Pas 19 muaj verifikime dhe një seance dëgjimore katërorëshe, Komisioni i Vetingut njoftoi sot shkarkimin e Fatmira Hajdarit nga drejtësia. Nga sot gjyqtarja e Apelit nuk mund të hyjë në dyert e drejtësisë si gjyqtare, pasi nuk arriti të justifikonte me burime të ligjshme një pasuri me vlerë rreth 470 mijë USD si dhe të përligjë fshehjen e ndalimit për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fatmira Hajdari ka bërë një karrierë 20-vjeçare në sistemin e drejtësisë. Ajo e ka nisur karrierën në drejtësi në vitet 2000 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti Bujar Nishani gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Arsimimi, kualifikimet dhe mënyra se si Fatmira Hajdari hyri në drejtësi janë të mbuluara me mister. Megjithatë, gjatë karrierës 20-vjeçare, Fatmira Hajdari ka pasur në duart dosje të rëndësishme krimi dhe korrupsioni, ku të përfshirë kanë qenë politikanë, ish-kryeministra, ish-ministra, drejtorë gangsterë, njerëz të fuqishëm të botës së krimit, vrasës etj.

Kur shërbente në shkallën e parë, Fatmira Hajdari ka qenë pjesë e trupës gjykuese të dosjes së Gërdecit, një nga krimet më të rënda në historinë e pluralizmit shqiptare, ku korrupsioni qeveritar vrau 26 burra, gra dhe fëmijë, plagosi mbi 300 të tjerë dhe rrafshoi qindra shtëpi. Dosja në shkallën e parë u gjykua nga Fatmira Hajdari, Ridvan Hado dhe Shefkije Demiri. U dënua vetëm ‘peshqit’ e vegjël, të cilët arritën të ulin në dënimin në apel dhe të linin shumë shpejt qelitë. Jashtë hetimeve dhe rrjedhimisht gjykimit u lanë ish-kryeministri Sali Berisha, i biri Shkëlzen Berisha dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Megjithatë, zonja Hajdari ka gjykuar vetëm dosjet e referuara nga Prokuroria, që do të thotë se gjyqtarja nuk ka rol në hetime.

Në vitin 2009, Fatmira Hajdari ka liruar nga burgu Abren Isufajn, i njohur ndryshe si  Ben Qimja. I forti i Fierit akuzohej për vrasjen e biznesmenit Piro Koçiu. Në 2014, Ben Qimja u arrestua sërish për llogari të INTERPOL Romës, për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Gjyqtarja Fatmira Hajdari ka qenë pjesë trupës gjykuese në 2014 që ka liruar nga burgu Eldin Dergjini, vëllai i deputetes së futur në Kuvend në 2019 nga listat e LSI, Ambra Borova. Eldin Dergjini u arrestuar më pas në 2019 pasi u kap me një pasaportë me emër tjetër.

Zonja Hajdari ka qenë gjithashtu pjesë e trupës gjykuese në Apel që ka liruar nga burgu Gjin Nikën, i akuzuar për disa krime të rënda në Tiranë dhe i cilësuar nga prokuroria si person i rrezikshëm. Disa muaj pas lirimi, Gjin Nika u ekzekutua në një atentat mafioz. Më pas Ministria e Brendshme i kërkoi KLD të shqyrtonte vendimin e lirimit të Gjin Nikës, por KLD nuk bëri asnjë hap në këtë drejtim.

Gjyqtarja e Apelit Fatmira Hajdari është akuzuar publikisht nga ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj se në vitin 2015, me një vendim gjyqësor absolutisht të pa drejtë, haptazi dhe në kundërshtim me ligjin dhe provat, ka kontribuuar që t’i grabitet një nga pronat shekullore vakëf të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Fatmira Hajdari ka marrë pjesë në procesin ku u shpall i fajshëm Florenc Hoxha, ish-drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës 2011-2015. Florenc Hoxha u dënuar nga shkalla e parë me 1 vit e 4 muaj burg për shpërdorim të detyrës dhe plagosje, por Apeli e shpalli të pafajshëm, ku pjesë e trupi gjykues ishte edhe Fatmira Hajdari. Florenc Hoxha u arrestua sërish në 2019 gjatë protestave të dhunshme të PD.

Fatmira Hajdari ka marr pjesë edhe në procesin penal ndaj ish-ministrit të Berishës, Spiro Ksera. Zonja Hajdari ka qenë pjesë trupës gjykuese, që la në burg Spiro Kserën për korrupsion. 

Në 20 maj 2019, Fatmira Hajdari ishte pjesë e trupës gjykuese, e cila rrëzoi dënimin e përjetshëm të Arben Grorit, vrasësit të Naim Zyberit në Itali. Trupi gjykues pranoi kërkesën e Grorit për rishikimin e vendimit të dënimit të tij me burg përjetë. 

Zonja Hajdari ishte edhe pjesë e trupit gjykues që kishte në dorë dosjen e Lulzim Bashës për lotimin rus, por që dha dorëheqjen, me arsyetimin se Basha kishte pirë kafe në shtëpinë e saj, në një përvjetor të Azem Hajdarit.

Së fundmi, Fatmira Hajdari ishte pjesë e trupi gjykues së dosjes CEZ, ku i kallëzuar është Sali Berisha me një grup ish-ministrash dhe drejtorësh të tij, për skandalin e privatizimit të OSSH, me dëm ekonomik 414 milionë euro. Këtë radhë gjyqtarja Hajdari u përjashtua nga gjykimi i kësaj dosjes. Përjashtimi i saj erdhi pas kërkesës së Kuvendit, me argumentin se ajo ka miqësi familjare me familjen Berisha.

Me vendimin e sotëm, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut, e ka ndërprerë karrierën e Fatmira Hajdarit në drejtësi. Zonja Hajdari ka të drejtë që t’i kërkojë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rrëzimin e këtij vendimi dhe rikthimin në sistem.