Rrëfimi i të dënuarit me vdekje që theu burgun para ekzekutimit: Luftova në malet e Mirditës kundër komunistëve dhe prej 60 vitesh kam plumbin e tyre në mushkri

Rrëfimi i të dënuarit me vdekje që theu burgun para ekzekutimit: Luftova në malet e Mirditës kundër komunistëve dhe prej 60 vitesh kam plumbin e tyre në mushkri

Zef Pren Ndoci

Publikohet historia e panjohur e Zef Pren Ndocit me origjinë nga fshati Spaç i Mirditës, familja e të cilit gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut pati shumë probleme dhe atyre u’a dogjën kullat, pasi një nga burrat më të dëgjuar të saj që ishte diplomuar në Vienë, shërbente si sekretar dhe këshilltar i Kapidanit të Oroshit, Gjon Markagjonit dhe morri pjesë në kryengritjen e Mirditës në vitin 1921. Shkollimi i Zef Ndocit në Internatin e Oroshit dhe në Shkollën Bujqësore amerikane të Golemit, ku ai pasi denoncoi idetë komuniste që përhapnin nxënësit e asaj shkolle, si Mhill Doçi, Pal Mëlyshi, Rexhep Doda etj., u bashkua me forcat e çetës së Abaz Kupit, duke marrë pjesë në disa luftime që zhvilloi ajo kundër italianëve. Mospranimi i Zefit për t’u larguar nga Shqipëria në nëntorin e ’44-ës me eksponentët e tjerë të Ballit dhe Legalitetit dhe kthimi nga Shkodra në Mirditë, për të organizuar rezistencën antikomuniste në atë krahinë. Qëndimi i tij në malet e Mirditës deri në vitin 1947, duke marrë pjesë në shumë luftime kundra Forcave të Ndjekjes, ku dhe u plagos dy herë prej tyre.  Si pranoi Zefi dhe 100 burra të tjerë mirditorë të dorzoheshin pas një amnistie që dha qeveria komuniste e Tiranës, pasi i kishin vënë dy kushte Bardhok Bibës. Dënimi i Zefit me pushkatim dhe thyerja e burgut të Pukës para se ai të ekzekutohej, dhe arrestimi i tij për herën e dytë, pasi e preu në besë familja nga Gjegjani i Pukës ku ai qëndroi i strehuar, nga ku ai përfundoi burgjeve dhe internimeve deri në vitin 1977.

“Nga mbarimi i Luftës e deri në shtatorin e vitit 1947, unë qëndrova nëpër male me grupet e rezistencës antikomuniste që udhëhiqeshin prej Mark Gjonmarkajt, duke rënë disa herë në përpjekje me repartet e Forcave të Ndjekjes dhe ato të Sigurimit të Shtetit që drejtoheshin prej Kryetarit të Degës së Brendëshme të Mirditës, Bardhok Bibës. Në një nga ato përpjekje të zhvilluar në fshatin Dom afër Gjegjanit, unë u rrethova prej tyre dhe mbeta i plagosur nga një plumb të cilin edhe sot pas 60 vjetësh e kam akoma në mushkëri. Duke mos pasur asnjë rrugëzgjidhje tjetër, në shtatorin e vitit 1947, unë bashkë me 100 burra të tjerë të Mirditës, u dorëzova pas një amnistie të dhënë nga qeveria komuniste e Tiranës”. Kështu e kujtonte periudhën kur ishte në arrati, Zef Pren Ndoci, me origjinë nga fshati Spaç i Mirditës, ish- pjestar dhe komandant i grupeve të rezistencës antikomuniste në vitet 1945-1947, i cili na rrëfente të gjithë historinë e tij, që nga periudha e Luftës kur luftonte në çetën e Abaz Kupit, dhe më pas me Komitetin e Maleve që udhëhiqej nga djemtë e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit.

Mosmarrëveshjet me Mbretin Zog

Zef Ndoci u lind në vitin 1924 në fshatin Spaç të Mirditës prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila asokohe kishte tre kulla të mëdha. Më i njohuri i fisit të tyre ishte një nga kushurinjtë e parë të Zefit, i quajtur po me emrin Zef Ndoci, i cili ishte diplomuar në Vjenë të Austrisë dhe shërbente si këshilltar e sekretar i Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit. Pas Kryengritjes së Mirditës në vitin 1921, Zef Ndoci u largua për në Jugosllavi dhe në atë kohë shtëpia e tyre u dogj nga forcat qeveritare, të cilat kishin marrë pjesë në shtypjen e asaj kryengritje irredentiste. Dy vjet më vonë, në vitin 1926, Zef Ndoci u kthye nga Jugosllavia dhe mbeti i vrarë në Orosh të Mirditës, në një përpjekje me forcat qeveritare.

Që nga ajo kohë familja Ndoci ra në një armiqësi dhe në mosmarrveshje të vazhdueshme me Ahmet Zogun, të cilat u sheshuan aty nga viti 1928, kur Nikoll Pjetër Ndoci, u vesh si oficer Xhandarmërie me gradën e kapitenit. Në atë detyrë Nikolla shërbeu deri në vitin 1932, kur u vra për probleme hasmërie nga disa persona që ishin kundër Gjonmarkajve. Pas vrasjes së Nikollës, Mbreti Zog dekretoi si oficer (kreshnik) në rezervë, kushëririn e tij, Ndue Pjetër Ndocin dhe që nga ajo kohë, problemet e familjes Ndoci me Mbretin Zog, pothuaj u normalizuan plotësisht. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë e gjithë familja Ndoci njihej si mbështetëse e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit dhe në prillin e vitit 1939, kur ai mblodhi forcat për të shkuar e luftuar në Durrës, u bashkua me ta me armë në dorë edhe babai i Zefit, Pren Ndoci.

Në çetën e Abaz Kupit

Zef Ndoci mbaroi shkollën unike me bursë shtetërore në Internatin e Oroshit në Mirditë dhe më pas ai ndoqi mësimet në shkollën Teknike-Buqësore Amerikane të Golemit të Kavajës, bashkë me patriotët e tij nga Mirdita, Pal Mëlyshi, Mhill Doçi, Ndue Pjetër Gjomarkaj dhe Rexhep Doda nga Reçi i Peshkopisë. Lidhur me këtë dhe aktivitetin e tij pas mbarimit të asaj shkolle, Zef Ndoci kujtonte: “Gjatë kohës që isha student në Bujqësoren e Golemit, ashtu si shumë të rinj të asaj kohe, edhe unë u njoha për herë të parë dhe rashë në kontakt me idetë komuniste. Por pasi u njoha mirë me atë doktrinë demagogjike nëpërmjet broshurave të ndryshme që na sillnin nga Tirana, që në mbledhjen e parë të celulës unë u largova duke i denoncuar hapur idetë komuniste. Kjo gjë ka ndodhur aty nga viti 1942 dhe pas marrjes së diplomës në gushtin e atij viti, unë vendosa të bashkohesha me forcat e Abaz Kupit, ku ishte dhe axha im, Ndue Pjetër Ndoci.

Atë vendim timin e bërë realitet menjëherë, duke shkuar në fshatin Shënmëri të Krujës, ku ishte Abaz Kupi me shtabin e tij. Që nga ajo kohe e deri në datën 6 maj të vitit 1944, unë kam qenë efektiv i çetës së Abaz Kupit, ku bashkë me axhën tim, kemi marrë pjesë në disa luftime kundra italianëve. Nga ato luftime mund të përmënd ato në fshatin Mallkuç të Krujës, ku na u vra major Marka Jaku nga Kurbini, bashkë me tre të tjerë dhe betejën kundra garnizonit italian të Burrelit më 31 korrik të vitit 1944. Ato luftime të cilat u zhvilluan bashkarisht edhe me forcat partizane, u udhëhoqën nga Abaz Kupi, Bilal Kola, Kurt Sulkurti, Isuf Beg Selmani dhe të tjerë krerë nacionalistë. Më pas unë mora pjesë edhe në betejën e Qaf-Shtamës, ku nën komandën e Abaz Kupit, ne i zumë pritë forcave italiane që u tërhoqën nga Burreli, ku mbeti i vrarë komandanti i tyre me gradën e kolonelit. Pas asaj beteje ne kemi luftuar edhe kundra gjermanëve që erdhën me tre kamionë në Krujë, ku u asgjesuam një pjesë të madhe të tyre.

Aty nga fundi i pranverës së vitit 1944, kur forcat partizane nisën operacionet kundra krahinës së Mirditës, Gjon Markagjoni dha kushtrimin që të mblidheshin të gjithë burrat nën armë. Por unë me axhën tim, Ndue Pjetër Ndocin, nuk mundëm që të shkonim në Mirditë, pasi ishim me forcat e Abaz Kupit. Më datën 6 maj të atij viti, xhaxhai im Ndueja, më nisi për në fshatin Gjurë të Matit, ku ishte shtëpia që streohej Cen Elezi me krerët e tjerë nacionalistë dhe oficeret anglezë që ishin atashuar pranë shtabit të Abaz Kupit. Aty në atë shtëpi unë u takova me Abaz Kupin dhe i tregova për kushtrimin që kishte lëshuar Kapidani i Mirditës. Pasi më dëgjoi deri në fund, Abaz Kupi më tha: “Të mblidhni forca dhe të shkoni në Mirditë tek Gjon Markagjoni, për të luftuar në front kundra komunistëve”. Që nga ajo ditë bashkë me axhën tim, Nduen, e disa të tjerë shkuam në Mirditë dhe pasi u takuam me Gjon Markagjonin, morëm pjesë në luftimet kundra forcave partizane që përbëheshin nga Brigada e VI-të, e VII-të dhe e XVII-të, ku luftimet më të ashpëra i bëmë në fshatin Gëziq”, kujtonte Zef Ndoci atë kohë kur luftonte në çetën e Abaz Kupit dhe nën komandën e Gjon Markagjonit, kundra forcave partizane që kishin filluar operacionet për nënshtrimin e Mirditës.

Vrasja e babait të Zefit

Aty nga fundi i shtatorit të vitit 1944, në shtëpinë e Gjon Fushës në fshatin Bulger të Rubikut, u zhvillua një mbledhje e gjatë ku morën pjesë disa nga krerët kryesorë të forcave nacionaliste të Legalitetit, Ballit Kombëtar, si dhe të Bllokut Indipendent. Në atë mbledhje ku mori pjesë dhe Zef Ndoci, krerët nacionalistë diskutuan gjatë rreth masave që duhet të merrnin për t’u mbrojtur nga goditjet e partizanëve që kishin nisur një mësymje në shkallë të gjerë kundër tyre. Mbarimi i Luftës e gjeti Zef Ndocin në nënprefekturën e Shpalit të Mirditës, ku pas vrasjes së xhaxhait të tij, Ndue Pjetër Ndocit, ai kishte marrë komandën e forcave në vënd të tij. Lidhur me këtë dhe ngjarjet që rrodhën më pas, Zef Ndoci dëshmonte: “Unë i kisha të gjitha mundësitë që të largohesha nga Shqipëria, ashtu si shumë eksponentë të tjerë nacionalistë, por mendova se lufta kundër komunistëve duhej të zhvillohej vetëm këtu në Shqipëri. Aty nga fillimi i dhjetorit të vitit 1944, kur ndodheshim ende në qytetin e Shkodrës, Mark Gjonmarkaj më ngarkoi si detyrë që të kthehesha në malet e Mirditës, me qëllim që të riorganizonim luftën kundër forcave komuniste.

Ndonëse ajo gjë ishte tepër e vështirë dhe krejtësisht e pamundur, unë së bashku me Frrok Mëlyshin, Ndue Gjet Simonin, Ndrec Pren Tucin, Ndue Bajraktarin dhe disa mirditorë të tjerë, u kthyem në Mirditë për të zbatuar detyrën e ngarkuar. Aty nga data dhjetë janar e vitit 1945, forcat partizane të Divizionit të VIII të Mbrojtjes Popullore që vazhdonin operacionet në Mirditë, të udhëhequra nga Bardhok Biba, Mat Doda, Mark Dodani, Pal Mëlyshi etj., m’i dogjën shtëpitë në fshatin Spaç dhe na i sekuestruan të gjitha pasuritë që kishte familja jonë. Pas kësaj ata më morën peng, babanë tim, Pren Ndocin, të cilin e mbajtën me vete në një udhëtim të gjatë duke përshkuar rrugën: Mirditë-Tiranë- Korçë-Shkodër. Bashkë me babën tim, si peng të komunistëve ishin dhe disa burra të tjerë mirditorë, si: Gjet Vokrri nga Fani, Gjet Ndoi nga Oroshi, Ndue Përnoci etj. Babai im Preni, vdiq në tortura në një nga qelitë e burgjeve që kishin hapur asokohe komunistët në qytetin e Shkodrës, saqë e dhe sot nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij”, kujtonte Zef Ndoci, lidhur me hakmarrjen e komunistëve kundër familjes së tij dhe për vrasjen e të jatit që komunistët e mbajtën si peng për shumë kohë.

Plagosja në përpjekje me Sigurimin

Po si rrodhën më pas ngjarjet me Zef Ndocin dhe familjen e tij? Lidhur me këtë, ai dëshmonte: “Në atë kohë pas vrasjes së babait, unë ndodhesha i arratisur në mal bashkë me Pjetër Lleshin, Nikoll Ndue Përdedën, Bardhok Markagjokën, Gjon Gjinajn etj., dhe në mal mësova se komunistët kishin internuar familjen tonë në qytetin e Beratit dhe më pas në qytetin e Lezhës. Që nga ajo periudhë e deri në shtatorin e vitit 1947 që unë qëndrova i arratisur nëpër malet e Mirditës, së bashku me shumë shokë të tjerë kemi rënë në përpjekje dhe jemi rrethuar rreth 25 herë nga Forcat e Ndjekjes. Sipas situatave të ndryshme, unë hera herës kisha dhe detyrën e komandantit të çetës, por të gjithë ne ishim nën urdhart dhe komandën e Komandantit të Përgjithshëm të Rezistencës Antikomuniste, Mark Gjonmarkajt, i cili u vra më 13 qershor të vitit 1947, në fshatin Prosek. Në atë betejë të përgjakshme me forcat komunisite, bashkë me Markun, mbeti i vrarë dhe vëllai im, Nikoll Ndoci.

Disa ditë më vonë, më 17 korrik, unë së bashku me Pjetër Kimzën dhe Dedë Laloshin, në fshatin Dom afër Gjegjanit, u rrethuam nga forcat e Sigurimit që i udhëhiqte Bardhok Biba. Pas çarjes së rrethimit nga dy shokët e mi, unë mbeta krejt i vetëm dhe u fsheha në një zgavër të madhe lisi, ku qëndrova pa lëvizur për disa ditë me rradhë. Në atë betejë unë mbeta i plagosur rëndë nga një plumb, të cilin edhe sot pas 60-vjetësh e kam akoma në mushkri. Ashtu i plagosur qëndrova nëpër male duke u strehuar nëpër shpella, deri në muajin shtator të atij viti, kur qeveria komuniste e Tiranës shpalli një amnisti për të gjithë të arratisurit. Në atë kohë shumë prej nesh u arratisën nga Shqipëria dhe dolën në Perëndim, kurse unë së bashku me 100 burra të tjerë, vendosëm të dorzoheshim.

Atë vendim, si unë ashtu dhe të tjerët, e morëm jo për vete, por për të lehtësuar vuajtjet e familjeve tona që ndodheshin nëpër internime. Vendimin për t’u dorzuar, ne e morëm vetëm pasi i vumë dy kushte Bardhok Bibës. Kushti i pare, ishte që të mos na e kërkonin se kush na kishte mbajtur me bukë gjatë kohës që ishim në arrati dhe kushti tjetër, ishte falja e jetës. Vetëm pasi u pranuan këto dy kushte nga ana e Bardhok Bibës që në atë kohë ishte Kryetar i Degës së Brendshme, unë bashkë me 100 burra të tjerë mirditorë u dorzuam në fshatin Shpal, që ishte qëndra e nënprefekturës së Mirditës. Por Bardhok Biba nuk e mbajti besën e dhënë dhe pas dorzimit, ku na prisnin forcat e Divizionit të VIII-të, ne na lidhën të gjithëve me tela dhe të hipur në tre kamionë, na nisën për në Degën e Brendshme të Shkodrës”, kujtonte Zef Ndoci lidhur me dorzimin e tij pas amnistisë që kishte nxjerrë qeveria e Tiranës në vitin 1947.

Dënimi me vdekje dhe arratisja

Po si rrodhën ngjarjet më pas me Zef Ndocin dhe antikomunistët e tjerë që u dorzuan në besë të Bardhok Bibës? Lidhur me me këtë, ai dëshmonte: “Në qytetin e Shkodrës ne gjetëm edhe 150 burra të tjerë nga Veriu i Shqipërisë, të cilët ishin dorzuar si ne. Në mes tyre kishte dhe emra shumë të njohur, si: Mark Mala, Pal Thani, Mark Sadiku, Lek Vojvoda, etj., dhe gjyqi kundër nesh u zhvillua në shtëpinë e familjes Pogu, ku ndër 17 të pandehurit e parë isha edhe unë. Në fillim, pretenca e prokurorit kërkoi për të gjithë dënimin me vdekje, por më pas ne na dhanë dënimin me burg të përjetshëm. Gjatë asaj kohe që unë isha në burg për atë dënim, u akuzova edhe për disa vrasje politike dhe për atë akuzë u mbajta për gjashtë muaj i lidhur kokë e këmbë.

Kjo gjë vazhdoi deri në 11 janarin e vitit 1948, kur unë dhe shumë të burgosur të tjerë, u liruam pas një amnistie që u dha nga qeveria komuniste me rastin e tre vjetorit të Shpalljes së Republikës. Një muaj pasi isha liruar nga burgu, më thirri Bardhok Biba dhe më kërkoi që të bashkëpunoja me Sigurimin, por unë nuk pranova duke e refuzuar atë në mënyrë kategorike. Në fillimin e gushtit të vitit 1949, kur u vra Bardhok Biba, unë ndodhesha i shtruar në spitalin e Shkodrës nga plumbi që kisha në mushkri.

Ato ditë pasi ishin arrestuar dhe internuar me qindra mirditorë për atë vrasje, në burgun e Shkodrës më erdhi nënkryetari i Degës së Brendshme të Pukës, Mat Doda dhe deshi të më arrestonte. Por mua më mbrojti Dr. Mborja i cili u tha: Unë nuk u lejoj që ta merrni tani, sepse kam për detyrë që ta shëroj. Pastaj ju po të donin mund ta pushkatoni. Po atë ditë mua më arrestuan dhe më nisën për në Degën e Pukës, ku dy gardianë që dikur kishin qenë dhe karabinierë, më treguan se donin të më pushkatonin.

Pas kësaj ashtu i lidhur, unë theva burgun dhe u arratisa që andej. Ajo gjë shkaktoi alarm të madh dhe ardhjen e forcave të shumta ushtarake nga Tirana, Shkodra, Kukësi etj., të cilat nuk lanë vënd pa kontrolluar. Pas 15 ditësh mua më kapën, pasi më preu në besë një familje nga Gjejgjani i Pukës ku isha i strehuar. Pasi më lidhën këmbë e duar, më dërguan përsëri në Degën e Brendshme të Shkodrës, ku më lanë për tre vjet me rradhë në një birucë. Në vitin 1951 më nxorrën në gjyq dhe më dënuan me shtatë vjet burg, pastaj më ulën dy vjet dhe si përfundim unë u lirova në vitin 1954, pasi vuajta katër vjet burg në kampin e artizanatit të Tiranës.

Pas daljes nga burgu, qëndrova në fshatin tim në Mirditë, ku u arrestova përsëri në vitin 1966 dhe pasi vuajta një vit në burg, në vitin 1967 më internuan në fshatin Shtyllas të Fierit, ku qëndrova deri në vitin 1977”. Kështu e përfundonte rrëfimin e tij, Zef Ndoci, një nga ish-pjestarët më aktivë të grupeve të rezistencës antikomuniste, që luftoi përreth tre vjet nëpër malet e Mirditës me Forcat e Ndjekjes, prej të cilëve ka si “kujtim” një plumb automatiku që e ruan edhe sot në mushkrinë e tij./Memorie.al

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 31/07/2020 04:52

    Te vjen keq qe shume nga keta njerez per idete e tyre u shfrytezuan nga kapedani I Mirdites me shoke.Ndersa kapedani me shoke u arratisen dhe benin jete qejfi ne bote ,gjeten njerez te tille qe I manipuluan te benin luften per ta e te rrezikonin jeten e tyre dhe te familjeve se kapidani na donte prape kullat dhe kapidanllekun.Disa prej ketyre qe kishin mundur te arratiseshin ,me urdher te krereve u nisen si diversante dhe u bene mish per top nga kreret si Gjonmarkajt,Zogu,Frasheri etj,kurse kreret jetonin mes privilegjesh neper bote ne pritje te rruges se hapur me trendafila qe do ti shpinte drejt pushtetit.

    Përgjigju
  • Albulenas: 29/06/2020 13:51

    Klysht e komunizmit Jane prap prezent e nuk duan ti besojne krimet qe I Jan ba popullit shqiptar.

    Përgjigju
  • Mirditori: 29/06/2020 07:22

    Pjesa qe une e di mire eshte ajo vrasja e atije Zefit tjeter qe ju e kishit te parin e fisit , ajo eshte komplet mashtrim , ai nuk u vra per problemet me mbretin por per mashtrim lekesh borgj qe ky Zefi juaj nuk pranoi ti kthente . E dyta eshte vrasja e Bardhok Bibes nga sigurimi i shtetit me duart tuaja , dhe duke e ditur shume mire per pasojat pranuat te bashkepunonit me komunizmin , prandaj mos e thuaj qe nuk kemi bashkepunuar me komunizmin . E treta lum miku mos e thuaj ate qe gjoja nejta per ta luftuar komunizmin ketu , se ti nuk pate mundesi te ikje se ishe i plagosur. Duke pare qe nuk kishe mundesi te ikje athere pranove te beheje vegel ne duart e komunizmit . Pordh me rigon krejt , trillim i gjalle

    Përgjigju
    • Viktor Vorfi: 30/06/2020 03:48

      Vertetesine e kesaj historie mund ta provojme shume lehte, Deshmitaret jane akoma gjalle. Antiomuniste si Zef Ndoci ka patur shume pak ne Shqiperi. Po te ishin me shume Shqiperia nuk do kishte ngelur ashtu sic ngeli per me shume we 45 vjet.

  • Fol Drejt: 29/06/2020 00:07

    Histori kret e modifikume per interessa personale ( me nxerr veten te afte) kena pas dhe ne gjysher dhe kusherinj te gjysherve , na kan tregu histori krejt ndryshe nga kjo qe tregon ti, e kishte than mire para komentusi : me ato qe tregove ti qe kishe ber, Kush ta falte jeten ty? Edhe lto intervistusit, krejt pa lidhje. Nese doni fakte te luftes? shkoni hapni arkivat e shtetit edhe shkruni histori te luftes, jeni tu bo Hero njerz qe i kan sherby sistemit komunist .

    Përgjigju
  • ####: 28/06/2020 21:19

    Lufta partizane komplet mashtrim,ne shkolle na eshte treguar sic interesonte enverit si lufte clirimtare,dokumentat qe nxirren nga arkivat here pas here tregojne te kunderten.Partizanet te pabese,pushkatime pa gjygj,vrasje te roberve te luftes si Italiane apo Gjermane per tju marre rrobat e kepucet.

    Përgjigju
  • Pal Marka Jaku: 28/06/2020 21:05

    ... gënjështra të zbukuruara mjaft trashë... në Shtyllas Në vitin 1991 të kam takuar kur bëjë krasitje hardhish në familjet e banorve të fshatrave përreth... sapo kishtefilluar era e demokracis dhe më tregoje copra jetetë së shkuar dhe ishe i penduar që kishe shkuar me AbazKupin si monarkst që ti kishe urrejtje për mbretin... kuptova se ishe vërtet i zgjuar por edhe i përdorur nga organet... Por siç mora vesh më vonë djali juaj që u bë ushtarak ka bërë qindra poshtërsi në njërëz të ndërshëm në ngjarjet e sidomos të vitit 1997 ... ja u ka borxh jetën e tij dhe familjes sipas traditës së maleve atyre që rrahur dhe turturuar më thoshte një fierak që e kishte njohur atë... të ruajtë zoti... por dhe zoti di kë ruan..

    Përgjigju
    • Mikel Ndoci: 30/06/2020 04:15

      Z Pal Marka Jaku nese ju keni fakte e prova per krime qe supozoni ju duhet ti drejtoheni organeve kompetente ne te kundert duhet e mbani pegjegjsi per akuzat pasi si ligji dhe kanuni qe ju e permendet ku supozohet te jeni njohes i mire i tij denon shpifjen. Meqe permende kanunin z Mark ka shum mundesi qe do pergjigjesh per akuzat dhe ne kete menyre fut ne borxh veten dhe familjen ketu po i referohem frazes se perdorur nga ju me lart ku i referohem nje Fieraku si ju. Mikel Ndoci

    • Viktor Vorfi: 30/06/2020 04:02

      Personalisht i kam degjuar vete me dhjetera here historite e Zef Ndocit , nga vete personi dhe njerez qe e kane njohur mire. Te gjitha tregojne nje te vertete te hidhur - fara e keqe e kominizmit do te ishte zhdukur me heret po te ishin bashkuar Mirditoret dhe shqiptaret me kauzen e nacinalisteve antikomuniste si Zef Ndoci. Familja e tij e ka nderuar gjithmone Mirditen, dhe djali i tij ka qene shembull i perkushtimit profesional ne te gjitha detyrat shteterore. Shpifjet dhe perbaljet nuk pranohen nga familjet e nderuara, por as nuk e nxijne dot te verteten.

    • Fol drejt: 29/06/2020 00:08

      Fiks e ke than , te lumt dora se ja ke shkrujt bukur

  • LORA: 28/06/2020 19:11

    Keta bastardet gjakprishur i rrefejne me gojen e tyre krimet qe i kane bere Shqiperise tone.

    Përgjigju
    • Viktor Vorfi: 30/06/2020 04:22

      Te kesh qene perkrahes I pushtetit diktatorial kuptohet , ishte nga frika ose injoranca. Te akuzosh sot antikomuniste si Zef Ndoci per qendresen ndaj diktatures si “gjalprishur” tregon se njerez te tille qe akuzojne meritojne ate regjim qe i poshteronte ose duan te shtremberojne historine.

    • Shqipnia mbe te gjitha: 28/06/2020 21:37

      Shqipnia ashte e te taneve, e te tane shqiptareve, diktatura ne shqipeni ishte huej. Pse, se kur u hapen rruget ju, dhe te tane pame qe ne ishim jo vetem mrapa po ene anash rrjedhes se asaj jete ku u drejtuem me rrnue. Pra shqipnia jone apo e atyne ishte faktori qe pengoi mirqenjen tone. Energji e shpenzume per te rujt kriminelet koms te mas lufte.

  • Historia: 28/06/2020 14:22

    Ne vitin 1944 italia kishte kapitulluar keshtu qe ju dhe bashibozuket e tjere vetem i keni plackitur forcat italiane ne terheqje eser te corientuar. Kundra gjermaneve nuk keni hedhur asnje fishek sepse ishit bashkepuntore. U dorzuat si lepuj tek forcat e ndjekjes sepse ju dhimbs lekura ngaqe mbetet pa ushqim si cakejte ne mal. Dyshoj qe nuk ke qene bashkepuntor i sigurimit pasi ata nuk falnin te pafajshmit e jo me ty qe ke lyer duart me gjakun e partizaneve. Cka lype more keshtu qe nuk i beson njeri perralat e tua.

    Përgjigju
  • .......: 28/06/2020 11:42

    Asgje interesante nga fronti i luftes....! Te gjithe duhet te vetrehabilitohen dhe ne fund te marrin nga nje dekorate

    Përgjigju
    • Muça: 02/07/2020 00:41

      Ça vlere kane duan qe para se te ndahen nga kjo bote te pastrojne shpirtin nga te ligat qe kane bere ...

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille