Prania e variantit Delta në vend, ka rritur edhe rastet e reja të infeksionit, gjë që është reflektuar edhe në shifrat e dy ditëve të fundit. Për Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, rritja e rasteve të infeksionit është tregues se vaksinimi nuk pret.

Me një postim në Facebook, Manastirliu i bën thirrje qytetarëve që t'i drejtohen pikës më të afërt për t'u vaksinuar. Ajo bën me dije po ashtu se numri total i vaksinimeve të kryera në vend ka shkuar në 1,229,405

"Rritja e rasteve të të prekurve nga COVID19 është tregues se vaksinimi nuk pret. Vaksinohu sa më parë në pikën më të afërt të vaksinimit. Vaksinat Shpëtojnë Jetë  1,229,405 vaksinime të kryera deri më sot", shkruan Manastirliu.

Ditën e sotme u regjistruan 99 raste të reja infeksioni, por fatmirësisht bilanci i 24 orëve të fundit ishte pa viktima. Një ditë më parë, numri i rasteve të reja të infeksionit ishte  65 .

Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha qytetarët +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar, ku secili mund të paraqitet me kartën e identitetit. Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t'iu dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 të gjithë qytetarëve.