TIRANË- Indiferencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe vetë Gjykatës së Posaçme që nuk ka bërë asnjë hap pas ndaj rregullores censuruese të punës së avokatëve dhe gazetarëve në këtë gjykatë, sjell një vendim radikal të dhomës Kombëtare të Avokatisë. Pas një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit të përgjithshëm, kreu i dhomës, avokati Maks Haxhia njoftoi se do të shtrihet edhe te seancat për masat e sigurisë në GJKKO. Dhoma e Avokatisë do të tërheqë edhe listën e avokatëve kryesisht që Gjykata ka në dispozicion, në mënyrë që as ata mos të marrin pjesë në seanca.
“U vendos bojkoti i masave të sigurisë në gjkko, me një shtesë që të tërhiqen edhe listat e avokatëve kryesisht duke i quajtur të pezulluara nga dhoma e avokatisë", tha Maks Haxhia.
Përshkallëzimi i bojkotit, nga seancat gjyqësore në GJKKO, deri te masat e sigurisë, krijon një impakt të rëndësishëm për të gjithë personat e arrestuar. Ligji detyron që çdo i arrestuar të dalë para gjykatës brenda 72 orësh për masën e sigurimit personal, ndryshe arrestimi bëhet i pavlefshëm, dhe personi i dyshuar, lirohet.
Një vendim i tillë drastik merret për herë të parë në vendin tonë. Maks Haxhia tha se në mbledhjen e jashtëzakonshme u hodh në tryezë edhe alternativa e bojkotit të të gjitha gjykatave në Shqipëri, por në përfundim u ra dakord për ta mbajtur bojkotin vetëm brenda gjykatës së Posaçme duke e zgjeruar edhe te masat e sigurisë.
“Këshilli i Përgjithshëm me unanimitet votoi për shtrirjen e bojkotit edhe për masat e sigurimit gjithnjë përpara GJKKO, me një shtesë që të tërhiqen edhe listat e avokatëve kryesisht duke i quajtur ato të pezulluara nga Dhoma e Avokatisë dhe me një shtrirje dore, në kuptimin e mirë të fjalës, që ky vendim të hyjë në fuqi jo ditën e sotme, por ditën e hënë duke krijuar dhe një afat kohor për t'ua lënë në dispozicion për të rivlerësuar këtë situatë nga kjo gjykatë që ka nxjerrë këtë rregulloren dhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”, tha Maks Haxhia, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Prej të hënës kur është paralajmëruar të nisë bojkoti i masave të sigurisë, avokatët shpresojnë që gjykata e posaçme të reflektojë dhe të pezullojë rregulloren e cila i ndalon ata, edhe gazetarët, të përdorin celularët në seancë. Shtuar kësaj, edhe ndalimin e mëparshëm për kamerat në seancë, kjo do të kthente punën e gazetarit hapa pas, në mbajtjen e shënimeve me laps e letër dhe vonesën për ta përcjellë atë në kohë reale në redaksitë informative e më tej tek publiku.
Në pritje të një tërheqje të mundshme të kryetarit të Gjykatës së Posaçme, Erjon Bani, nga rregullorja e cila është kundërshtuar edhe nga shoqatat e mediave vendase e ndërkombëtare, një lëvizje e radhës kërkohet nga Kuvendi. Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë Tedi Blushi, i dërgoi shkresë zyrtare, kryeparlamentarit Niko Peleshi, ku kërkon thirrjen urgjente në një seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve dhe atë për mbikëqyrjen institucionale me përfaqësues të GJKKO-së, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.
“Përshkallëzimi rrezikon të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta mbi zhvillimin normal të proceseve penale, ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes, respektimin e afateve procedurale dhe, në mënyrë të veçantë, garantimin e procesit të rregullt ligjor.
Thirrjen urgjente të një seance dëgjimore të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të GJKKO së Shkallës së Parë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera që vlerësohen të nevojshme”, theksohet në kërkesën e Blushit.
Sa i takon gjobave që gjyqtarët e GJKKO nisën të aplikojnë ndaj avokatëve që bojkotonin seancat gjyqësore, Maks Haxhia tha se ato do të ankimohen, dhe në rast se lihen në fuqi, do të paguhen nga Dhoma e Avokatisë.
“Gjobat ne do t'i ankimojmë. Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet e drejtësisë për gjobat që na kanë vendosur. Nuk mund të prevalojë një rregullore, që nuk është për ne. Është një rregullore, që nuk përshtatet me ligjin. Edhe në rast se gjobat qëndrojnë, do t'i mbulojë Dhoma e Avokatisë. Ne do ta ndjekim situatën deri në fund nga ana ligjore”, tha Haxhia.
Edhe gazetarët, në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores që, përveç kamerave, u ndalon edhe hyrjen në seancë me celularë, nuk janë akredituar në GJKKO. Ata e konsiderojnë celularin një mjet të domosdoshëm për përcjelljen e informacionit në kohë reale te qytetarët.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, dhe kreut të Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, duke kërkuar ndërhyrjen e Parlamentit për zgjidhjen e konfliktit mes GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Kërkesa vjen pas vendimit të avokatëve për ta shtrirë bojkotin edhe te seancat për masat e sigurisë. Blushi argumenton se përplasja nuk është më vetëm një mosmarrëveshje administrative, pasi sipas tij rrezikon zhvillimin normal të proceseve penale, respektimin e afateve procedurale dhe të drejtën e mbrojtjes.
Deputeti i PL-së kërkon thirrjen urgjente të një seance dëgjimore me përfaqësues të GJKKO-së, Dhomës së Avokatisë, KLGJ-së dhe institucioneve të tjera, si dhe nxitjen e dialogut për t'i dhënë fund ngërçit.
Pjesë nga kërkesa e Tedi Blushit
Kërkoj nga Kryetari i Kuvendit që, në përputhje me kompetencat e Kuvendit dhe Rregulloren e tij, të mundësojë trajtimin me urgjencë të kësaj çështjeje në komisionet përgjegjëse dhe veçanërisht:
1. Thirrjen urgjente të një seance dëgjimore të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të GJKKO së Shkallës së Parë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera që vlerësohen të nevojshme;
2. Kërkimin e informacionit dhe shpjegimeve të plota mbi shkaqet e krijimit të këtij ngërçi, efektet e tij konkrete mbi proceset gjyqësore dhe masat e marra nga secili prej institucioneve për parandalimin e pasojave mbi të drejtën e mbrojtjes dhe procesin e rregullt ligjor;
3. Nxitjen e një dialogu të drejtpërdrejtë institucional ndërmjet GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme dhe të qëndrueshme, pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit dhe kompetencat e organeve të avokatisë;
4. Vlerësimin e përputhshmërisë së kuadrit rregullator dhe praktikave të zbatuara me legjislacionin në fuqi dhe standardet e procesit të rregullt ligjor, veçanërisht për sa i përket ushtrimit efektiv të funksionit të mbrojtjes;
Në përfundim të shqyrtimit, hartimin e një raporti dhe, nëse vlerësohet e nevojshme, propozimin e masave përkatëse institucionale ose legjislative, me qëllim parandalimin e përsëritjes së situatave të ngjashme.
Kuvendi nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë gjykatat apo të ndërhyjë në vendimmarrjen gjyqësore. Por ai ka detyrimin kushtetues dhe parlamentar të ushtrojë kontrollin që i takon dhe të nxisë dialogun institucional kur një përplasje ndërmjet aktorëve të sistemit të drejtësisë rrezikon të cenojë funksionimin normal të tij dhe garantimin e të drejtave procedurale.
Në këto kushte, mbizotërimi i parimit të procesit të rregullt ligjor duhet të jetë kriteri udhëheqës për tejkalimin e këtij ngërçi. Çdo mosmarrëveshje institucionale duhet të zgjidhet përmes dialogut, proporcionalitetit dhe respektimit të kompetencave reciproke dhe nuk mund të lejohet të shndërrohet në një pengesë për funksionimin e drejtësisë penale.
Për këtë arsye, kërkoj që kjo çështje të trajtohet me urgjencë të veçantë parlamentare, përpara se pasojat e saj të bëhen edhe më të rënda dhe të prekin në mënyrë të pakthyeshme të drejtat e personave që janë aktualisht pjesë e proceseve penale.











Komente
Komento