Rotacion politik çdo 8 vjet? Jo, faleminderit!

Rotacion politik çdo 8 vjet? Jo, faleminderit!

Fatmir Mediu, Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Një nga të përbashkëtat më interesante që kanë dy kandidatët për kryeministër, Edi Rama dhe Lulzim Basha, është se kanë qenë më përpara kryetarë të bashkisë Tiranë. Kjo bashki është në vetvete si një shtet brenda shtetit, duke marrë për bazë madhësinë e saj sidomos për sa i përket numrit të banorëve si dhe buxhetin që administron.

Është një përvojë e madhe politike dhe manaxheriale që të kesh qenë kryetar i kryeqytetit të Shqipërisë. Ajo është dhe mbetet paradhoma ku duhet të kalojnë të gjithë kandidatët për kryeministër të Shqipërisë.

Kudo në botë është traditë që kryebashkiakë të kryeqytetit aspirojnë për t’u bërë kryeministra deri dhe presidentë shtetesh. Po kujdes, sepse në këtë rast posti i kryebashkiakut vjen ose si bekim, ose si mallkim, për ata që kërkojnë të marrin detyrën e shefit të pushtetit ekzekutiv.

Në rastin e Edi Ramës, posti i kryebashkiakut ka qenë një sukses, sepse me punën e tij ai e transformoi kryeqytetin nga një model mediokriteti ku e gjeti nga paraardhësit, në një motor zhvillimi shumëplanësh, aq sa ndryshimet që ai solli u pasqyruan në mediat më prestigjoze ndërkombëtare.

Kurse në rastin e Lulzim Bashës, posti i kryebashkiakut, i cili në vetvete duhet të shenjonte modelin e tij si një menaxher i suksesshëm i kryeqytetit, rezultoi një dështim i plotë.

Lulzim Basha pati një mundësi të cilin nuk e shfrytëzoi dhe ai ishte modeli i paraardhësit Rama. Në vend që të vijonte në gjurmët e tij, pa e kopjuar, por duke mbajtur po atë ritëm punësh dhe transformimesh, Lulzim Basha bëri të kundërtën, e riktheu bashkinë në stilin mediokër të qeverisjes.

Aq i pa interesuar ishte për atë detyrën që i “besuan” qytetarët e Tiranës, saqë nuk kishte as durim që të rrinte në zyrë, duke ia deleguar kompetencat de juro nënkryetarit dhe de facto kunatit të vetë. Në kujtesën time nuk mbetet asnjë mbresë nga ajo kohë që ai qeverisi Tiranën dhe nuk di që t’i vë gishtin një pune ku të ketë lënë qoftë edhe një shenjë me të cilën të krenohemi si qytetarë të Tiranës. Në fakt la një shenjë turpi siç ishte mospagimi i çekut të bebes prej 5 mijë lekësh për fëmijët që u lindën gjatë mandatit të tij.

Nëse për Ramën bashkia ishte trampolina që i hapi dyert drejt pushtetit qendror, për Bashën bashkia ka qenë institucioni që atij i dëmtoi perceptimin publik tek aftësia qeverisëse.

Dihet që Lulzim Basha më shumë se sa u “zgjodh”, në fakt u emërua nga Sali Berisha në atë detyrë, pasi ky i fundit donte që me kandidaturën e Bashës dhe fitoren e vjedhur, të amnistonte atë dhe veten e tij nga krimi shtetëror i 21 janarit.

Është pikërisht qenia e Lulzim Bashës kryebashkiak i Tiranës, ajo që duhet t’i japë çdokujt motiv për të qenë kundër dhënies së mundësisë atij për të qeverisur Shqipërinë.

Ai nuk ishte fillestar në atë detyrë, sepse siç e theksova, gjeti një model të suksesshëm. Po edhe pa atë, Lulzim Basha kishte qenë për 6 vjet me portofol ministri në tri institucione shumë të rëndësishme: punët e Jashtme, Transportet dhe punët e Brendshme.

Me gjithë problematikat që shfaqi në të tri ministritë ku vlen të përmenden: nënshkrimi i faljes së detit Greqisë, korrupsioni i rrugës së Kombit (e faktuar nga KLSH-ja që drejtohej nga përfaqësues i zgjedhur nga PD-ja), dhe 4 vrasjet në bulevard, për një çast le të mendojmë që po ia vëmë fajin shefit të tij, duke e konsideruar Bashën një “kukull” që miratonte ato çfarë i urdhëronte Berisha.

Si kryetar i bashkisë Tiranë ai kishte të gjithë hapësirën e mundshme për të qenë vetvetja, sepse ishte i pari i qytetit, ku përveç ligjit, nuk kishte asnjë tjetër mbi kokë që ta urdhëronte.

Dështimi spektakolar si kryebashkiak, i dhanë një goditje të pariparueshme imazhit të tij rreth besueshmërisë se ai ka vullnet dhe aftësi për të qeverisur territor shumë herë më të madh siç është Shqipëria.

Për një moment, le t’i bëjmë edhe një “amnisti” Lulzim Bashës dhe nuk po ia quajmë fare dështimin si kryebashkiak, me qëllim që t’i japim një mundësi të re që të na bindë se vërtetë e meriton detyrën që aspiron.

Pyetja që na mundon në këtë rast është: Çfarë bëri ky njeri, që do që të bëhet kryeministri ynë, pasi la detyrën e kryebashkiakut në vitin 2015? Asgjë më shumë se sa një vrimë edhe më të madhe në ujë.

Si lider i opozitës ai u tregua një njeri përtac, që e kërkonte pushtetin vazhdimisht në tavolinë e jo tek kutia e votimit. Opozitarizmi i tij ishte kaotik, pa busull, gjithë zigzage, me përbetime të çuditshme që më pas i rezultonin bumerang dhe tërhiqej.

Djegia e mandateve ishte procesi më ekstremist ku ai kërkonte të rrëzonte një qeveri legjitime duke provokuar një situatë kaosi me metoda revolucionare. Një parti gjoja e djathtë që kishte kopjuar kësisoj metodat e ekstremit të majtë.

Nxjerrja e deputetëve të PD-së nga Kuvendi, si një tradhti ekzemplare që i bëhej votës opozitare që i kishte çuar aty, mbase ishte pjesë e qëllimit të Lulzim Bashës që për 2 vjet e gjysmë që pasuan, njerëzit të harronin gjuhën sa mediokre aq edhe të dhunshme të përfaqësuesve të PD-së nga foltorja e Kuvendit, sulmet me vezë e bojë ndaj qeveritarëve, ulërimat, britmat, klithmat, vandalizmat e shumë aspekte negative që shfaqte çdo seancë plenare grupi demokrat.

Lulzim Basha luajti me idenë se do bëjë si do bëjë e do durojë edhe 4 vite të tjera në pushtet Edi Ramën dhe, sipas “traditës”, meqë atij i bëhen 8 vjet, duhet të bjerë nga pushteti siç ka ndodhur këto 3 dekada.

Nëse ka diçka që duhet prishur si mentalitet, është pikërisht ideja se një parti nuk duhet të qëndrojë në pushtet më shumë se sa 8 vjet. Ta konsolidosh si model këtë gjë, do të thotë që të krijosh një opozitë parazitare, që sido që të shkojnë punët, maksimumi do të presë 8 vite në opozitë se pastaj e ka të garantuar pushtetin. Kjo gjë është shumë e rrezikshme, sepse ngjan si me ato ndeshjet që fiksohen nëpër bastet sportive ku secili e di se si do të jetë rezultati.

Lulzim Basha dhe gjithë shpura e tij duhet të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit me humbje të thellë që do u vlejë gjithë liderëve pasardhës të çdo krahu politik. Besimi i Lulzim Bashës se rotacioni kryhet vetiu çdo 8 vjet, kësaj here nuk duhet të funksionojë. I duhet dhënë atij dhe çdokujt që ka besuar në këtë formulë një mësim shembullor, që marrja e pushtetit nuk vjen si një dhuratë e fatit, po si një proces i strukturuar dhe plotësisht i merituar.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë