Rina Kaçinari, sonte në Prishtinë

Rina Kaçinari, sonte në Prishtinë
Rina Kaçinari – e bija e kompozitorit të njohur Mark Kaçinari – sonte do të interpretojë për herë të parë në Prishtinë.

Koncerti i kuartetit “Mala Junta Tango”, anëtare e të cilit është Kaçinari, është bërë arsyeja që e ka sjellë në vendlindje. Koncerti shënon edhe 26-vjetorin e vdekjes së Mark Kaçinarit.

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Rina Kaçinari “udhëton” nëpër kohë në një rrëfim për eksperiencën e saj në rrugën drejt suksesit. Çdo gjë kishte nisur këtu e tri dekada më parë…

Kur flet për të kaluarën, Kaçinari kujton se rrethanat kishin qenë ato që e kishin bërë të braktiste vendlindjen dhe të kërkonte rrugën për perfeksionizëm.

“Tridhjetë vjet më parë kur isha në shkollën e ulët të muzikës, profesori im u sëmurë nga Parkinsoni dhe kisha vështirësi të mësoja të luaja në violonçelo, sepse nuk kishte shumë të tillë”, kujton Kaçinari.

Ajo kishte sfiduar vështirësitë dhe ia kishte dalë që të regjistronte shkollën e mesme të muzikës në Zagreb.

“Pasi fitova nënshtetësinë kroate desha të bëja një hap më tutje dhe vendosa të shkoja në Austri, ku kam përfunduar fakultetin dhe dy magjistratura”, ka thënë ajo.

Gjatë asaj kohe Kaçinari kishte pasur fatin të përzgjidhej për t’u bërë anëtare e Orkestrës së Filarmonisë së Mariborit.

“Kam jetuar në Slloveni për dy vjet, por pastaj vendosa që të shkoja në Vjenë ku jam sot e pesë vjet dhe luaj në disa projekte shumë interesante”, ka thënë ajo.

Arsyeja që e kishte bërë të linte orkestrën prestigjioze është shumë e veçantë dhe dëshmon përkushtimin e Kaçinarit në profesionin e saj.

“Nuk desha të mbes në një orkestër klasike ku kisha rrogë dhe punë fikse për gjithë jetën. Desha të bëhesha artiste e pavarur që të kisha mundësi që të hulumtoja në instrumentin dhe profesionin tim, sepse kjo është ajo që më plotëson”, ka thënë ajo.

“Nuk e di si do të kishte qenë po të qëndroja në Prishtinë, por është fat kur jeton në Perëndim, sepse takon njerëz të kombeve të ndryshme që sjellin me vete muzikën e tyre dhe profesioni ka gjerësi më të madhe. Gjithmonë kam kërkuar perfeksionin dhe këtë vazhdoj ta bëj edhe sot”, ka thënë Kaçinari. “Ky është fati im”.

Dëshira për të interpretuar në Kosovë, asnjëherë nuk i ka munguar. Por arsyeja është krejt e thjeshtë. Askush nuk i ka bërë ftesë.

“Është çast emocionues dhe interesant, meqenëse është koncerti i parë tango në Kosovë dhe shpresoj që do t’i pëlqejë publikut”, ka thënë ajo.

“E di që Prishtina ka një publik të interesuar sa i përket muzikës dhe ky fakt më gëzon shumë”, ka thënë ajo.

Violonçelistja Rina Kaçinari aktualisht performon me grupin slloven “Terrafolk”, është pjesë e jazz kuartetit “Ulrich Drechscer”, trios “Mika Vember”, duos Kaçinari – Mikula (çello dhe bateri).

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Përpjekjet e Iranit për të zgjeruar ndikimin në Afrikë

Përpjekjet e Iranit për të zgjeruar ndikimin në Afrikë