohta pa leje.

– Lindita Beka, për kundra vajtje penale të mbajtjes pa leje të thikës që është armë e ftohtë.

c.  Dosja e tretë me një të pandehur:

– Marije Lasku, për kundra vajtje penale të dështimit pa leje.

Pra pikërisht në këtë çast më 23.1.1981, kur siç thotë populli “kokoshi u katandis një thelë”, ose “mali i mbarsur na polli një mi”, shokët e Drejtorisë së Hetuesisë, duhesh të ndaleshin e ta analizonin thellë nga të gjitha anët proçesin e nisur për “grup diversionist”, të shikonin pasojat që rrodhën prej tij, pse nuk e bënë këtë ata?

– Si nuk i vrau pak ndërgjegjja shokun Elham e shokët e tjerë, të cilët nisur nga mendimi “të arrestojmë, se gjatë proçesit hetimor do e zbërthejmë”, vepruan në kundërshtim me ligjin për të marrë sanksionin e arrestit dhe tani po e çonin në gjyq Lindita Bekën për ta dënuar me të pa drejtë?!

– Pse nuk menduan këta shokë të Hetuesisë, se për të marrë sanksionin e arrestit për Edmond Ruzin, mblodhën e nga nuk mblodhën copat e hekurishteve, deri edhe ato që vlerësoheshin në 2 lekë, me qëllim që të kalonte shuma mbi 200 lekë? A nuk mund të bëhej politikë penale me këtë djalë, kur dihej se në familje e në rrethin familjar ai kishte mbi 12 komunistë

– Pse nuk reflektuan këta shokë, bashkë me ata të sektorit operativ, se nisur nga mendimi: “kemi grup diversionist”, janë internuar padrejtësisht familje e persona?

– Proçesi filloi për diversion dhe me një shqetësim të ligjshëm të të gjithëve, për tu informuar fillimisht edhe udhëheqja e Partisë. Pse tani në janar të vitit 1981 kur u mbyll proçesi dhe doli ashtu siç thamë, nuk u informua udhëheqja e Partisë?

Në prill të vitit 1981, doli çështja e heqjes së akteve të ekspertimit nga dosja hetimore. E ngriti këtë Neshat Tozaj në organizatën bazë, e mandej kur pa se nuk po reagohej, e denoncoi çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë bënë ndërhyrje me shkrim tek Ministri i Punëve të Brendshme dhe ky i fundit më 20.4.1981, i jep porosi Drejtorisë së Hetuesisë, të analizohet kjo shkelje e rëndë, të nxirren konkluzione, t’i raportohet përfundimi dhe të njoftohet me shkrim Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë. Me të drejtë lind pyetja: ç’u bë tani? Ja ç’u bë:

Në mbledhjen e kolegjiumit të Ministrisë më 24.4.1981, kur është analizuar: “raporti mbi gjendjen dhe masat që duhej marrë në drejtim të çështjeve të pezulluara, shoku Feçor kritikon sektorin e Hetimit të Drejtorisë së Tiranës, që nuk vuri në dosjen aktin e ekspertimit dhe Elhamin që i dha përgjigje lehtë Sokol Kolekës, se: “s’ka rëndësi, mjafton një akt, thikat janë armë e ftohtë”. Shoku Elham në këtë mbledhje bëri autokritikë të cektë duke ia hedhur më tepër fajin Sokol Kolekës.

Më 29.4.1981, kur u diskutua në komitetin e Partisë të Ministrisë “raporti mbi disa konkluzione e problem që dalin për të zbatuar një politikë goditjeje të partishme e të diferencuar”, përgatitur nga Drejtoria e Parë dhe ajo e Hetuesisë, doli ky problem, por jo në raport.

Shoku Elham në diskutimin e tij, midis tjerash ka thënë: “mungesat e sidomos në disa drejtime kanë të bëjnë me shkeljet e ligjshmërisë,… ashtu siç është edhe shkelja lidhur me heqjen nga dosja e dokumentit të ekspertizës nga Sokol Koleka, por që unë nuk duhej ta lejoja me një përgjigje në këmbë.

Kur Sokol Koleka pyeti: “Në se do viheshin në dosje hetimore të gjitha aktet e ekspertimit të kryera për “thikat”, unë pa u thelluar e në mënyrë krejt të shkujdesur i’u përgjigja: “Është e qartë se thikat janë armë të ftohta, mjafton edhe një aktë”.

Nisur nga kjo përgjigje, Sokoli vendosi në dosje një akt-ekspertimi ku jepej konkluzioni se thikat janë armë të ftohta, ndërsa tre aktet e tjera i mban me disa materiale të tjera të çështjes, pa ia kaluar gjykatës”.

Në këtë mbledhje të komitetit, ka bërë kritikë dhe shoku Bato, i cili ka thënë që të analizohet në organizatë kjo shkelje, të nxirren shkaqet dhe Elhami të bëjë autokritikë, ashtu siç duhet të bëjë edhe organizata bazë e degës së Hetuesisë të Tiranës. Bile, për këtë të fundit, shoku Bato porosit shokun Elham, që të vërë në dijeni sekretarin e Komitetit të Partisë të Drejtorisë së Tiranës.

Lidhur me këtë, dalin disa çështje të pa qarta e që kërkojnë shpjegime:

– Pse nuk u analizua problem tani që u dha porosi edhe nga ministri? Porosia u dha që më 20.4.1981, pra kishte koha dhe mundësi që të bëhej një gjë e tillë më 24.4.1981, kur u bë mbledhja e kolegjiumit, ca më shumë më 29.4.1981, kur u bë mbledhja e komitetit të Partisë. Si e shpjegojnë shokët Elham dhe Kosta këtë? Pse nuk e përfshin këtë çështje në raportin që i paraqitën komitetit të Partisë?

– Deri sa në komitetin e Partisë shoku Bato dha porosi që të analizohet çështja në organizatën bazë, pse nuk u bë kjo? Kush ka përgjegjësi për këtë?

– Po ministrit çfarë iu raportua?

– Pse nuk u informua shoku Vasil Kola nga shoku Elham, për mendimin që dha Baton në Komitetin e Partisë, që edhe organizata e degës së Hetuesisë të Tiranës të analizonte këtë shkelje të rëndë?

– Pse në kolegjum si dhe në komitetin e Partisë, problemit ju shkua përciptazi, për më tepër, faji i’u dha shokut Sokol Koleka. Si shpjegohet kjo, kur dihej se çështja ishte e centralizuar?

– Më 12.5.1981, drejtoria e Hetuesisë bëri një përgjithësim “mbi një shkelje të rëndë të ligjshmërisë socialiste në degën e Hetuesisë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës”. Në këtë përgjithësim thuhet vetëm aq sa ka diskutuar shoku Elham në komitetin e Partisë.

Pra edhe në këtë përgjithësim, faji dhe përgjegjësia i jepet Sokol Kolekës, se ai duke shfrytëzuar fjalët e shokut Elham, të thëna “krejt në mënyrë të shkujdesur e pa u thelluar”, hoqi aktet nga dosja, se ai ka bërë hetime të pa bazuara, pse nuk zgjidhi kontradiktat e eksperteve me një grup ekspertësh më të gjerë etj.

Në fund thuhet se për këtë shkelje u tërhoq vëmendja shokëve Sokol Koleka dhe Elhman Gjikës, për një punë më të kujdesshme e më të thelluar në respektimin rigoroz të ligjshmërisë socialiste. Pra, çështjes iu dha një spërkatje “me ujë trandafili”.

Nga sa na tha shoku Elham, ky përgjithësim u bë nga Kosta Gazeli, ky i fundit tha: “Unë nuk e bëj dot, prandaj e bëmë bashkë me shokun Elham”.

Dalin pra edhe këtu disa çështje që duhej sqaruar nga ju shokë komunistë:

Si u bëka përgjithësimi nga kuadri që është përgjegjës për shkeljen?

A është e drejtë që të bësh një përgjithësim për një shkelje kaq të rëndë, sa u bë problem edhe në organet qendrore të Prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë, pa e analizuar çështjen thellë, pa u ballafaquar me të gjithë kuadrot që u muarën me këtë proçes? Si shpjegohet që as Sokol Koleka nuk u pyet?

A është e drejtë që po ai përgjithësim, i cili iu dërgua degëve të Punëve të Brendshme, t’i jepet edhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Lartë?

Kur ky përgjithësim i vajti degës së Hetuesisë të Tiranës, shoku Sokol Koleka në mbledhjen e degës tha: “Jam dakord me atë që s’kamë vënë të gjitha aktet e ekspertimit, po jo ashtu siç shkruhet në përgjithësim, sepse si në arrestim, ashtu dhe në përfundim, çdo gjë që kam bërë e kam bërë me urdhër të shokut Elham, të shokut Farudin, të shokut Nystret, të shokut Koço, etj.”

Shoku Sokol, nuk e la me kaq, por u ankua tek shoku Nusret, ku ishte edhe Vasil Kola. Shoku Sokol erdhi tek shoku Elham, donte të takojë edhe ministrin, por u mjaftua me përgjigjet që i dhanë këta shokë. Shoku Elham i tha Sokolit: “Shko e bëj autokritikë, se edhe unë bëra”. Kurse shoku Faraudin, i tha: “Shko te Sokoli tani, se të gjithë e djallosëm këtë punë”.

Lidhur me këto çështje, logjikisht lindin disa pyetje dhe kërkohen sqarime:

A janë këto qëndrime të partishme të shokut Elham e të shokut Faraudin?

Pse nuk reagoi as tani shoku Elham dhe të ngarkonte shokë, që nuk ishin investuar me çështjen, për ta analizuar në themel gjithë proçesin?

A nuk do të thotë kjo shokë, përpjekje për të “mos ia hapur petët lakrorit”?

Ku është shembulli dhe fryma e edukimit e kuadrove të Drejtorisë të Hetuesisë ndaj kuadrove të sektorit të hetuesisë poshtë në degë?

Në këtë kohë që ju kishit diskutuar dhe nxjerrë konkluzione për orientimet që dha Byroja Politike në janar të vitit 1981, si nuk reflektuat ju mbi këtë proçes dhe këto shkelje të ligjit?! Memorie.al

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen