Kryeministri Edi Rama paralajmëroi këtë të dielë miratimin së shpejti nga vendet anëtare të raportit të vlerësimit për piketat e ndërmjetme, i njohur si IBAR-i. Kreu i qeverisë përshëndeti edhe arritjen e konsensusit PS-PD për rezolutën e integrimit evropian, dhe shtoi se pret bashkëpunime të tjera me opozitën në vijim.
***
Në fund të muajit shkurt Komisioni europian i dorëzoi vendeve anëtare raportin mbi ecurinë e Shqipëri në plotësimin e atyre që quhen piketat e ndërmjetme e që përfshijnë fusha delikate si sundimi i Ligjit e drejtësia. Për Komisionin europian vlerësimi ishte pozitiv. Deri më tani mes vendeve anëtare, të përfaqësuara në Grupin e punës për Zgjerimin, COELA, janë zhvilluar disa takime. Një proces i cili zgjoi në Shqipëri dilema dhe hamendësime, për ngecje apo deri dhe ngrirje.
Këtë të dielë, kryeministri duke përsëritur se bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, paralajmëroi dakortësinë e pritshme mes vendeve anëtare për qëndrimin e përbashkët mbi ato që tanimë do të jenë piketat përmbyllëse, objektivat që duhen arritur, për t’i dhënë fund negociatave.
“Kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur",- tha Rama.
Rama reagoi për herë të parë edhe për miratimin me konsensus të rezolutës së integrimit evropian duke e quajtur pozitiv, por tha se mirëpret më shumë bashkëpunime të tilla në parlament.
“Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”,- tha Rama.
Teksti final i rezolutës për integrimin europian, ishte fryt i një momenti të rrallë konsensusi mes PS dhe PD në Kuvend. Dokumenti, ruajti një pjesë të kërkesave të opozitës, duke shmangur pothuajse të gjitha formulimet e forta politike dhe akuzat e drejtpërdrejtja ndaj qeverisë. Krahasuar me variantin fillestar të propozuar nga PD, teksti i miratuar, ishte më institucional, më neutral dhe me gjuhë më të zbutur politike.
Në përfundim të kësaj jave, kryeministri Edi Rama bëri një përmbledhje të disa prej zhvillimeve kryesore të javës, të fokusuara tek ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, forcimi i rolit të saj në sigurinë euroatlantike dhe mbështetja për ekonominë e sipërmarrjen shqiptare.
Rama u ndal edhe te digjitalizimi i shërbimeve publike, duke theksuar se 95% e shërbimeve për qytetarët ofrohen tashmë në platformën e-Albania
“Këtë javë ndamë disa të dhëna kuptimplota për ecurinë e jashtëzakonshme të Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike. Një nga kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një kapitull ku, ndryshe nga pasqyra tërësisht e deformuar e realitetit e kanaleve dhe e portaleve të këtushme, Shqipëria shihet si e transformuar pozitivisht dhe vlerësohet me një progres domethënës.
Sot, në bazë të vlerësimit europian, Shqipëria është e para në rajon dhe me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në të gjithë treguesit e prokurimeve publike, ndërkohë që në disa indikatorë kryesorë Shqipëria ndodhet mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Për shembull, ndërsa mesatarja e procedurave me një ofertues në vendet e BE-së është mbi 32%, në Shqipëri kjo shifër është 23.5%, ndërsa në prokurimet për punë publike ajo zbret në 12%. Edhe të dhëna të tjera flasin pikërisht për faktin se lufta kundër korrupsionit, e cila nuk është thjesht dhe vetëm lufta në frontin që ne mundësuam dhe që, falë vullnetit tonë, u hap në anën e drejtësisë, por është edhe lufta e përditshme sistematike në anën e modernizimit të shtetit dhe të ndërtimit të sistemeve që e bëjnë gjithmonë e më pak të pranishme prezencën e korrupsionit.
Janë rezultatet që tregojnë se, nga njëra anë, qytetarët tanë shërbehen tanimë prej vitesh me një klik në sistemin e shërbimeve digjitale, ku 95% e shërbimeve që ata kërkojnë nga shteti janë në platformën e-Albania. Pra, nuk janë më radhët, nuk janë më ryshfetet për të kaluar radhën e kështu me radhë, por është marrëdhënia e drejtpërdrejtë me shtetin. Ndërsa, nga ana tjetër, është pikërisht i gjithë sistemi i prokurimeve publike. Prandaj jam krenar sot që Shqipëria përmendet si një shembull pozitiv nga ata që na gjykojnë objektivisht, ndryshe nga çfarë ndodh në pasqyrat e deformuara të gjykatësve popullorë, subjektivë, partiakë dhe gjysmë të verbër ose tërësisht të verbër.”, tha Rama.
Komente











K.Ministri ynë ,jeton nē tjetēr planet.
PërgjigjuPo mor qelbesire e felliqur me nje klik mbarohen punet , kam 1 vit qe pres certifikaten e pronesise dhe asnje pergjigje nga ai kliku jot o cifut i piste
Përgjigju