'Revolta e Spaçit, e nxitur nga CIA dhe Vatikani, policët tanë treguan heroizëm dhe….'./ Relacioni sekret për Hysni Kapon

'Revolta e Spaçit, e nxitur nga CIA dhe Vatikani, policët tanë treguan heroizëm dhe….'./ Relacioni sekret për Hysni Kapon

Burgu i Spaçit

Memorie. al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së që për vite me rradhë kanë mbajtur siglën “Tepër sekret” ku bëhet fjalë mbi një korrespodencë të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Mirditës, Jovan Bardhi me Komitetin Qëndror të PPSH-së, lidhur me revoltën e zhvilluar në burgun e Spaçit më 22 maj të vitit 1973, ku një pjesë e madhe e të burgosurve që vuanin dënimet në atë kamp me kushte tejet të vështira pune dhe jetese, u ngritën në një revoltë,  pas keqtrajtimit që i’u bëri policia dy bashkëvuajtëseve të tyre, vëllezërve Pal dhe Gjok Zefi, nga fshati Rrushkull i rrethit të Durrësit. Si e përshkruante sekretari i parë i atij rrethi në raportet që i dërgonte sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapo, duke analizuar me detaje të gjithë kronologjinë e ngjarjes, nga veprimet e të dënuarëve, ndërhyrjen e efektivave të forcave policore, e deri te konkluzionet e komandës së Kampit dhe Komitetit të Partisë së Mirditës, për atë ngjarje të jashtëzakonëshme dhe masat që u morrën pas shtypjes së asaj revolte.  

I ndërtuar në mesin e vitet 60-të, kampi i Spaçit i vendosur në një nga zonat më të vështira dhe të izoluara të rrethit të Mirditës, do të shërbente për plot 25 vite si një nga institucionet e “Riedukimit” më të tmerrshme lidhur me trajtimin e të dënuarëve politikë, duke filluar nga kushtet e punës dhe jetesës, e deri tek ndëshkimet e tyre. Sipas shumë e shumë dëshmive të dënuarëve që kanë vuajtur vite të tëra në atë kamp, por edhe të mjaft dokumentave arkivore që janë publikuar këto vitet e fundit, tregohet qartë mbi shkaqet e vërteta të shpërthimit të revoltës së të burgosurve në kampin e Spaçit e ndodhur në datat 21-23 maj të viti 1973. Revolta e të dënuarëve politikë të kampit të Spaçit, ku u ngrit për herë të parë flamuri pa yllin e kuq, do të trondiste dhe vinte në alarm, jo vetëm administratën e kampit dhe Ministrinë e Brendshme, e cila do të niste urgjent me helikopter zv/ministrin, Feçor Shehu në Mirditë, por edhe udhëheqjen e lartë komuniste me në krye Enver Hoxhën. Por kjo kryengritje e të dënuarve politikë të këtij kampi, do të shtypej brënda 72 orëve me egërsinë më të madhe nga efektivat policore të ruajtjes së kampit, si dhe nga disa njësi të mëdha ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe asaj të Punëve të Brendëshme që u dërguan atje për shtypjen e asaj revolte. Ku për pasojë, katër të dënuar, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi, dhe Skënder Daja, të cilët do të akuzoheshin nga gjyqi i improvizuar ushtarak në ambjentet e burgut, si “iniciatorët kryesorë të nisjes së kësaj revolte”, do të dënoheshin me vdekje, dhe do të pushkatoheshin. Ndërsa këto gjëra tashmë janë të njohura, ato që njihen më pak janë dokumentet arkivore, siç janë relacionet në fjalë, ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Mirditës, Jovan Bardhi, i’a dërgon sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapos, (që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit), ku infromon me detaje dhe hollësira gjithçka kishte ndodhur në atë kamp me revoltën e të burgosurve poltik. Për më shumë na njohin dokumentet arkivore që Memorie.al po i publikon të plota duke filluar nga ky numër.

Informacioni i parë për Revoltën nga Jovan Bardhi

 PARTIA E PUNES SHQIPERISE             Rrëshen me 24. V. 1973                           

KOMITETI I PARTISE RRETHIT

          MIRDITE

Lënda: Informacion paraprak mbi shtypjen e revoltës kundërevolucionare të të dënuarëve në Kampin e Spaçit

                                        KOMITETIT QENDROR TE PPSH

(Sh. Qemal Myrseli)                                                        

                                                          Tiranë

Siç jeni në dijeni, më datën 21 Maj 1973 nga të dënuarit politik të kampit të riedukimit të Spaçit u zhvilluan një revoltë kundërrevolucionare e cila u shtyp më datën 23. V. 1973 dhe më datën 24 gjëndja u normalizua, të dënuarit filluan punën në prodhim. Komiteti i Partisë me anën e shokëve Jovan Bardhi Sekretar i Parë dhe Preng Pepa kryetar i Komitetit Ekzekutiv, ndoqën në vënd gjatë gjithë kohës punën dhe mori masa s’ë bashku me kuadrot e ngarkuar nga Ministria e Punëve të Brendëshme të kryesuar nga shoku Feçor Shehu, zv/ministër i Punëve të Brendëshme për shtypjen e revoltës.

Ngjarja nisi në ora 5 të mëngjezit të datës 21 Maj 1973. Si pretekst u shfrytëzua thyerja e rregullave të Kampit nga një i dënuar, (Pal Gjergj Zefi) i cili u largua nga biruca pa kryer dënimin dhe pa urdhër të komandës. Gjatë tentativës për ta kthyer në birucë, shpërtheu veprimi i 16 të dënuarëve të tjerë në mbrojtje të të dënuarit Pal Zefi dhe kundër oficerit dhe nën-oficerëve të tjerë të shërbimit deri në goditje. Historikun nga ana kronologjike nuk po e zhvillojmë pasi jeni të informuar. Ngjarjet që u zhvilluan tregonin se kishim të bënim me një revoltë kundërrevolucionare me karakter thellësisht politik dhe jo për çështje të thjeshtë të rregullit të punës e të jetesës.

Ata filluan të veprojnë në masë të gjithë, duke përdoruar parrulla reaksionare “Ja vdekje ja liri”, “Ju jeni katila, keni lyer duart me gjakun tonë”, “Rroftë Evropa e lirë”, “Poshtë komunistët”, “Do t’ju djegim si Stalinin”, “Populli është me ne dhe është kundër jush”, U bënë thirrje ushtarëve të dorzonin armët. Ngritën një flamur të përgatitur dhe të vizatuar prej tyre. Zhvilluan mbledhjet e përfaqësuesve sipas krahinave. Përpunuan platformën për të kordinuar veprimet në vazhdim të revoltës. Nxorën kërkesa për lëshime, të lirohen nga burgu si të pafajshëm, të mos punojnë asnjëherë nën tokë. Grisën dhe dogjën këndin e emulacionit, shkruan parrulla me përmbajtje kundërrevolucionare.

Pra kishim të bënim me revoltë thellësisht kundërrevolucionare. Kjo situatë vazhdoi deri në mëngjez të datës 23 Maj 1973, kohë në të cilën masat tona që u morrën gjatë ditëve 21 dhe 22 Maj 1973, u vunë plotësisht në veprim dhe shpartalluan e likujduan plotësisht revoltën. Gjatë veprimeve gjëndja morale dhe mobilizimi i efektivit i ngarkuar për sigurimin e Kampit si dhe të efektivave të tjera që erdhën me urdhër nga lart qe mjaft i mirë, vepruan energjikisht, përballuan lodhjen e pagjumësinë etj, dhe kryen me sukses detyrën. Pas shtypjes së revoltës, Byroja e Komitetit të Partisë të rrethit veç informimit gjatë zhvillimit të ngjarjeve, më datën 24 Maj 1973, u mblodh posaçërisht dhe u infomrua në mënyrë më të plotë dhe po ndjek analizat në Organizatat e Partisë dhe në Organet e Punëve të Brendëshme, në Degë dhe në repartin 303 për të nxjerrë shkaqet që lejuan të zhvillohet kjo revoltë, përgjegjësinë kolektive dhe personale për gjëndjen e krijuar si dhe mësimet që do të nxirren nga kjo gjëndje e rëndë dhe për përmirësimin e saj.

Pas këtyre analizave, Byroja e Komitetit të Partisë do të mblidhet në mënyrë të veçantë për të kërkuar llogari shkaktarëve, për të përcaktuar përgjegjëesit e Organizatave Bazë të Partisë të Degës së Punëve të Brendëshme, e repartit 303 si dhe përgjegjësinë e sekretarjatit dhe të vetë Byrosë. Për këto do t’i raportojmë hollësisht Komitetit Qëndror të PPSH-së. Gjatë këtyre ditëve do t’ju mbajmë vazhdimisht në dijeni mbi gjëndjen atje dhe mbi masat e mëtejshme për forcimin e saj. Ngjarja është marrë vesh edhe në zonat e tjera të rrethit pasi aty ka pasur punëtorë të cilët u larguan nga miniera, rrugëtarë që kanë kaluar dhe e kanë parë etj.

Me të dhënat që kemi, jehona është e mirë. Njerëzit janë shprehur me urrejtje, ndaj armiqëve dhe kanë shfaqur mendimin se armiqtë duan plumbin. Ne do të shfrytëzojmë rastet jo të posaçme që në mbledhjet dhe në takimet e ndryshme nëpër zona të sqarojmë gjëndjen dhe masat tona si veprim të diktaturës së proletariatit kundër armiqëve të klasës duke i lidhur me temat e dhëna nga shoku Enver në fjalën e 15 Marsit 1973. Shënojmë se masat e forta që u morrën për shtypjen e revoltës, vëndimi i gjykatës speciale ndaj 12 të gjykuarëve, dhe ekzekutimi i këtij vendimi brenda datës 24 Maj 1973, ka bërë efektin që armiqtë të nënshtrohen dhë të futen në punë.

SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISE

                        JOVAN BARDHI

 Informacioni për masat e marra pas shtypjes së revoltës

 Qemal Myrselit për shokun Hysni

1.6.1973

 PARTIA E PUNES SHQIPERISE             Rrëshen më 30 . V. 1973                   

KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT

MIRDITE

Nr. 335  Prot.

Lënda: Informacion mi gjëndjen në kampin e riedukimit Spaç për periudhën 24 – 29 Maj 1973

                                    KOMITETIT QENDROR TE PPSH

 (SH. QEMAL MYRSELI)                        TIRANE

Përveç problemeve për të cilat ju kemi informuar, sipas informacioneve që kemi nga Dega e Punëve të Brendëshme tani në kampin e riedukimit të Spaçit paraqitet kjo gjëndje: Së pari. Si rezultat i masave që u morrën tani gjëndja është stabilizuar, të dënuarit dalin rregullisht në punë, nuk ka thyerje të disiplinës dhe në përgjithësi e realizojnë dhe tejkalojnë normën. Kështu p.sh. më datën 28 Maj, dy turnet, ndonëse me mungesë të fuqisë punëtore dhe të ajrit të komprimuar për mungesë të energjisë elektrike, plani u realizua në pirit 83 përqind dhe në bakër 77 përqind, kështu në qoftë se nuk do të kishte mungesë ajri, plani ditor do të realizohej. Së dyti. Qëndrimet në rradhët e të dënuarëve paraqiten në këtë mënyrë:

Pjesa më e madhe e tyre tani i dënojnë shkaktërat që nxitën dhe morën pjesë në revoltë. Shumë prej tyre u janë kundërvënë elementëve që ishin pjesmarrës dhe nxitës në revoltë, bile kërkojnë të merren masa edhe ndaj tyre. Një pjesë e konsiderueshme mbajën qëndrim indiferent, këta dalin rregullisht në punë, zbatojnë rregullat e disiplinës por në çështjet e tjera qëndrojnë indiferent. Pjesa tjetër që përbëjnë pakicën, në mënyrë të maskuar vazhdojnë të përhapin parrulla armiqësore. Kështu p.sh. disa shprehen: “Neve do të qëndrojmë të papërkulur ashtu siç kemi qëndruar”. Ndërsa i dënuari Xhemal Bali nga Konispoli, i dënuar dy herë për krime ndaj shtetit thotë: “Neve nuk na duhet më gjë jeta që jetojmë”.

Ndersa dy të tjerë shprehin urrejtjen ndaj masave që u morrën nga organet tona për arrestimin dhe dënimin e shkaktarëve të revoltës. Nëpërmjet këtyre ka edhe nuanca për hakmarrje sidomos kundër disa të dënuarëve që dolën dëshmitarë dhe denoncuan organizatorët kryesorë të revoltës dhe në forma shumë të maskuara urrejtja më e madhe shprehet kundër kuadrove që morrën pjesë në stabilizmin e gjëndjes. Me qëllim që të bëhet spastrimi dhe stabilizmi i mirë i gjëndjes nga Organet e Brendëshme dhe të Drejtësisë, janë arrestuar edhe 5 vetë më datën 27 Maj pjesmarrës së revoltës dhe vazhdues të veprimtarisë armiqësore. Organet e Degës së Punëve të Brendëshme vazhdojnë përsëri punën e tyre në drejtim të zbulimit, të demaskimit dhe të punës edukative me qëllim që të thellohet më tej diferencimi Brenda rradhëve të tyre.

 SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISE

                        (JOVAN BARDHI)

Konkluzionet e Komitetit të Partisë së Mirditës për ngjarjen në kampin e Spaçit

Sipas porosisë së shokut Hysni u bisedua me shokët e M.P.B. dhe çështjet u shtruan në mbledhjet e kolegjiumit. Nga kjo mbledhje dolën dhe të metat e punës dhe u morrën masat e nevojshme.

23. VI.1973 Qemal Myrseli

PARTIA E PUNES SHQIPERISE            Rrëshen, më 8.VI.1973                   

KOMITETI I PARTISE RRETHIT

MIRDITE

Nr. 358. Prot.

Lënda: Dërgojmë konkluzionet e Byrosë së Komitetit të Partisë së rrethit mbi ngjarjet në kampin e Spaçit

                                                 KOMITETIT QENDROR TE PPSH

 (Shokut Qemal Myrseli)                         TIRANE

Bashkangjitur ju dërgojmë: materialin me konkluzionet e Byrosë së Komiteti tv të Partisë së rrethit lidhur me ngjarjen në kampin e Spaçit.

SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISE SE RRETHIT

JOVAN BARDHI

 Sh Qemal

I bisedoni këto probleme që i takojnë MPB-së të merren masa.       

Hysni Kapo

Memorie.al

                                                                                Vijon nesër

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion