Me ndihmën e ekspertit autoteknik Alfred Hasani, Report TV ka rindërtuar dinamikën e aksidentit tragjik në Durrës që u mori jetën dy të miturve Klesi Nikolli dhe Enea Muçaj, 10 dhe 12 vjeç.

Në një lidhje direkte me “Sot Live në Shqipëri”, eksperti shpjegon se skena është rindërtuar duke përdorur pamjet filmike dhe ato me dron të marra në vendngjarje. Paraqitja 3D tregon rrugën ku ndodhej automjeti, murin anësor, katër fëmijët dhe automjetin e parkuar.

Sipas dëshmisë së Nikoll Radaçit, ai ka qenë me “30 km/h.” Hasani thotë se sipas përllogaritjeve, shpejtësia ka qenë 90-100 km/h, aq sa do të lejonte autostrada Tiranë-Durrës dhe jo segmenti urban.

“Kohën e kemi marrë nga pamjet filmike dhe kemi matur një distancë referencë dhe ka rezultuar që në 1 sekondë, ky drejtues mjeti arriti të përshkonte 25-27 metra që do të thotë shpejtësia ka qenë 27-25 m/s, nëse do ta kthenim në kilometra në orë, do të binte 90-100 km/h. Do të thotë sikur ti qarkullon në rrugën interurbane kryesore Tiranë-Durrës, kur segmenti kryesor ku ndodhi ngjarja është zonë urbane dhe me kufizim shpejtësie 30 km/h dhe ka sinjalistikë vertikale vendkalim këmbësorësh”, thotë Hasani.

Për të rindërtuar skenën, kamera është vendosur edhe në pozicionin e shoferit që të tregojë më qartë fushëpamjen e tij. Dy fëmijët, Nikolli e Muçaj, kanë qenë me shpinë, ndërsa dy të tjerët përballë.

“Shmanget nga e djathta në të majtë, hipën në trotuar, godet një mur dhe më pas dy fëmijët. Fëmija i tretë, e gjithë energjia që ka pasur automjeti nuk ka shkuar te fëmija se është goditje anësore”, shpjegon Hasani.

Sipas testit të alkoolit, Radaçi rezultoi me 0.7 mg/l. Vetë ai tha se “kisha pirë një birrë në mëngjes.” Për të dyja këto deklarata, Hasani thotë se gabimi ndodh te konvertimi i njësive matëse. Kufiri i lejuar është 0.5 mg/l, thotë ai, por nëse kjo njësi kthehet në gramë për litër, përbën diferencë shumë të madhe.

Në rastin e Radaçit, del që ai ka qenë trefish i dehur dhe gabimi që bën policia është moskonvertimi i rezultatit të testit të alkoolit.

“Në momentin që një drejtues mjeti nuk është në gjendje të bëjë testin e alkoolit, i merret gjak dhe i bëhet një raport toksikologjik. Nëse del nga raporti toksikologjik 0.5 g/l në gjak, ti quhesh i dehur. Mos ta ngatërrojmë, në gjak. Aparati matës e mat me frymëmarrjen, por ka koeficient për ta kthyer në litër. Në test i ka dalë 0.7, kufiri është 0.5, policia e krahason, thotë jo, ky është vetëm 0.2 mbi kufirin, por jo, sepse 0.7 shumëzohet me koeficientin 2.1 dhe del 1.5 g/l në gjak. Ky i bie trefishin e dehjes. Sot policia të arreston kur ti arrin vlerën 0.5 mg/l në frymëmarrje, por nëse 0.5 e shumëzon me koeficientin 2.1, je 1.05, pra je dy herë i dehur. Policia sot të procedon për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt kur je dy herë i dehur, ky është gabimi”, thotë Hasani.

“Automjeti nuk arriti të ndalonte”, u shpreh Radaçi para policisë, por Hasani ka tjetër version.

“Në vendngjarje nuk janë gjetur gjurmë frenimi”, thotë ai.

Një tjetër pretendim i autorit është devijimi për shkak të një mjeti tjetër që i preu rrugën.

“Nuk dallohet ndonjë mjet që është bërë burim rreziku”, tha Hasani.

Eksperti nënvizon se alkooli ka qenë ‘shoferi’ i vërtetë i automjetit. Për këtë arsye, ai ka një thirrje të fortë për policinë që të vlerësojë drejt personat e dehur, të cilët janë rrezik në rrugë.

“Duhet t’i procedojë kur janë në vlerën 0.24 nga draggeri dhe ta shumëzojë me koeficientin 2.1 për ta kthyer në gjak. Pastaj vetëm i vendosin gjobë 100 apo 200 mijë lekë të vjetra. Këta janë kontigjentë në rrugë. Niveli i alkoolit ndikon në reagimin e drejtuesit të automjetit. Në momentin që ai është nën ndikimin e alkoolit reagon me vonesë”, thotë Hasani.

Në fund, ai ngulmoi që shoferëve të dehur t’u hiqet leja e drejtimit.

 
 

 

P.J/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 5 Maj, 08:35

    Gjykata e Lartë frenon Prokuroritë dhe Gjykatat për arrestin me burg, si e vlerësoni?