Në nisje të vitit të ri shkollor, kryeministri Edi Rama bën me dije se shumë shpejt do të finalizohet një marrëveshje me një rrjet universitar në Londër. Kjo do të sjellë hapjen e 4 universiteteve në katër qytete të Shqipërisë: në Fier për mjekësi, i përgjithshëm në Tiranë e Vlorë dhe në Korçë për inteligjencën artificiale dhe teknologjinë.

Pedagogët do të jenë të huaj, por edhe shqiptarë e nga diaspora.

“Është investim shumë i madh që do të bëjmë, ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën, ata do të sjellin pedagogë, por komponent i rëndësishëm do të jetë edhe zgjedhja e pedagogëve shqiptarë që ata synojnë t’i zgjedhin jo vetëm këtu, por edhe në diasporë. Është plan goxha ambicioz. Duam ta konkludojmë të gjithën brenda këtij viti dhe duam që të fillojë mësimi në 2 nga 4 universitetet, në sezonin 2027-2028 dhe 2028-2029, të katërt janë në funksion”, tha Rama në episodin e parë të sezonit të shtatë të “Flasim.”

Një fjalë kryeministri e pati edhe për rezultatet e Shqipërisë në PISA 2025 ku theksoi transformimin e arsimit në këto vite.

“Nuk mund të mos i kushtohet arsimit në një moment të vitit kur po përfundojnë pushimet dhe përgatitjet e vitit dhe po nis një vit i ri arsimor. Nuk mund të rri dot pa e shfrytëzuar këtë rast për të shprehur kënaqësinë e jashtëzakonshme për rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025, të cilat janë fryt i një pune të gjatë, i një transformimi tërësor, një përpjekjeje për të rritur jo thjesht cilësinë e infrastrukturës, teksteve, administrimit të shkollave ku sot kemi një numër jo të vogël drejtuesish që kalojnë te Shkolla e Drejtorëve dhe si rezultat i gjithë intensitetit dhe ndërveprimit mes shkollës e prindërve. Nuk u heq asnjë presje atyre që nënvizojnë meritën e nxënësve, por nga ana tjetër nxënësit ishin po aty, ndërkohë që pjesët e tjera nuk ishin aty siç duhet dhe prandaj rezultatet e PISA-s nuk ishin të tilla dhe Shqipëria e filloi këtë ngjitje nga fundi, të fundit në distancë nga të tjerët dhe sot jemi të parët në matematikë”, tha kryeministri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
‘Zyshë Besa’, Rama kujton mësuesen që i ka lënë ‘shenjë’: I kam shkruar poezi, kishte flokë të verdhë (VIDEO)

 

Ndërsa viti i ri shkollor po troket, kryeministri Rama është pyetur në podcast-in “Flasim” nëse ka ndonjë mësues të cilin e kujton me nostalgji. Kryeministri zbuloi se i ka dedikuar edhe një poezi mësueses së letërsisë, ndërsa sa herë kujton vitet e liceut, i vijnë ndërmend flokët e saj biond.

E ndërsa prej javësh kryeministri flet për “Besën”, rastësia është që edhe mësuesja e tij e letërsisë ka të njëjtin emër.

“Kam shkruar poezi. S’e kam takuar, por e kam dashur. Ishte yll. Ekspresive, pasionante, kishte energjinë e jetës. Nuk e di ku është, ça bën, emri i saj ishte Besa, zyshë Besa. Zyshë Besa, nëse je diku dhe më dëgjon, sa herë, nuk më ka shkuar shpesh mendja, sa herë më shkon mendja te liceu, ndër të paktat imazhe që e lidhin liceun me kujtesën time janë edhe flokët e tua të verdha”, tha Rama.

Ora 10:16
Rama: Së shpejti marrëveshje me rrjetin universitar në Londër! Do të hapim 4 universitete, studimet nisin në 2027-2028 (VIDEO)

 

Shqipëria është drejt një marrëveshjeje me një rrjet universitar në Londër. Në podcast-in “Flasim”, kryeministri Rama thotë se pjesë e marrëveshjes është hapja e një rrjeti universitetesh, konkretisht një universiteti mjekësie në Fier, një të përgjithshëm në Vlorë, një për teknologjinë në Korçë dhe një tjetër, sërish i Përgjithshëm, në Tiranë.

Studimet në dy universitete do të hapen gjatë 2027-2028 dhe në dy të tjerët, 2028-2029.

“Me shumë gjasë, së shpejti, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare të botës, i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier. Universiteti mjekësor i Fierit do të jetë ndërkombëtar, me reputacion ndërkombëtar, me studentë shqiptarë dhe nga e gjithë bota. Ne jemi shumë afër, kemi filluar një proces diskutimesh dhe kemi parë një studim, një draft të fisibilitetit, është fantastik, por presim studim përfundimtar nga ana e tyre. Është investim shumë i madh që do të bëjmë, ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën, ata do të sjellin pedagogë, por komponent i rëndësishëm do të jetë edhe zgjedhja e pedagogëve shqiptarë që ata synojnë t’i zgjedhin jo vetëm këtu, por edhe në diasporë. Është plan goxha ambicioz. Janë 4 universitete, është universiteti i Fierit, universitet ekselence për mjekësinë. Është universiteti i Vlorës, i përgjithshëm, më i madhi ndër të 4, ambicia jonë është ta instalojmë në qendër të Vlorës, te Sheshi i Flamurit, universitet ndërkombëtar që të krijojë dinamikë të re. Një tjetër në Korçë për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale dhe tjetri, i Përgjithshëm në Tiranë. Duam ta konkludojmë të gjithën brenda këtij viti dhe duam që të fillojë mësimi në 2 nga 4 universitetet, në sezonin 2027-2028 dhe 2028-2029, të katërt janë në funksion”, tha Rama.