Reportazh, Pronarët grekë:
Ikën shqiptarët, po rrënohemi

Reportazh, Pronarët grekë:<br />Ikën shqiptarët, po rrënohemi
TIRANE - Kemi kaluar doganën e Kapshticës duke ecur në drejtim të Selanikut. Na shfaqet para syve Follorina, pastaj tej në jug qyteti i Grebenesë. Vetiu më erdhën në mëndje vargjet e një kënge të hershme:
 
“Qiraxhi i Grebenesë ,qiraxhi …
Qenke qen i pabesë,qiraxhi …”

Si dikur këtu nisin plagët e hidhura të kurbetit. Gjyshërit tanë vinin punonin në Greqi për të siguruar bukën e gojës edhe sot vazhdon e njëjta dramë. Vetëm këtu në Greqinë e Veriut ka mbi 350 mijë emigrantë që i përmbledh konsullata e Selanikut. Në makinën time në Kapshticë kam marrë një djalë nga Mokra, Aleksi, që në të vërtetë është Arifi, sepse emrin e ka ndërruar këtu në Greqi. Tregon sesi fillimisht ka kaluar nga mali për në Greqi. “Kemi hequr e vojtur pasi kaluam malin e Pisoderit. Edhe sot ndonëse kanë kaluar mbi 15 vjet nuk e kuptoj se si mbërritëm gjallë në Greqi, jo vetëm që e çamë dëborën me gjoks, por na kërcënonin tufat e ujqërve nëpër pyll…”.

Aleksi më tregon: “Ja shikoje atë qafën e malit atje i thonë Shtegu i Refugjatit, pasi aty është një rrugë e njohur për të kaluar. Këtu i thonë Ara e Gjakut, pasi një pronar grek theri me thikë një emigrant nga Velçani i Mokrës. Aleksandër quhej ai. Pronarit grek ku punonte emigranti i kishin vjedhur kasetofonin e makinës dhe ai dyshonte se ia kishte vjedhur shqiptari… Gjatë gjithë rrugës për në Selanik na shoqërojnë kodra të sistemuara me portokaj limona dhe ullinj. Padashur ndjen një trishtim të thellë kur sheh peizazhin tonë të braktisur me toka të papunuara të mbuluar nga shkurret dhe drizat.

Jemi futur në autostradë dhe kemi lënë pas Kozanin, Verian e bukur dhe pasi kemi kaluar dhjetëra tunele njëri pas tjetrit në buzëmbrëmje i jemi drejtuar Selanikut ...Përgjatë gjithë rrugës shohim karvane me makina emigrantësh të cilët po kthehen. “Vdekjen e dinim, por që të katandisej Greqia në këtë mënyrë na thotë ai nuk e mendonim. Të gjithë shqiptarët do të ikin. Kur i zoti i shtëpisë nuk ka bukë për vete, nuk ka si të qëndrojë miku. Kështu themi ne nga Mokra.
 
NË SHESHIN “OMONIA”
 
Selaniku të befason në çdo stinë që ta shohësh. I shtrirë midis tri rrugëve kryesore që përfundojnë në det me parqe dhe rrugë të pastra, qyteti shpaloset në hapësirën blu si një flamur dhe nën këmbët e tij ka detin e kaltër.
Vjen mëngjesi. Qëlloj të jem aty në një kohë grixho me ajër të lagësht, sepse herë pas here ia behte shiu. Tek stacioni i trenit përballë stacionit të autobusëve ishte një shesh i madh që dëgjohej vetëm shqip. “Kjo është “Omonia” e Selanikut, -më thotë një shqiptar, - këtu presim që të na marrin për punë dhe nuk janë pak. Janë mijëra vetë të gatshëm për të punuar në çfarëdolloj pune. Kur orët kalojnë dhe nuk vjen ndonjë pronar grek për t’i marrë ata sikletosen së tepërmi nuk duan që dita t’ju iki bosh…

Aty sheh emigrantë të të gjitha moshave. “Naum Tupa një emigrant shqiptar që prej 10 vjetësh jetonte së bashku me familjen në Selanik”, -na thotë se duhet të ecësh dhe të takosh emigrantët shqiptarë nëpër fabrika, kantiere, hekurkthyesin, gurgdhendësin, bariun majë  malit nëpër stane, fëmijët tanë nëpër shkolla, … Është vërtet  një fakt i pamohueshëm, se shqiptarët janë integruar me shumë dinjitet këtu në Greqi. Madje edhe grekët tashmë kanë një shprehje të tyren kur iu drejtohen punëtoreve grekë: “Të punoni si shqiptarët!“

Duke kaluar nëpër monumentet historike, në Pazarin shekullor dhe të famshëm të Selanikut, në sheshin Aristoteli, pranë kishës gjigande të Shën Dhimitrit na shoqëron një emigrant që ka mbi 10 vjet që punon në Greqi, Agron  Saliasi nga Korça. Është një një burrë i fortë dhe me shikim të mprehtë. “…Ja e shikon atë fabrikën e çimentos  atje e kam ndërtuar unë së bashku me disa shqiptarë të tjerë. Montonim kapriatat në katin e 17-të saj ... Ja sot ne po kthehemi me familjen në Korçë. Greqia mbaroi krejt, nuk kemi se çfarë të bëjmë më  …

Mimoza Dako është mësuese dhe i është përkushtuar krijimit të kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Selanik. Mimoza është kryetare e parë e shoqatës  të emigrantëve, shoqatës shqiptare të Selanikut e krijuar në vitin 1998. “Së bashku me mësues të tjerë në mënyrë vullnetare iu zhvillojnë mësim fëmijëve shqiptarë në gjuhën amtare, që  të shmangim analfabetizmin e fëmijëve të emigrantëve tanë këtu në Selanik dhe për këtë jemi krenarë. Numri i tyre ka rënë ndjeshëm, nga 65 fëmijë që zhvillonim mësim kanë ikur në Shqipëri më shumë se gjysma e tyre …
 
TAKIMI ME PRONARIN GREK
 
Kolegu im grek Niko Vasilis më prezanton me xhaxhin e tij Jorgo Vasilis. Një burrë 75-vjeçar i dërrmuar shpirtërisht. Ka pasur një biznes ndërtimi me vila me gurë dhe nuk shitet asnjëra nga pjesa më e madhe e tyre që janë të përfunduara. “I gjithë biznesi im ka qenë i mbështetur me mjeshtrit shqiptarë të punimit të gurit, vilave luksoze në periferi të Selanikut, por kapitullova. Shiko si kanë ngelur pa u shitur. Nuk i ble njeri. Kriza na ka kapur si oktapod. Ja shiko janë një pjesë të përfunduara dhe një pjesë tjetër ka ngelur në mes. Mjeshtrit shqiptarë të gurit që i ndërtonin m’u larguan. Jam i bllokuar. Nuk kam lekë që t’i paguaj.

Flasim edhe për ngjarjet e fundit të Agimit të Artë në Greqi dhe ai thotë se i kanë lënë një shije të keqe. “Miqësia midis popujve shqiptarë dhe atyre grekë është një domosdoshmëri historike, por kjo miqësi kaq e dëshiruar nuk mund të arrihet me nacionalizma, pavarësisht se nga cila anë vijnë ato. Ne dhe ju shpesh krijojmë ngjarje artificiale për të keqësuar marrëdhëniet tona. Ja sicc është rasti i kishës në Përmet. Atë ta zgjidhin organet e drejtësisë, prandaj quhet gjykatë. Jorgua na çon me makinën e tij tek blloku i vilave të ngelura të papërfunduara.

Udhëtojmë buzë detit. Gjurmët e trazirave të fundit antiqeveritare ndaj krizës greke për masat drastike të qeverisë i gjen ngado në Selanik; dyqane të shkatërruara... Befas përballesh me një monument gjigand të Aleksandrit të Maqedonisë. Grekët mburren me Aleksandrin …Pikërisht në këmbët e këtij monumenti gjigant vinte një pjesë orkestrale e interpretuar me saks. Shoh një muzikant nga Pogradeci, 55-vjeçari Enver Ademi.

Ai ka qenë prej shumë vitesh muzikant i njohur por tashmë ai është invalid, i ka ikur shikimi dhe ka zgjedhur këtë mënyrë për të mbijetuar, duke argëtuar kalimtarët pasi ai nuk punon dot. Enveri si i zënë në faj i skuqur thotë se të ardhurat që merr nga raporti mjeko-ligjor nuk i dalin për të mbajtur familjen, prandaj ka gjetur këtë formë për mbijetesë. Kalimtarët e rastit i hedhin monedha eurosh duke dëgjuar pjesët që ai interpreton…

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria pret samitin e NATO-s në 2027! Ministri Hasani: Aktiviteti në kalendarin e aleancës, kemi nisur përgatitjet! Drejtori e re në ministrinë e Jashtme për shqiptarët në rajon

Shqipëria pret samitin e NATO-s në 2027! Ministri Hasani: Aktiviteti në kalendarin e aleancës, kemi nisur përgatitjet! Drejtori e re në ministrinë e Jashtme për shqiptarët në rajon