'Republika e Parë': Lufta e ftohtë mes Sali Berishës dhe Ibrahim Rugovës

'Republika e Parë': Lufta e ftohtë mes Sali Berishës dhe Ibrahim Rugovës

Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha

Krisja e Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha me udhëheqësin e Kosovës, Ibrahim Rugova, është një nga zhvillimet më të rëndësishme politike në mesin e viteve 90. Ajo nuk ishte as episodike dhe as momentale, por një proces politik që pati shkaqet dhe amplitudat e veta. Ajo jepet me hollësi në librin “Republika e Parë” të Mero Bazes, ku ka episode të panjohura më parë për këtë përplasje. Në këtë pjesë të librit që do publikohet sot, pasqyrohet ndërhyrja e Sali Berishës duke përdorur Adem Demaçin si faktor kundër Rugovës, si dhe roli misterioz i një aktori të çuditshëm-shefit të shërbimit sekret të asaj kohe, Bashkim Gazidedes.

Lufta e ftohtë Berisha - Rugova

Sali Berisha po shkonte përditë e më shumë larg politikës së SHBA. Fitorja edhe e zgjedhjeve lokale të 20 tetorit 1996, kishte kompletuar pushtetin e plotë të tij dhe njëkohësisht dramën e tij. Ai shtoi armiqtë politikë në Shqipëri dhe humbi aleatin më të rëndësishëm në botë, SHBA. Presioni për mbylljen e kompanive piramidale kishte filluar. Marrëdhëniet e qeverisë me FMN ishin përkeqësuar. Ministri i tij i Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës, Kristaq Luniku, bënë deklarata që dëshmonin se nuk ishin aq luajalë me vendosmërinë e Sali Berishës për të mos prekur firmat piramidale.

Në këtë situatë të tensionuar, skemave të para piramidale po u merreshin këmbët. I bindur se e vetmja mënyrë për të tërhequr sërish SHBA në anën e vet ishte Kosova, Sali Berisha u investua të përfshihej në atë betejë.

Sali Berisha përdor Adem Demaçin kundër Rugovës

Sali Berisha i drejtoi sytë nga Adem Demaçi, një lider që nuk e kishte përfillur deri në ato momente. Demaçi që kishte bërë gjeste të përfshirjes në politikë duke u anëtarësuar në Partinë Parlamentare të Kosovës, u ftua në fund të nëntorit në Tiranë.

Vëmendja e shtypit ndaj kësaj situate ishte ekstreme. Si gazetar i “Zëri i Amerikës”, u përpoqa të intervistoja Adem Demaçin. Problemi ishte se nuk gjendej dot ku qëndronte. Përfaqësia e Kosovës në Tiranë nuk kishte asnjë informacion. Dinte vetëm se qe i ftuar i Sali Berishës. Berisha donte siguri për temat e bisedës me Demaçin. Kishte sidomos kuriozitet nëse ideja për intervistë ishte e imja apo e redaksisë. Pastaj më ofroi një roje të vet, të më lidhte me rojet e Demaçit. Më në fund, më thanë të shkoja te ish-hotel “Vjosa”, (“Miniri”), një hotel i vogël, në cep të sheshit “Skënderbej.” Aty më thanë se dikush do të më japë një telefon të lidhem me Demaçin.

Qëndrova gjysmë ore, por askush nuk po vinte. Pyeta recepsionisten nëse kishte ndonjë porosi për mua. Pasi pyeti për emrin, më tha “po.” Pas pak, një djalë i gjatë nga siguria e zotit Demaçi, erdhi në holl dhe më tha se do të më jepte një telefon, ku mund ta thërrisja zotin Demaçi pas gjysmë ore. Po më shkonte një orë të takoja dikë që ishte fshehur në mes të Tiranës. Telefoni që më dha ishte numër fiks, jo mobil. M’u duk i njohur për shkak se kishte disa shifra njësoj. Sapo djali u largua, i rashë telefonit dhe pashë vajzën e recepsionit që kapi dhe ngriti receptorin. E kuptova. Adem Demaçi ishte në hotel. Vesi i “ilegalit” nuk i kishte dalë ende...

E filluam intervistën në hollin e hotel “Vjosa”. Gjatë intervistës për dy gjëra ishte i qartë. E para që duheshin mbështetur protestat në Serbi. E dyta që qeveria në Tiranë nuk kishte bërë asnjë gabim që i mbështeste ata dhe që kritikonte Prishtinën për pasivitet. Intervista ishte siç e dëshironte Sali Berisha. Kërkonte mbledhje të parlamentit në Kosovë, dinamizim të rezistencës institucionale, mbështetje të protestave në Serbi. Diametralisht i kundërt me qëndrimet e Rugovës. Dy prej pyetje-përgjigjeve të tij shpjegonin gjithçka.

- Kohët e fundit, shtypi zyrtar i Tiranës, por edhe politika

zyrtare po u bën thirrje shqiptarëve të Kosovës t’i përkrahin demonstratat e opozitës serbe. I bashkoheni ju këtij qëndrimi?

Demaçi: Unë, siç e dini, ua kam dërguar edhe një mesazh në formë përkrahjeje këtyre demonstratave. Mesazhi ka hasur në përkrahje dhe ka bërë një jehonë të madhe, si në mes të demonstratave, ashtu edhe në mesin e inteligjencies serbe.

Unë mendoj se këto demonstrata duhet t’i përkrahim, sepse demokratizimi i Serbisë është kusht që do të bënte që edhe Kosova të lirohej me një çmim më të vogël dhe me një shpejtësi më të madhe.

- A mos shikohet ndonjë ndryshim i politikës zyrtare të Tiranës ndaj diskursit të sotëm politikës në Kosovë?

Demaçi: Politika e Tiranës ka qenë në mënyrë konstante në përkrahje të lëvizjes kosovare, në përkrahje të pavarësisë kosovare dhe kjo politikë ka pasur oshilacione shumë të vogla. Mirëpo, tash së fundi, politika shqiptare, domethënë e shtetit shqiptar është kristalizuar krejtësisht. Deklaratat e fundit të zotit Tritan Shehu dhe deklaratat e fundit të presidentit Berisha, janë shumë të favorshme dhe janë ashtu si i duhen përkrahjes së lëvizjes shqiptarë...”

Me Sali Berishën u takua më 24 nëntor, në mesditë. Berisha vlerësoi faktin që Demaçi kishte mbetur “simbol i qëndresës sonë kombëtare”, një vlerësim ky që tejkalonte peshën e Ibrahim Rugovës në historinë e rezistencës paqësore. Në njoftimin zyrtar të Berishës thuhet: “Ai ia konfirmoi presidentit Berisha mendimin e tij për marrëveshjen e arsimit, se problemi i shkollave mund të zgjidhej nga vetë nxënësit shqiptarë.”, Kjo nënkuptonte lëvizje protestash nga studentët dhe nxënësit në Prishtinë, nëse marrëveshja nuk zbatohej. Ishte dhe motivi i protestave të studentëve në tetor 1997, në Prishtinë. Berisha po ashtu nënvizoi mbështetjen e tij për marrëveshjen e arsimit, “si provë e vullnetit të presidentit Milošević për të respektuar atë që ka nënshkruar.”

Berisha kërkoi ndërkohë që Kosova të mbledhë Parlamentin e saj, të funksiononte normalisht. “Parlamenti dhe institucionet e tjera që jo vetëm që nuk do të ndërlikonin, po përkundrazi, do t’i kontribuonin stabilitetit dhe zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës, çështje kjo që përbën faktorin më të ndërlikur të krizës ballkanike.” Mbështetja për opozitën serbe, përpjekja për të konstituuar parlamentin ende të pambledhur të Kosovës dhe formimin e institucioneve legale në Kosovë, ishin dhe tezat që ndezën betejën e tij të heshtur me Rugovën. Në fakt ishin të gjitha utopi. Ibrahim Rugova nuk ia kishte dalë dot t’i ruante deputetët nga arrestimi pa u konstituar, e jo më t’i mblidhte ata.

Berisha e dinte shumë mirë këtë. Ai thjesht ishte duke i thënë Rugovës, “bëj këtë, ose largohu se e bëjnë të tjerët.” Ironia ishte se Rugova do të vinte në Tiranë një ditë pas Demaçit. Ai do të shkonte pas Shqipërisë në Norvegji, për të vazhduar në SHBA në takim me Warren Cristopher, pastaj në kthim në Francë do të merrte një medalje nga Universiteti Sorbonne, në Paris. Pas një muaji do të rikthehej përsëri në Tiranë dhe pastaj në Prishtinë.

Drama e Sali Berishës ishte shumë e madhe. Ibrahim Rugovën që e kishte konsideruar deri atëherë një krah të tij, tani e priste tri herë në vit sekretari i Shtetit, Warren Christopher, kurse Berishën prej muajsh nuk e takonte askush përveç Adem Demaçit. Takimi i Rugovës me Sali Berishën u bë më 25 nëntor, një ditë pas Demaçit. Në deklaratën e zyrës së Berishës duket askush nuk i prek temat e nxehta. “Presidentët Berisha e Rugova theksuan se fillimi i punës së Parlamentit dhe institucioneve të tjera në Kosovë, përbëjnë faktorë të rëndësishëm stabiliteti që i kontribuojnë zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës.” Kjo ka qenë padyshim fjalia më e vështirë e Berishës për ta futur në bisedë. Ibrahim Rugova e ka kaluar pa shumë emocion. 

Gjatë ceremonisë së shpalljes së tij “Doktor Nderi” nga Universiteti i Sorbonne në Paris, duke folur për BBC në shqip, Rugova shpjegoi përse nuk përfshihej në mbështetjen e protestave në Serbi, siç kërkonte Tirana. Sapo mbërriti në Tiranë, Berisha bëri kujdes të takohej sërish me Rugovën. Ai ishte interlekutori i vetëm i shqiptarëve me SHBA dhe Berisha kishte nevojë të dukej i përfshirë.

Në njoftimin e zyrës së Berishës, thuhet: “Presidentët falënderuan SHBA dhe i vlerësuan si shumë të rëndësishme takimet që z. Rugova zhvilloi me sekretarin e Shtetit, Christopher, me kongresmenë e zyrtarë të tjerë të lartë të administratës amerikane dhe i konsideruan ato si konsolidim i angazhimit dhe interesimit të SHBA për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Presidentët Berisha e Rugova theksojnë se demokratizimi i Serbisë me rrugë demokratike dhe paqësore është një zhvillim i rëndësishëm pozitiv jo vetëm për Serbinë, por edhe një kontribut direkt e real për paqen e stabilitetin në rajon.”

Njoftimi i zyrës së shtypit të Berishës bënte kujdes të paraqiste në çdo rast atë “të dy presidentët”, sidomos te pika që flitej për protestat në Serbi. Por ndarazi ata kishin qëndrime publike të ndryshme. Kjo dukej qartë në një intervistë që Ibrahim Rugova dha për gazetën prestigjioze franceze “Le Figaro.” Nata e fundit e Rugovës në Tiranë atë fund dhjetori ishte shumë e tensionuar. Vetë nuk e prisja që punët kishin shkuar aq larg. Ndërsa shkova sërish te Vila 31, me shpresë se këtë radhë do jepte intervistë pas vizitës në SHBA, pashë që në hollin e vilës situata dukej e tensionuar. Shoqëruesi i tij Adnan Merovci, kishte lënë një oficer të gardës që nuk të lejonte të ngjiteshe lart pa njoftuar atë. Bashkim Gazidede ishte ulur në një kolltuk pak më tutje, i xhindosur. U përshëndeta pa ditur pse ishte aty.

- Ku do shkosh?

Dhe pastaj tundi kokën në drejtim të katit sipër, si për të më thënë “tek Ai?”

- Po. - i thashë. - Kam lënë një gjysmë fjale për intervistë...

Tundi kokën në mënyrë zhgënjyese. Dukej sikur ishte gati të më thoshte “pse shkon kot tek ai...”

Ibrahim Rugova ishte vetëm në dhomë duke parë televizor. Më bëri shenjë të ulem. I thashë se po priste poshtë Bashkim Gazidede. Ndoshta ishte për ju...

- I kam thënë Adnanit jam i zënë. Janë do punë që duhet t’i kryej me nivele të tjera.

Nga bezdia me të cilën fliste dukej se duhet të ndërroja temë, ndërsa ai po bënte sikur kërkonte shishen e whiskey.

E gjithë kjo skenë brenda në dhomën e tij dhe tensioni se ai që priste në holl edhe mund të trokiste, dukej që ishte i fortë. Pastaj biseda shkonte në shtigje pa rëndësi reale. E pashë që po dështoja. As bëhej fjalë të jepte intervistë.

- A po jep intervistë për “Zëri i Amerikës”? - e përsërita me siklet.

- Jo de, jo! Çfarë interviste! Mirë që u pamë! Qe, e gjeta dhe whiskey! Po e pimë një gotë...

Dhe pastaj biseda ndryshoi tërësisht. Nuk arrita të fus dot në të as Berishën, as Demaçin, as Bukoshin, as sherret Tiranë- Prishtinë.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kadri: 26/11/2022 14:24

    Tani mezi po presim qe Mero te "zbuloje" se heroi ne ato kohe nuk ishte kush tjeter vecse Rames!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë