Replikë për një simbol
të “çjerrë” nga vetë Nishani

Këshilltarët janë quajtur gjithmonë edhe si eminenca gri të dinjitarëve publikë. Pra, si persona që punësohen nga vetë dinjitari, për ta ndihmuar atë në ushtrimin e detyrave të caktuara. Në këtë kuptim, këshilltarë të tillë kompetentë në zbërthim të programit të caktuar ose të fushës që mbulojnë, zakonisht qëndrojnë në hije gjatë punës së tyre, me përjashtim të zëdhënësve që këtu te ne gabimisht u vihet ky titullim, për t’u rritur pagën apo edhe për t’u bërë qejfin.

Por, nëse ndonjëherë eminentët shfaqen në publik apo në media, kjo mund të ndodhë vetëm për të sqaruar ndonjë keqkuptim të të tjerëve ndaj funksioneve dhe zgjidhjeve të eprorit të tij, kur ky vetë apo edhe përgjithësisht mbarëvajtja e shtetit e kërkon këtë prononcim. Me këtë arsyetim nxitova të lexoj me vëmendje një artikull të botuar të një gazetë e përditshme e vendit (14 gusht 2014), ku autori - nën titullin e shkrimit të tij “Simboli i unitetit dhe garant i Kushtetutës” - prezantohej si Drejtor i Kabinetit të Presidentit Nishani.

Gjatë leximit nëpër rrjeshta (jo midis dhe pas tyre) mora vesh që autori ishte shtyrë drejt kësaj shfaqjeje nga interesi i ngjallur prej tij (citoj) “në raport me mënyrën se si vjen te çdo lexues i thjeshtë komunikimi publik i kreut të shtetit apo dhe Kryeministrit të vendit, që përkthehet më pas në komente miratuese apo kundërshtuese”. Temë ambicioze kjo, shtjellimi i së cilës do të kërkonte ndoshta firmën e një autoriteti të mirënjohur, prandaj edhe kulturën mbesëlënëse të tij shoqëruar me argumente të pjekura, të cilat me të vërtetë do të zinin vend në mendjen e lexuesit.

Sidoqoftë, në vijim u zhgënjeva, kur pas përshkrimit të një panorame të kthimit nga Presidenti Nishani në Kuvendin e Shqipërisë për rishqyrtim të disa ligjeve të miratuara një muaj më parë prej mazhorancës parlamentare, veç të tjerash shprehej shqetësimi, se (citoj): “Në këto kohë nuk është thjesht në lojë detyra që mund të luajë Presidenti si simboli i unitetit të popullit, por mbi të gjitha ajo e garantit të ruajtjes së Kushtetutës. Dhe dokumenti themeltar flet qartë për rolin dhe detyrat që ka kreu i shtetit...”. Kështu pra, siç thashë, realisht u zhgënjeva.

U zhgënjeva më shumë se sa pretendimi i supozuar për shtjellimin e plotë të temës së zgjedhur dhe marrë përsipër prej autorit, nga të paktën ato gafa ku ka rënë ligjërimi i tij, që kam përshtypjen se edhe një jurist fillestar, një politikan i ri apo nëpunës i zakonshëm i këtij shteti do ta pasonte me nënqeshje përçmuese.

Le ta fillojmë shpjegimin e kësaj përshtypjeje me përcaktimin e dytë dhe më të rëndësishëm që u bën autori detyrave të kreut të shtetit, duke iu referuar Kushtetutës. Në të gjitha dispozitat e saj, veçmas në Pjesën e Gjashtë, nuk i jepet kreut të shtetit privilegji, tagri apo  përgjegjësia për të garantuar ruajtjen e Ligjit Themelor. Përkundrazi, në krye të Pjesës së Tetë parashikohet nga neni 124/1, se: “Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj”, pavarësisht që 9 anëtarët e kësaj Gjykate emërohen nga Presidenti i Republikës, por me pëlqim të Kuvendit, dhe që çdo anëtar i saj fillon detyrën pasi bën betimin para Kryetarit të Shtetit.

Dhe ky rol i padublueshëm nga ndonjë organ tjetër parashikohet në pothuajse të gjitha shtetet demokratike perëndimore, përkatësisht në ato të Evropës, ku prej shumë dekadash është legjitimuar dhe instaluar drejtësia kushtetuese. Një funksion i tillë iu njoh këtij organi të rishikimit të Ligjit Themelor edhe në Shqipëri, që prej krijimit të vet më 1992, nëpërmjet hyrjes në fuqi të një ligji për organizimin e drejtësisë, i cili iu shtua si Kreu III Dispozitave Kryesore Kushtetuese. Mirëpo, dallimi i parashikimit të Ligjit të tyre me Kushtetutën aktuale është, se LDKK në Pjesën kushtuar Presidentit të Republikës u shtonte që në krye atributeve të tij në sigurimin e respektimit të vetë LDKK, duke krijuar kështu dublim kompetencash dhe një anomali.

Një anomali, përderisa duke e cilësuar Gjykatën Kushtetuese si autoritetin më të lartë në mbrojtjen dhe garantimin e Kushtetutës e vinte atë në një pozitë më të lartë edhe se sa ajo e kreut të shtetit. Sidoqoftë, Kushtetuta e 1998 ia besoi atributet për garantimin e saj në mënyrë krejt të përligjur vetëm Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të shfuqizojë edhe dekretet e Presidentit të Republikës, si edhe të rrëzojë pretendimet  e tij në ankimet që i drejton asaj, duke e nxjerrë ndonjëherë objektin e ankimeve nga juridiksioni i vet (kujton sa për ilustrim vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese ndaj ankimit me objekt shkarkimin nga detyra të ish kryeinspektores së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si edhe të Konfliktit të Interesave).       
       
     Mirë, tani le të vijmë te detyra e parë apo simboli, të cilin vë në dukje Drejtori i Kabinetit të Presidentit Nishanit. Domethënë, te parashikimi i nenit 86/1 të Kushtetutës, sipas të cilit: “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. E pra, ky parashikim ka të bëjë vërtetësisht me vlerësimin e funksionarit më të lartë të shtetit, sikurse në shumë vende evropiane, në mishërues të unitetit të kombit, me atributet e një arbitri ‘super partes’ (mbi palët) dhe mbajtësi të një pushteti asnjanës, sigurisht duke u kujdesur në këtë vështrim edhe për respektimin e normave kushtetuese, veçanërisht të atyre që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet organeve politike. Por kthimi i ligjeve prej tij nuk i jep Presidentit të Republikës të drejta absolute, aq më pak kur mund ta ushtrojë veton pezulluese vetëm një herë.

Tagrin për t’iu bindur apo jo argumenteve në ushtrim të kësaj vetoje e kanë deputetët në shumicën e tyre, nga vullneti i të cilëve del në skenë edhe Qeveria, si kjo aktuale aktuale. Veç kësaj, të mos harrojmë që pushteti ekzekutiv në kohën tonë, si në shumicën e demokracive evropiane edhe në Shqipëri, nuk mund të ketë rol thjesht zbatues, por edhe nxitës e vendimmarrës në fushat politike, ekonomike, sociale, përveç atyre ushtarake dhe diplomatike. Dhe forcimi i këtij roli shpjegohet nga doktrina me rritjen e legjitimetit të qeverive, me dukurinë gjithnjë e më të dukshme të personalizimit apo të modernizimit të tyre, të fuqisë efektive të kryeministrit dhe me vetë ndryshimin e konceptimit të ushtrimit të pushtetit.

     Kësaj optike i përfshihen edhe deklarimet e Kryeministrit Rama ndaj ushtrimit prej Presidentit Nishani të vetos pezulluese apo argumenteve rreth kësaj vetoje, për të gjitha ligjet e fundit të miratuara së fundmi nga mazhoranca qeverisëse. Deklarimet, sipas të cilave, shumica parlamentare e udhëhequr pikërisht prej këtij Kryeministri do t’i rivotojë ligjet pa ndryshime që në seancat e para plenare të sesionit të dytë vjetor të Kuvendit. Nuk po ndalemi këtu për të vërtetuar se nga ishin kopjuar apo kush i kishte shpikur ato argumente. Por, mund të thuhet pa ndrojtje që Nishani nuk kishte përse të nevrikosej kaq shumë, aq sa nuk i mjaftonte mbrojtja publike e emisarëve të Partisë Demokratike në opozitë, por iu dashkërka edhe ajo e një eminence, i cili e harron funksionin e vet institucional dhe del e thotë i lemerisur, se pas njohjes me përmbajtjen “copy/paste” të pretendimeve të Nishanit, shprehja e artikuluar prej Kryeministrit “Ne nuk sulmojmë”, na qenkërka sipas këshilltarit shprehje që në thelb shfaq formën tipike të presionit, që i kujtokërka Drejtorit të Kabinetit gjuhën e diktaturave.

Nejse, mbase do të ishte më mirë që në këto rradhë të mos merremi me frikërka apo shfajësime, por të jemi disi më konkretë, duke iu referuar së paku rastit më të fundit: kthimit të Ligjit për ndarjen e re territoriale. Përpara se sa të firmoste dekretin përkatës, Kryetari i Shtetit, Bujar Nishani priti në selinë zyrtare të tij një grup komunarësh të zgjedhur nga Partia Demokratike, të cilët i kërkuan që të mos e aprovonte ligjin, dhe i kumtuan që nëse do ta bënte këtë ata do ta shpinin çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Një skenë komike kjo, prapa së cilës qëndronin suflerët, të cilët gjithashtu i kujtuan Presidentit çështjet që ishin kundërshtuar më parë prej tyre. Dhe Nishani pas këtij takimi shpalli menjëherë dekretin, pa ftuar dhe pritur qoftë edhe vetëm formalisht ndonjë grup tjetër qeverisësish vendorë të orientimit mazhoritar. Me anë të këtij akti, ai ka kontestuar numrin më të vogël të bashkive në Hartën e re, çka dobësokërka shërbimin ndaj popullit. Mirëpo, ky nuk është argument kushtetues, sepse dihet që në Kuvend u paraqitën disa variante dhe tek e mbramja u votua njëri prej tyre me 88 vota, pra me shumicë të cilësuar, ashtu siç parashikohet në nenin 81/2/f të Kushtetutës. Më tej, Nishani na paska konstatuar që për hartimin e ligjit nuk janë marrë parasysh pretendimet e përfaqësuesve të njësive vendore. Mbi çfarë sondazhi e nxjerr këtë përfundim? Apo thjesht prej fjalëve të atyre që thirri në Presidencë për t’iu ankuar?

Duke qëndruar te dekreti, Nishani vazhdon të shprehë keqardhjen, se nuk qenka marrë mendimi i popullsisë, çka bie – sipas tij – në kundërshtim me nenin 108/2 të Kushtetutës. Kush ia përshpëriti atij një të dhënë të pavërtetë, kur takime janë zhvilluar me banorët dhe të deleguarit prej tyre, të cilët kanë shprehur mendimet e veta në favor të këtij apo atij varianti? Në dispozitën referuese bëhet fjalë për t’u marrë mendimi dhe jo miratimi apo pëlqimi i popullsisë. Pra, edhe ky pretendim nuk ka bazë kushtetuese. Dale, dale, se s’ka përfunduar me kaq teksti i dekretit!. Në ’të thuhet përsëri ajo me të cilën PD justifikonte mungesën e pjesëmarrjes së deputetëve të saj në Komisionin parlamentar.

Pra, se më parë na u dashkej hartuar e miratuar ligji i ri mbi organizimin dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore dhe pastaj ndarja territoriale, kur edhe logjika më elementare ta do që të ndodhte e kundërta, ashtu siç u veprua. Lexuesi mund të bëjë pak durim dhe të dëgjojë edhe pretendimin tjetër të Presidentit, sipas të cilit na qënkej shkelur neni 13 i Kushtetutës, që parashikon se: ”Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore”. Po ku e kundërshton këtë parashikim ligji për Hartën e re? Kur të miratohet ligji tjetër për organizimin dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore, aktualin, (prej vitit 2000) sigurisht që e pret shfuqizimi.

Nga listën e Nishanit, më përpara duheshin miratuar, gjithashtu, edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kur se si mund të ndodhte kjo pa u bërë më parë ndarja e re territoriale, këtë Presidenti Nishani nuk na e thotë. Vazhdojmë...Jo, edhe durimi i kinezit e ka një fund, jo më pastaj ai i lexuesit tonë, pasi i zë veshi tërë këto gjëra.

Dhe, askujt me arsye normale nuk do t’i nevojitej ndonjë nuhatje e mprehtë për të kuptuar motivet e vërteta që e shtyjnë Nishanin t’u lëshojë frenat qëndrimeve të tilla; për të kuptuar që ai e ka ”çjerrë” simbolin e unitetit të popullit, të cilin mund ta restaurojnë vetëm pasardhësit në postin e Presidentit të Republikës; për të zbërthyer realisht, gjithashtu, akuzat e fundit që hodhi si bumerangun ai në Austri gjatë zhvillimit të punimeve të Forumit Evropian ’Alpbach 2014’, ku veç të tjerash iu desh të thoshte (citoj): ”...qëndrimi në pritje, në vend të marrjes së nismave janë shfaqje të mentaliteteve të shkuar, të cilat ngadalësojnë procesin e demokracisë dhe reformave”, kur dihet mirë se kush po përpiqet të tëntojë për t’i bllokuar ato, të cilat i ka nisur mazhoranca qeverisëse e drejtuar nga Kryeministri Rama.

Epo, i gjithë ky fjalim a s’është tipik për stilin e atij që zgjodhi mbi dy vjet përpara Nishanin në krye të shtetit tonë, tipik për stilin e atij që tani nuk ka prehër t’ia mbajë kopilin brenda vendit dhe u dashka të shkojë një i besuar jashtë shtetit ku ta lëshojë atë pjellë. Por, për këtë nuk ia vlen t’i qëndrojmë këtij komenti në formën e një replike me Drejtorin e Kabinetit të Presidentit Nishani, sepse ky i fundit mbase nuk mund ta dinte apo nuk mund t’ia hante mendja prej afro dy javësh përpara se çfarë do të llomotiste punëdhënësi i tij në mes të Vjenës.         


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

        

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit