Rrëzohet me 69 vota amandamenti i Tabakut për zhvlerësimin e Euros: Këtë buxhet e ndjejnë vetëm qeveritarët, Fasonët dhe Bujqësia përtokë! Shalsi: U forcua leku

Rrëzohet me 69 vota amandamenti i Tabakut për zhvlerësimin e Euros: Këtë buxhet e ndjejnë vetëm qeveritarët, Fasonët dhe Bujqësia përtokë! Shalsi: U forcua leku

Jorida Tabaku, sot në Parlament

1733245190_joridatabaku.jpg

Jorida Tabaku, sot në Parlament, duke prezantuar amendamentin për zhvlerësimin e euros

Deputetja Jorida Tabaku akuzoi nga foltorja e Parlamentit qeverinë dhe mazhorancën se ka lënë pas dore dy nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, si Industria fasone dhe Bujqësia, teksa bizneset duhen rimodeluar dhe ndihmuar, pasi po falimentojnë, edhe për shkak të zhvlerësimit të euros.

Tabaku kritikoi buxhetin e propozuar dhe kërkoi përfshirjen e amandamentit të saj për zhvlerësimin e euros në treg, me qëllim dhënien e ndihmës së industrisë dhe bujqësisë, për të shmangur falimentimet e mëtejshme. 

“Këtë buxhet nuk e ndjen askush përveç qeveritarëve, shqiptarët janë më të pambrojturit”, tha Tabaku ndër të tjera. Ajo bëri thirrje në sallën e Parlamentit që të merrej parasysh amendamenti dhe propozimet.

Pavarësisht fjalës dhe thirrjes së saj, mazhoranca e rrëzoi me 69 vota kundër, zero abstenime dhe vetëm 16 pro amendamentin e saj për tregun e zhvlerësimit të euros.

Tabaku nënvizoi se:

“Si ka mundësi që këtë buxhet të madh s’e ndjen askush, as qytetarët, as bizneset, përveç qeveritarëve sigurisht. Kur e krahasojmë me rajonin, shqiptarët mbeten më të pambrojturit. Shumë sektorë po vuajnë si rezultat i zhvlerësimit të euros. Më i prekuri ai i fasonerisë me peshë 30 për qind të eksporteve dhe mbi 70 mijë të punësuar. Janë mbyllur kompani të shumta, shifra alarmante në të gjithë vendin në këtë sektor. Industria është sektori i dytë që e reflekton këtë krizë. Rezultat i informalitetit dhe parave të pista, janë dëmtuar rëndë. Këto biznese nuk kanë fitim, çfarë do ngrijë qeveria për taksën e tatim-fitimit. Këto sektorë duhen ndihmuar. Ndihma për këtë industri është për 70 mijë familje shqiptare që mund të hidhen në rrugë. Koncepti i tyre është vetëm panairet, këto tre sektorë janë shëmbëlltyrat më të mira për këtë vend dhe janë lënë pas dore...”. 

Teksa deputeti socialist Eduart Shalsi, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, tha se “nuk është zhvlerësuar euro, por është forcuar Leku”.

Fjala e plotë e Jorida Tabakut:

"Pak orë më parë, Banka e Shqipërisë publikoi të dhënat e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike, dhe bizneset shqiptare nuk kanë besim në ekonominë e vendit. Këtu bëhet fjalë veçanërisht për sektorin e industrisë, i cili ka shënuar një rënie në besimin ndaj ekonomisë. Ky “prosperitet i madh ekonomik” dhe “arritje e madhe e buxhetit” nuk ndihet nga askush. Nuk e ndiejnë as bizneset dhe as qytetarët. Fuqia blerëse e shqiptarëve, që kanë pagën më të ulët në rajon, është sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian, duke u renditur të fundit në rajon. Shqiptarët mbeten ndër më të varfërit dhe më të pambrojturit. Kriza ekonomike ka përfshirë shumë sektorë. U diskutua për bujqësinë si një sektor nënfinancuar, por gjithashtu një nga sektorët më të goditur nga zhvlerësimi i euros është sektori i fasonerisë.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, eksportet e industrisë fason kanë pësuar një rënie drastike prej 23% në vitin e fundit, duke zbritur në 55.41 miliardë lekë nga 68.1 miliardë lekë një vit më parë. Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2024, janë shkurtuar 3,000 vende pune në fabrikat e fasonerisë, nga Shkodra në Laç e deri në Gramsh dhe Bilisht. Ky është një sinjal alarmi për një sektor që jo vetëm mban me bukë mbi 70 mijë familje shqiptare, por është edhe motor i eksporteve tona. Zhvlerësimi i euros dhe rënia e fuqisë konkurruese të produkteve tona po shkatërron këtë sektor. Pavarësisht zhvlerësimit të euros me 40%, bilanci tregtar i vendit nuk ka njohur përmirësim. Përkundrazi, produktet ushqimore që importojmë blihen 20-40% më shtrenjtë, një kosto që rëndon drejtpërdrejt mbi xhepat e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, zhvlerësimi i euros ka dëmtuar rëndë konkurrueshmërinë e produkteve tona, duke i bërë ato më të shtrenjta dhe më pak atraktive për tregjet ndërkombëtare.

Cilat janë masat që merr qeveria? Ajo u thotë këtyre bizneseve se do të ngrijë tatimin mbi fitimin. Por çfarë sensi ka të ngrijë tatimi mbi fitimin kur nuk ekziston?! Gjithsesi, me kolegë të mazhorancës kam diskutuar dhe kemi rënë dakord për disa problematika. Në fakt, shqetësimi më i madh për këto industri është mungesa e përgatitjes për tregun europian. Kjo është përgjegjësi e qeverisë, e cila duhet të investojë dhe t’i ndihmojë këto biznese që nga produkte gjysmë të gatshme të konvertohen në produkte plotësisht të gatshme, për të dalë në tregjet e BE-së me markën “Made in Albania”. Çfarë do të eksportojmë ne në tregjet e Europës? Bujqësinë e kemi shkatërruar, dhe produktet e saj i hedhim në rrugë. Po ashtu, industrinë fason po e shkatërrojnë, duke lënë punonjësit pa punë. Bizneset mbyllen, dhe çfarë po eksportojnë sot shqiptarët? A e dini se bizneset shqiptare që prodhojnë produkte “Made in Albania” paguajnë tarifa të njëjta me Kinën? A e dini se mungesa e transparencës në këtë proces ka shkaktuar një krizë besimi te bizneset?.

E kam të qartë që procesi i integrimit do të transformojë ekonominë tonë. Ne duhet të rimodelohemi, duke u përshtatur me tregun dhe duke e rikonceptuar ekonominë. Por nga ana tjetër, një industri e tillë që punëson kaq shumë njerëz duhet ndihmuar. Duhet të vendoset një formë garancie dhe subvencioni për t’i ndihmuar bizneset të investojnë. Jo të shpikim “ngrirjen e tatim-fitimit” kur ai nuk ekziston. Kjo është ndihma që u duhet 70 mijë familjeve shqiptare, të cilat mund të mbeten pa punë. Punonjësit e këtij sektori kanë paga minimale dhe janë ndër më të varfrit. Ndaj, ndërhyrja për t’i ndihmuar është urgjente. Vendimi për rritjen e pagës minimale ka goditur këtë sektor si biznes, por edhe punonjësit e tij. Kur qeveria thotë se ka rritur pagën minimale, kjo nuk i kushton asgjë asaj, përkundrazi, ajo fiton më shumë nga kontributet. Ndërkohë, bizneset dhe punonjësit e tyre mbajnë barrën më të rëndë. Mbështetja për këtë sektor që ndodhet në krizë, si dhe për bujqësinë, është jetike. Një vend që pretendon se ka hapur negociatat dhe premton integrim, duhet të ndihmojë dhe subvencionojë bizneset shqiptare. Në buxhetin e shtetit nuk ka asnjë lek të dedikuar për këtë qëllim. A e dini çfarë propozon qeveria për bizneset shqiptare? Panaire! Një koncept arkaik dhe pa asnjë vlerë reale. Industria fason, industria në përgjithësi dhe bujqësia janë pasqyra më e mirë e ekonomisë shqiptare: rënie dhe katastrofë. Kushdo që jeton me të ardhura nga këto sektorë është në mëshirë të fatit".


Lajmi kryesor:

Kuvend, Buxheti 2025 kalon me 75 vota pro, vetëm 24 kundër! PS rrëzoi të gjitha amendamentet e PD dhe PL, Malaj: E kthejnë në buxhet piramidal


A.Q/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun