VELIPOJË- Banorët e Rrjollit të Velipojës protestuan sërish kundër ndërtimit të resortit luksoz të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj. Protesta është shoqëruar mes përplasjeve me efektivëve, por jo vetëm.

Banorët janë përplasur edhe me punonjësit e makinerive, të cilët i kanë nxjerrë nga makinat me qëllim bllokimin e punës.

Protestuesit shprehen të vendosur për të bllokuar punimet në këtë forme çdo ditë dhe u bëjnë thirrje edhe bashkatdhetarëve që të vijnë dhe tu bashkohen në protesta. Prej disa orësh, punonjësit kanë dalë nga fadromat e punës

“Dita e pestë që jemi në protestë. Sot ka qenë edhe dita shumë e keqe. Nëse keni sado pak mall për tokën tuaj, ejani dilini zot, asaj pjesë u takon. Nëse ata tjerët që ne i kemi miq apo shokë, nëse vijnë i falënderojmë, qofshin nga Dukagjini, Velipoja, nga e gjithë Shqipëria, ju lutem na ndihmoni”, tha një prej banorëve.

Më 15 janar të këtij viti, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur lejen e ndërtimit për resortin turistik gjigant në zonën bregdetare, ndërmjet Ranës se Hedhun dhe Velipojës. Kompleksi, sipas projektit do këtë sipërfaqe rreth 146 hektarë, një nga investimet më të mëdha turistike në vend. Por, banorët janë ngritur në protesta pasi thonë se resorti po ndërtohet mbi tokat e tyre, të cilat akuzojnë se u janë grabitur.

Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, botues dhe pronar i stacionit televiziv A2 së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” nga "Gener 2"  “Aba Blue Borgo”, sh.p.k. Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.