Portofoli i kredive me probleme është rritur me 12 milionë euro gjatë këtij viti. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se huaja e keqe në fund të muajit prill arriti në 381 milionë euro, nga 369 milionë euro që ishte në prill të vitit të kaluar.

VLERA E KREDIVE ME PROBLEME

Prill 2025        369 mln euro
Prill 2026        381 mln euro
Diferenca       +12 mln euro

Edhe pse kredia e keqe është rritur në vlerë, në përqindje ndaj totalit të huave të dhëna është në rënie, duke prekur për herë të parë nivelin prej 3.7%. Rënia vjen për shkak të zgjerimit të kreditimit në ekonomi, gjë që ka bërë që pesha e huasë së keqe ndaj totalit të bjerë. Sipas raportit të BSH-së, kredia e keqe zbriti në 3.75% në prill 2026, nga 4.03% një vit më parë, duke shënuar një ulje prej 0.28 pikë përqindjeje.

KREDITË ME PROBLEME

Prill 2025       4.03%
Prill 2026       3.75%
Diferenca      -0.28%

Bilancet e bankave konsiderohen të shëndosha, nëse marrim si krahasim normat e kredive me probleme 1 dekadë më parë që arrinin deri në 25% të totalit të huave të dhëna. Kredia e keqe nuk është reduktuar vetëm nga shlyerja në kohë e kësteve nga kredimarrësit por edhe nga fshirja e 90 miliardë lekëve (afro 940 mln euro) kredi të humbura, nga 2015-ta deri në fund të 2025-ës.