Romani i Bashkim Hoxhës
Paradoksi ekzistencial i qenies

Romani i Bashkim Hoxhës<br />Paradoksi ekzistencial i qenies
Romani “Missing” i Bashkim Hoxhës, me vetëm dy orë rrëfim dhe shtatë ditë rrjedhë ngjarjesh për të na dhënë një panoramë të plotë të njeriut bashkëkohor, të universit ekzistencial, me të gjitha ndërlikimet që e shoqërojnë atë. Disa personazhe-njerëz, të cilët në këtë kontekst, komunikojnë me të tjera personazhe-kafshë. Dikush i braktisur e dikush që braktis, dhe të gjithë të humbur. Njëri i rrëmbyer, tjetri rrëmbyes, dhe mungesat janë të frikshme, madje duke mbërritur deri në formën e zhdukjes. Autori dhe viktima janë vënë përballë. Bota reale dhe ajo virtuale përplasen ndërmjetshëm. Dikotomitë në këtë roman janë të pafundme dhe vijën përmes laryshisë. Madje, mund të thuhet se mbi to është ndërtuar e gjithë ngrehina konceptuale dhe përmbajtjesore e romanit. “E enjte. Sot” fillon dhe po “E enjte. Sot” mbaron veprimi i veprës. Gjithçka është ngjeshur brenda një dite, madje, më saktësisht, brenda afërsisht dy orësh.

Por, teknika e të rrëfyerit, me anë digresionesh kohore, me rrëfime brenda rrëfimit, me gjendje kllapie, ankthesh e makthesh, që e zhvendosin rrëfimtarin deri edhe në Parajsë, na krijojnë një tjetër hapësirë kohore në realitetin letrar. Rrëfimi zgjatet vetëm në shtatë ditë, nga njëra e enjte, tek e enjtja tjetër. Digresionet ngjajnë me ato të Prustit, veçse këtu nuk na vijnë nëpërmjet aromës së një filxhani çaji, por nëpërmjet përsiatjesh hipotetike e ndërtimi skenarësh të ndryshëm në mendjen e rrëfimtarit të gjithëdijshëm. Thuajse i tërë romani është ndërtuar mbi monologun, por në të haset edhe dialogu i monologizuar. Personazhi kryesor, Grozi, me profesion psikolog, atij që i janë rrëfyer dhe vazhdojnë t’i rrëfehen me dhjetëra e qindra të burgosur, tashmë ka vendosur të na rrëfehet vetë personalisht. Por, si për të na thënë se nuk ka më besim te njeriu, historinë e vet ia beson një kafshe: një ariu.

“Do të tregoj historinë time. Unë nuk e kam problem të flas vetëm. Mjafton të më dëgjojë dikush.” - i drejtohet ai ariut, të cilin ia ka rrëmbyer një arixhiu. Marrëdhënia e personazhit me kafshët nuk është kjo e para. Ai zotëronte më parë një qen. Lora e quanin dhe ka disa ditë që e kërkon. Në përsiatje e sipër për të treguar mbi zhdukjen e Lorës, rrëfimtari e degëzon kryetregimin në copëza historish e ngjarjesh, krejt të grimcuara, të cilat këtu këputen e më tutje rimerren, harrohen e sërish rikthehen, gërshetohen me njëra-tjetrën, por duke u ruajtur me përpikëri linja kryesore e narracionit. Ky roman e fut lexuesin në disa marrëdhënie njëherësh: Së pari, në marrëdhënien e njeriut me njeriun, me prindërit, bashkëshorten, me të njohur e të panjohur.

Është një marrëdhënie unike, që ndryshon në vazhdimësi përgjatë ekzistencës së saj, ku duket se mbizotëron më së shumti mospërfillja, hipokrizia, egoizmi, braktisja, mungesa e interesit për tjetrin, e ashtuquajtura “marrëdhënie moderne”. Së dyti, në marrëdhënien e njeriut me veten. Është njeriu i mbetur pa identitet, pra që ka humbur veten, apo ai me identitet të dyfishtë, njeriu i dyzuar, i ankthshëm, i zbrazët, në udhëtim të përhershëm, por që ka vetëm një destinacion: “vetveten.” Është qenia njerëzore gjithmonë në kërkim. Së treti, në marrëdhënien e njeriut me kafshët.

Që në hyrje të romanit, kemi Grozin, që i rrëfehet një ariu, dhe ariu që krejt papritur gjendet i rrëmbyer nga një njeri. Një marrëdhënie komplekse kjo e njeriut me kafshën, ku rolet duket se ndryshojnë: kafsha është zbutur e ka marrë tipare humane, ndërsa njeriu është egërsuar, pra ka humbur arsyen. Për më tej, kafshët edhe pagëzohen me emra njerëzish, ndërsa njerëzit fshihen pas emrash të rremë. Njeriu, pasi është tjetërsuar vetë, ia ka dalë ta bëjë këtë edhe me kafshët, madje edhe me ato më të egrat. Ai ka mundur t’i zbusë, i ka mësuar të sillen thuajse si njerëzit, por pikërisht në këtë çast, kur kafsha është bërë e ngjashme me njeriun, ajo ka ikur, sepse, thotë autori në roman “... zakoni i njerëzve është ikja... Jetojmë mbështjellë nga ikjet, nga ndarjet, braktisjet...” Nga ana tjetër, është Lora-qen, e prekshme, reale dhe Lora-njeri, e paprekshme, në distancë, virtuale. Së katërti, është marrëdhënia e njeriut real me botën virtuale.

Të mbetesh pa celular e pa internet, do të thotë të të duket “vetja bosh, i paorientuar dhe pa asnjë koordinatë”,- shprehet rrëfimtari diku në roman dhe vazhdon më tej: “Sikur kam ikur larg. Në një vend të humbur, ku askush nuk më gjen dot dhe unë nuk gjej dot asnjeri. Nuk di çfarë të bëj. Më duhet të përshtatem. Ndoshta unë duhet të filloj një tjetër jetë, pa internet, pa celular. Që do të thotë, me realitete që prek, i ke afër. Me një mendje tjetër. Pa celular dhe internet, në kërkim të kontakteve më të afërta.” Kjo çështje ka zënë një hapësirë të konsiderueshme në roman.

Rrjetet sociale, në fakt, nuk janë dhe aq sociale: ato vërtet i japin frymëmarrje komunikimit ndërmjet individëve, por kjo frymëmarrje nuk është e mjaftueshme. Ashtu si në jetën reale, aty ka të njohur e të panjohur, ka nga ata që janë me pseudonime e të tjerë me të cilët nuk ke shkëmbyer asnjë fjalë. “Missing” është romani i bashkëkohësisë sonë; i njeriut gjithmonë në kërkim; romani i atij që ka mbetur pa diçka apo pa dikë; i asaj që nuk e dimë ku është; i atij që nuk e kemi më pranë; i dikujt që ka ikur nga dikush e ka shkuar te dikush tjetër, por edhe i atij që ka ikur prej dikujt e nuk dihet se ku ka përfunduar.

“Missing” është romani i njeriut të pavënë re; romani i mungesës; i asaj që s’e gjejmë dot, sepse nuk e dimë ku është. Por është edhe romani i kafshëve që pagëzohen me emra dhe i njerëzve “të paemër”; i njeriut me dy emra apo i atyre që fshihen pas një emri të rremë. Është romani i rrugëve të gabuara; i drejtimeve të ndryshme dhe i ankthit ekzistencial; i turmës virtuale e i vetmisë reale; romani i gjurmëve të pandjekura; i njeriut-kafshë dhe i kafshës-njeri. Këtu dikush zhduket e dikush tjetër ndien dhimbjen e zhdukjes; dikush mungon e dikush tjetër ndien mungesë; dikush braktis e dikush tjetër ndien peshën e braktisjes. Kjo është shoqëria jonë moderne, me gjasë postmodrene, shoqëria e një realiteti bosh. “Vetmi dhe monotoni, ky është njeriu i sotëm, më kaplon trishtimi.”- shkruan autori. “... besoj vërtet se duhet ulëritur. Mjaft lehëm,” – vazhdon diku tjetër ai.


Shkrimi u publikua sot (05.01.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje