2022 ishte tepër i vështirë për vajin e ullirit pasi ka sasi të konsiderueshme që ka mbetur ende pa shitur. Kështu bëri me dije Agim Rrapaj, kreu i këshillit të agrobiznesit në një intervistë për Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj.

Rrapaj u tha se po merren masa, janë diskutuar me grumbullues të vajit të ullirit dhe është ngritur grup pune për të zgjidhur problemin në një kohë kur çmimet janë rritur dhe shifra aktuale e shitjes nuk është as sa gjysma e kostos.

“Kemi një problem me vajin e ullirit. Vitin e kaluar hyri një sasi e konsiderueshme e ullinjve të rinj të mbjellë më parë. Kjo bëri që të kishte rritje të prodhimit. Sezoni ishte i mbarë. Ne nuk patëm dëmtime nga miza e ullirit. Ka mbetur një sasi vaji e pashitur dhe nga vit ii kaluar. Kemi rritje të kostos të ullirit dhe 2 vite më para, vjelësit e ullirit merrnin 15 lekë për kuintal, ndërsa këtë vit 30 lekë për kuintal, pra dyfishim. Edhe inputet janë 2-3 fishuar. Dhe fuqia punëtore nuk gjendet, nga 1000 lekë ka shkuar në 2000 lekë. Ka arritur të shitet vaji i ullirit dhe 350 lekë që nuk është as sa gjysma e kostos. Me këto situata kemi problem të tregtimit të vajit të ullirit. Është ngritur grup pune që po punon për zgjidhjen e problemit”, tha Rrapaj.

Teksa komentonte vitin që lamë pas, Rrapaj u shpreh se pati rritje në krahasim me 2021 por fermerët u përballën me shumë vështirësi.

“Eksportet u rritën. Por në tërësi bujqësia pati një rritje me 0.2%. performancë të mirë njeh bujqësia në fruta dhe perime. Patëm një rritje të ndjeshme të fruta perimeve gjatë periudhës që kaloi, rritje në prodhim dhe eksport. Rritje të ndjeshme pati prodhimi i ullirit që krahasuar me 2021 të ketë rritje rreth 39%. Në tërësi, krahasuar me 2021 ishte rritje por në periudhën që kaluam, janë ndeshur vështirësi të paparashikuara nga fermerët” , tha Rrapaj.

Rrapaj përmendi edhe situatën në blegtori duke thënë se paketa fiskale solli një sërë problematikash për sektorin që kanë ndikuar negativisht.

“Ka një situatë që nuk ndodh këtë vit. Na është trashëguar vit pas viti. Fillimisht u fshehën të dhënat. Që kur u hoq subvencioni për litër/qumësht, nisi rënia e blegtorisë. Momenti i tyre i paketës fiskale që ndikoi për keq ishte mosrimbursimi i TVSH për produktin e qumështit të blerë nga fermerët. Janë 2 faktorë të rëndësishëm. Kaluam një periudhë të vështirë të sektorit të veterinarisë, u ndryshuan shumë struktura dhe ndikoi në procesin e sektorit të blegtorisë. Një moment tjetër ishte mungesa e zooteknikut që thuajse është eliminuar por është baza. Këtë profesion e kemi neglizhuar dhe ka qenë ndër faktorët që ka ndikuar negativisht”, tha Rrapaj.