/ATSH/- Në 15 vitet e fundit popullsia me arsim të mesëm është rritur ndjeshëm dhe në vitin 2014 të diplomuarit në këtë grup, krahasuar me popullsinë e moshës përkatëse, janë 61,7 %, nga 32 % që ishin në vitin 2001.
Sipas INSTAT, ndër të diplomuarit mbizotërojnë ata me arsim të mesëm të përgjithshëm, ndërsa vitet e fundit po rritet interesi për arsimin profesional.
Në 4 vitet e fundit dallon fakti që ka nisur të rritet interesimi nga personat që pas arsimit të mesëm, vazhdojnë studimet universitare ose specializohen në profesione të caktuara.
Pavarësisht se vlera absolute e numrit të nxënësve në arsimin 9-vjeçar vjen në ulje vit pas viti, pjesëmarrja e nxënësve në këtë nivel arsimi është e lartë. Në vitin 2014 në arsimin 9-vjecar përfunduan 53,4 % nxënës në qytet dhe 46.6 % në fshat. Përqindjen më të lartë të tyre prej 51,8 % e mbajnë djemtë kundrejt 48,2 % vajza, por ky raport po ndryshon vit pas viti në favor të djemve.
Krahasuar me popullsinë përkatëse, vërehet rritje në përqindje e të diplomuarve të arsimit 9-vjeçar nga viti në vit.