Prej disa ditësh, Partia Demokratike ka nisur një valë spastrimesh brenda saj. Fillimisht përjashtoi nga grupi i PD në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgijën dhe Arlind Boshkun.
Më pas u zhvendos në Elbasan duke përjashtuar nga Këshilli Bashkiak Rudina Allën, Doris Madhin, Zheni Gjergjin dhe Alesia Balliun, ku kjo e fundit kishte shprehur ambicien për të garuar përballë Berishës për të drejtuar partinë. Në të dyja qytetet, pati një revoltë nga demokratët që shprehën haptazi pakënaqësinë.
Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari, shprehet në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv se sqarimi do të jetë brenda PD, teksa ‘e tkurri’ revoltën me fjalën ‘reagim.’
“Kemi të bëjmë me një reagim të disa përfaqësuesve që ishin në këshilln bashkiak, disa pretendime të tyre, por në fund të ditës gjithçka mbetet për t’u sqaruar brenda Partisë Demokratike”, tha Muçollari.
Ai ndan një mendim të kundërt nga udhëheqja e partisë për përjashtimet që i konsideron ‘fushatë luksi.’
“Nëse do të ishte i vërtetë pretendimi që është artikuluar tashmë në lidhje me kundërshtarin politik, atëherë do të ishte një situatë jo normale, edhe pse unë personalisht i qëndroj opinionit se PD nuk e ka luksin t’i hyjë fushatës së përjashtimeve, por duhen parë rast pas rasti”, tha Muçollari.
Kundërshtia ndaj përjashtimeve është një pikë ku bie dakord edhe avokati Leonard Karaj që thekson se për PD çdo votë është vitale. Sipas tij, gara do të ishte në favor kurse e kundërta, vrastare.
“Unë nuk bie dakord me përjashtimet apo vetëpërjashtimet, cilatdo qofshin këto sepse besoj që PD sot ka nevojë jo vetëm për të vetët, por edhe përtej, te pjesa gri, madje pse jo, edhe të majtë. Të thuash luks për të përjashtuar është një fjalë shumë ledhatuese. Opozita në tërësi, PD në veçanti e ka vitale çdo votë e jo më të largojë persona që kanë pasur pozicione në qendër apo në bazë. Kjo do të thotë të mos e shikosh realisht problematikën që ka forca që drejton. Unë nuk do të bëhesha radikal që të mendoja që lidershipi aktual i PD më shumë sesa sjelljen në pushtet, ka synimin e qartë që të ruajë pozicionin e karrigeve. Po të ishte kështu, do të ishte më mirë të iknim që të gjithë nga ajo parti sepse pjesëmarrja në në parti politike është vullnetare. Gara i bën nder PD. Të ndalosh dikë të kandidojë, më duket vrastare për një forcë politike”, tha Karaj.
Avokati nxori në pah edhe faktin ‘paradoksal’ në qëndrimin e Berishës.
“Më duket qesharake që kryetari i partisë kërkon anëtarësime të reja dhe në të njëjtën kohë bën përjashtime ndaj atyre që kanë kontribute 30-vjeçare në atë parti. Kjo është të tallesh”, tha Karaj.
E ardhmja e Partisë Demokratike duket e errët për avokatin Leonard Karaj. Gjatë bisedës në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, ai thekson se nëse nuk ndryshojnë emrat në parti, s’ka dritë në fund të tunelit. Karaj ka bindjen se Berisha nuk do të largohet në asnjë formë sepse mund ta heqë vetëm Perëndia ose mendja e tij, por duhet të largohen me doemos figura si Vokshi e Noka.
“Në rast se pas 23 majit në PD nuk ndryshon në emër, mbiemër dhe pastaj në ide e qasje, mënyra e konceptimit dhe drejtimit të asaj partie, unë nuk shoh dritë në fund të tunelit për atë forcë politike. Nuk po them që unë do të largohem që aty, jam militant i bindur i asaj partie, nuk kam çfarë të bëj më, e them me krenari e bindje, por kam një lloj droje dhe inati të përbrendshëm pse duhet të mos ndryshojë ajo parti. Po e them qartazi, në qoftë se pas 23 majit, e bëj hallall z. Berisha se atë nuk do ta heqë kurrkush, atë do ta heqë vetëm mendja e tij dhe Perëndia, ndryshe nuk ndodh aty, në mënyrën më absolute të mundshme, por nëse aty do të jetë prapë Albana Vokshi, nëse do të vazhdojë që prej 2007 kur është zgjedhur kryetare e gruas, nëse do të jetë prapë kryetare e gruas, nëse do të jetë prapë Flamur Noka apo të gjithë të tjerët, nuk shoh dritë në fund të tunelit”, tha Karaj.
Komente












