Rrëfimi i vajzës së Kaninës
firmëtarit të Pavarësisë

Rrëfimi i vajzës së Kaninës<br />firmëtarit të Pavarësisë
Në moshën 83 vjeçare, Safo Kanina, një zonjë e veçantë dhe fisnike tregon kujtimet e saj për të atin, Zihni Kaninën, një prej nënshkruesve të aktit të Pavarësisë Kombëtare. Safo duket sikur vjen nga nj botë terrori e dhimbjesh sa herë zhytet në këto rrëfime, ku zotërojnë peripecitë e familjes gjatë sistemit komunist, internimet dhe burgosja e të atit. Si ishte jeta dhe vitet e fundit të jetës së patriotit, nga pozita e diplomatit në skutat e errëta të barrakave dhe burgut të Tiranës...të gjitha këto, Safo Kanina, i rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Shqiptarja.com”, pasi kemi dalë nga ceremoni e zvilluar prej më shumë se dy orëve në sallën e seancave të Parlamentit...

Znj Safo, ju jeni bija e firmëtarit të pavarësisë Zihni Abbas Kanina. A jeni në gjendje ta kujtoni historinë e familjes dhe babait tuaj?
Unë jam bija e tretë e Zihni Kaninës. Ne kemi qenë tre motra, njëra prej të cilave ka vdekur ndërsa sot jetojmë unë dhe motra ime më e madhe. Ndryshe nga motra ime, unë jam në gjendje akoma të kujtoj diçka nga babai ynë dhe jeta e vështirë e tij.

Çfarë kujtoni?
Babai ishte një patriot zemërmadh, diplomat i vërtetë dhe njohës i disa gjuhëve të huaja. I rregullt si me familjen e tij ashtu edhe me miqtë dhe bashkëpunëtorët. Unë kam qenë në një moshë të madhe relativisht dhe kujtoj shumë momente nga jeta e tij. Ne si fillim kemi qenë në Romë, ku unë kreva shkollën e mesme. Më pas u kthyem në Shqipëri, aty rreth viteve 1943 ose 1944. Babai e mori vendimin që ne të ktheheshim në Shqipëri dhe ata që e pyetën e i thanë që pse do të kthehej në Shqipëri, në një kohë jo shumë të përshtatshme nga ana e trazirave politike, ai iu përgjigj se “Jam patriot dhe do kthehem në vendin tim, në Shqipëri”. Nëna ime gjithnjë i thoshte se mbase mund të pësosh gjë kur të përfundojë lufta, por ai i ktheu të njëjtën përgjigje edhe së shoqes. Gjithashtu, edhe miqtë e tij që ishin të shumtë si brenda ashtu edhe jashtë vendit i sugjeronin që të mos kthehej në Shqipëri, duke pasur parasysh pasojat që do të vinin, por ai i kundërshtoi duke preferuar Shqipërinë. Gjatë kësaj periudhe, babai im ka qenë kryetar i Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Romë. Kur u çlirua Shqipëria, nuk i ofruan as punë e as e njohën si patriot. Kërkoi që të jepte mësimin e gjuhës frënge, por autoritetet i thoshin që shko merr kazmën. Më pas, nënën dhe babanë i dëbuan nga Tirana dhe ata u vendosën në Elbasan. Aty babai kishte disa miq që i kishte ndihmuar financiarisht në kohë të ndryshme e të cilët e pritën kur shkoi. Me qenë se babai u kishte dhënë mësim shumë personaliteteve, gjatë kohës kur ishte profesor në shkollën tregtare të Vlorës, me shumë ndërhyrje ne motrat arritëm që të hynim në punë, si sekretare në ndonjë ministri. Unë hyra sekretare në ministrinë e Drejtësisë, ndërsa një nga motrat e mia në atë të Tregtisë. Kur i dëbuan prindit nga Tirana, unë shkova pas tyre, në Elbasan, sepse nuk mund t’i lija vetëm ata, aq më shumë në gjendjen e rëndë që ishin. Në Elbasan punova si ndihmëse e sekretareve të gjykatës së qytetit. Këtu ndërhyri ish-ministri Manol Konomi, një njeri i mirë për të cilin ruaj respekt.

Sa kohë qëndruat në Elbasan?
Unë mund të rrija vetëm një vit dhe më pas duhet të kthehesha në Tiranë, pasi aty kisha punën. Edhe pse pa dokumente, i tërhoqa prindërit në Tiranë. Kur u kthyen në kryeqytet, prindërit vuajtën shumë. Me presione të ndryshme, deri sa babanë e arrestuan në vitin 1950, duke e akuzuar se ishte marrë me politikë dhe kishte bashkëpunuar me okupatorin. Mbeti në burgun e Tiranës për një vit e gjysmë. Gjatë kësaj kohe ishte shumë i rënë fizikisht dhe i sëmurë nga mushkëritë. Kjo gjendje i detyroi punonjësit e burgut që të mos e vinin të punonte. Pasi doli nga burgu, jeta e tij vazhdoi të ishte shumë e keqe. Nuk kishte asnjë lloj të drejte, u mohua edhe nga lista e triskëzimit. Gjithnjë, sa herë që kërkonte punë, të gjithë nëpër zyra i thoshin se duhet të merrte kazmën. Ndërsa, nëna kërkonte që të punonte në ndonjë çerdhe fëmijësh, ku të ndihmonte kuzhinieret apo të merrej me pastrimin, kërkesa këto që iu mohuan. Më pas familjes sonë i sekuestruan edhe pronat. Duke parë gjendjen shumë të keqe ekonomike të nënës dhe babait, detyrohesha që gjysmën e rrogës time ta ndaja me ta, deri sa babai vdiq i rënë nga shëndeti dhe i zhgënjyer nga rruga që kishte marrë Shqipëria, në vitin 1959.

A kujtoni diçka nga përjetimet e babait tuaj në lidhje me shpalljen e pavarësisë?
Babai kishte shumë frikë të fliste për çfarëdo lloj gjëje. Pas daljes nga burgu, erdhën ta takonin disa punonjës të arkivit të shtetit, të cilët i kërkuan kujtimet për shpalljen e Pavarësisë. Ai nga fika u tha atyre që jam i sëmurë dhe nuk mundem të flas. I druhej një burgosjeje tjetër, e cila nuk ishte ndonjë çudi nëse ndodhte. Në intimitete familjare, kujtonte shokët e tij, aktivitetin patriotik që kishin kryer së bashku, kujtonte takimet me Ismail Qemalin në Turqi. E quante si babanë e vet. Ne ishim edhe farefis me të, pasi gruaja e djalit të Ismail Qemalit ishte kushërira e babait. Nipi i Ismail Qemalit, i cili quhej edhe ai Ismail, e donte shumë babanë dhe kur ishim në Romë, ai gjithnjë vinte të na takonte, sidomos për babanë. Për ditën e 28 nëntorit, babai thoshte “Kam qenë i zënë me punë në gjithë atë ditë, me qëllim që të mos kishte pengesa në realizimin e ceremonisë zyrtare. Ishim të gjithë shumë të shqetësuar, por edhe të vendosur që t’ia arrinim qëllimit. Kishim merakun e mbërritjes së Ismail Qemalit në Vlorë dhe përpiqeshim që të organizonim arritjen e tij në Vlorë pa incidente. Patëm shqetësime, por edhe besimin e madh se do e ngrinim flamurin kombëtar.”

Shumë prej nënshkruesve të aktit të pavarësisë janë pjesë e familjes suaj. Cilët janë ata?
Po, vërtet kemi shumë pjesëtarë të rrethit tonë familjar që kanë nënshkruar aktin e pavarësisë. Qazim Kokoshi ishte kushëriri ynë në Vlorë, Qemal Elbasani Karaosmani kushëri i yni, Iljaz Vrioni ishte kushëriri i parë i nënës sime gjithashtu, gruaja e tij ishte nga familja Vokopola, halla e nënës sime. Nga familja Vokopola është firmëtar edhe Ferid Vokopola, djali i xhaxhait të nënës sime, Qemal be Mullaj ishte kushëri i nënës, Hajredin Cakrani ishte kushëri me familjen tonë. Këta janë të afërm, pasi familja jonë ka krushqi edhe me shumë të tjerë nënshkrues të aktit.

Si bija e një prej firmëtarëve të pavarësisë, në këtë vit jubilar të 100 vjetorit, si ndiheni?
Të them të drejtën, më erdhi shumë mirë që u organizua kjo ceremoni përkujtimore në sallën e Parlamentit, ku u përkujtuan prindërit tanë. Unë jam 83 vjeç sot dhe ndjeva një kënaqësi shumë të madhe, një gëzim të madh që nuk di si ta përshkruaj. Kjo ngaqë asnjëherë nuk janë përkujtuar me dinjitet ashtu si e meritojnë ata që vunë themelet e pavarësisë së kombit tonë. Emocionet e mia personale, njëkohësisht më shqetësuan dhe më gëzuan. Më shqetësuan, sepse me këtë rast kujtova edhe njëherë jetën e vuajtur të babait, i cili dha gjithçka për vendin e tij dhe përfundoi në një gjendje shumë të keqe, lënë mënjanë dhe i harruar. U gëzova, sepse organizuam këtë festë, i përkujtuam. Mua nuk më vlen asnjë gjë tjetër që të më falin, nuk e krahasoj me përkujtimin që i bënë sot këtyre figurave patriotësh. Nëse do kem shëndet dhe me shpresë se do mundem fizikisht, do të jem në Vlorë më 28 nëntor të këtij viti, për të qenë aty, në të njëjtin vend ku para 100 vitesh ishte im atë dhe bashkë me të tjerët shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Do ta ruaj veten dhe do i jap shpresë që të shkoj në Vlorë. Do jetë një gëzim edhe më i madh se sot.

Lidhur me flamurin origjinal të ngritur më 28 nëntor 1912 dhe aktin origjinal të pavarësisë, relike këto që mungojnë sot pas 100 vitesh, si ndiheni për këtë fakt?
Të bëjnë përpjekje që të mund të gjenden këto materiale të vyera të ditës së pavarësisë. Ato kanë vlerë të veçantë dhe duhet të gjenden patjetër. Uroj që këtë vit të mund ta realizojmë këtë. Përveç kësaj, kam edhe diçka tjetër: këta patriotë të kujtohen gjithnjë dhe në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë të dekorohen të gjithë firmëtarët, sepse mundi dhe sakrifica e tyre ka qenë e jashtëzakonshme, për një Shqipëri të lirë e të mosvarme. Ata morën përsipër një detyrë të vështirë në të mirë të Shqipërisë.
(aq/shqiptarja.com)


  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi